Qeveria i ka rritur vetes kompetencat sa i takon zhvillimit urban duke kufizuar më tej rolet e bashkive në vendimmarrje për ndërtimet. Në një vendim që zhvendos më tej balancën e autonomisë vendore, Kryeministri grumbullon më tepër fuqi ekzekutive mbi territorin, mjedisin dhe ekonominë.
Në tre vitet e fundit lejet për ndërtime deri në 8 kate jepeshin nga bashkitë, por me vendimin e datës 23 korrik të Këshillit të Ministrave, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Ujit (KKTU) – i cili drejtohet nga Kryeministri – e uli këtë kufizim për objekte deri në 6 kate.
Për më tepër, KKTU merr kompetencën për vendime për çdo ndërtim në zonat bregdetare, pavarësisht kushteve dhe kritereve të zhvillimit. Nga ana tjetër qeveria ka ndaluar ndërtimin apo shfrytëzimin si parkingje apo me rrethime të hapësirave të destinuara për të qenë publike.
Ndërtimi nën pushtetin e qeverisë
Para vitit 2015, KKTU (asokohe thjesht KKT) ishte menduar si organ mbikëqyrës për planifikimin urban kombëtar.
Fillimisht, miratonte planet vendore dhe shqyrtonte projekte të rëndësisë kombëtare. Por me ndryshimet në ligjin Nr.107/2014 dhe ndryshimet në VKM 408/2015, profili i Këshillit ndryshoi rrënjësisht.
Prej vitit 2024, KKTU vepron si autoritet që vendos dhe zbaton, pa pasur kufizime lokale apo mjedisore. Ky transformim i KKTU-së u bë teksa po debatohej ndryshimi i ligjit për Zonat e Mbrojtura.
Ky centralizim shqetësoi organizatat mjedisore të cilat e konsideruan KKTU-në “Zot të Zonave të Mbrojtura” pasi “rrëmben pushtetet dhe politikat për këto zona”. Kjo mund të shihet te kompetenca e përcaktimit si “zonë me prioritet ekonomik” edhe të pronave shtetërore duke anashkaluar shqyrtimin në nivel vendor.
KKTU kontrollohet nga qeveria dhe drejtohet nga kryeministri. Ajo përcakton zonat me prioritet ekonomik, turistik dhe industrial. Jep akses në prona shtetërore, me përjashtim të pyjeve, kullotave dhe tokave bujqësore.
Ka të drejtë të vendosë për shpronësime dhe konfiskime. Madje, mund të legalizojë objekte pa leje “për strehim social”.
Por, ky përqendrim kompetencash shtron pyetje serioze mbi balancën institucionale.
Për më tepër, KKTU merr vendime pa procese të hapura publike dhe shpesh pa konsultim me komunitetet lokale, apo banorët e zonave ku jepen lejet e zhvillimeve dhe ndërtimeve.
Citizens.al ka dokumentuar mungesën e transparencës në ndarjen e lejeve të zhvillimit apo ndërtimit për rreth 140 kulla në Tiranë.
Në mungesë të transparencës dhe llogaridhënies, favorizohen interesa private dhe klienteliste duke kufizuar më tej edhe të drejtën e zhvillimit.
Në letër, qeveria thotë se synon zhvillim të qëndrueshëm. Në praktikë, po mundohet të kontrollojë çdo rrugë investimi.
KKTU po zëvendëson pushtetin vendor dhe po përjashton qytetarët nga vendimmarrja. Në mungesë transparence, nuk ka garanci për interesin publik në planet e zhvillimit.
Qytetet dhe territori po drejtohen nga një institucion i vetëm: qeveria – me më shumë pushtet, por gjithnjë e më pak llogaridhënie.
Përballë kësaj qasjeje, nevojitet një trysni më e madhe politike nga opozita, shoqata e njësive vendore, ekspertët e ndërtimit, zhvillimit, administrimit urban si dhe shoqëria civile.

Ka kryer studimet e nivelit master në Gazetari Investigative në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh punon si gazetare, ku më herët ka mbuluar çështje të politikës dhe aktivitetit parlamentar, në median e shkruar dhe atë online. Aktualisht është gazetare pranë Citizens.al, ku mbulon çështje të ndryshme sociale që lidhen me transparencën e institucioneve. Në Citizens.al udhëheq podcastin “Të Padëgjuarit” dhe është e angazhuar si menaxhere e projekteve që lidhen me mbështetjen e gazetarisë investigative.