Në një intervistë për dokumentarin “Pa rregulla, pa kufij”, ekspertja e sigurisë Fatjona Mejdini analizon ndikimin që ka krimi i organizuar shqiptar në ekonominë dhe shoqërinë, si brenda vendit, ashtu edhe në arenën ndërkombëtare.
Mejdini thekson se grupet shqiptare kanë kaluar nga trafikimi i qenieve njerëzore dhe kanabisit në vitet ’90, në kontrollin e tregtisë ndërkombëtare të kokainës. Sipas saj, pas viteve 2000, këto grupe nisën të krijojnë baza në Amerikën Latine, sidomos në Ekuador dhe Kolumbi, duke u bërë pjesë e pesë rrjeteve më të mëdha kriminale në Evropë.
“Ata tanimë nuk janë më vetëm transportues, por aktorë të rëndësishëm që kontrollojnë aleanca, çmime dhe tregje të kokainës,” thotë Mejdini, drejtuese e Observatorit të Evropës Juglindore, në Iniciativën Globale Kundër Krimit të Organizuar Transnacional (GI-TOC).
Sipas saj, paratë e narkotikëve po injektohen masivisht në ekonominë shqiptare përmes ndërtimit, sektorit të energjisë dhe pasurive të paluajtshme.
“Ndërtimi i kullave nuk pasqyron kërkesë reale, por nevojën për të pastruar para,” thotë ajo, duke shtuar se ky fenomen po shkatërron konkurrencën dhe po forcon korrupsionin.
Mejdini, autore e një raporti skrupuloz rreth lidhjeve të grupeve nga Ballkani me grupet e Amerikës latine, paralajmëron se Shqipëria rrezikon të përjetojë skenarin e këtyre vendeve, ku trafiku i drogës solli dhunë, destabilitet dhe varfëri.
Ajo nënvizon se krimi shqiptar ka ndërtuar lidhje të forta me grupet lokale të këtij kontinenti përmes aleancave biznesi dhe martesave me familje kriminale vendase. Kjo strategji, sipas saj, u ka dhënë shqiptarëve avantazh të fortë në zinxhirin e trafikut.
Ndërkohë, ajo sheh me shqetësim edhe pastrimin e parave në Dubai dhe përdorimin e kriptomonedhave, që sipas saj po bëhen mjete për të shmangur kontrollin ligjor.
Drejtuesja rajonale e GI-TOC, paralajmëron se përveç pasojave ekonomike, krimi po ndikon edhe në modelet sociale përmes glorifikimit të jetës kriminale në rrjetet sociale. Ajo kërkon një reagim të fortë shoqëror për të frenuar këtë fenomen, veçanërisht ndaj rekrutimit të të rinjve.
“Nëse nuk ndërhyjmë, rrezikojmë që paratë e krimit të bëhen normë e ekonomisë sonë,” përfundon Mejdini.
Lexoni gjithashtu:
- “Pa rregulla, pa kufij”, një dokumentar për gjurmët shqiptare në zinxhirin global të kokainës
- “Paratë e pista po deformojnë shoqërinë shqiptare” intervistë me Vehap Kolën

Erblin Vukaj ka përfunduar studimet për “Shkenca Komunikimi” e më tej është mjeshtëruar (MSc) për “Gazetari Evropiane dhe Ndërkombëtare” në Universitetin e Tiranës. Prej vitit 2012 Vukaj punon si gazetar profesionist duke fituar përvojë në media online, shtyp të shkruar, radio dhe televizion. Ai ka mbuluar çështjet të ndryshme si aktualiteti, shëndetësia, mjedisi dhe sporti. Paralelisht, ka drejtuar dhe është përfshirë në disa projekte hulumtimi mbi të shkuarën komuniste në Shqipëri.