Nga: Arbjona Çibuku dhe Jeta Kasemi
Premtimet dhe aksionet e qeverisë për lirimin e plazheve të zaptuara dhe kthimin e tyre në plazhe publike nuk u shoqëruan me investime në këto zona.
Teksa qytetarët shprehen se preferojnë të pushojnë në plazhe publike për arsye ekonomike, ata janë të pakënaqur me cilësinë dhe shërbimet në këto plazhe.
Papastërtia, ndotja, mungesa e infrastrukturës dhe aksesit mbeten problemet kryesore, ndërsa personat me aftësi të kufizuara vazhdojnë të jenë të përjashtuar nga pushimet në det.
“Papastërti dhe mungesë aksesi”
Përmes një pyetësori i online, Citizens mblodhi perceptimin e qytetarëve sa i përket plazheve publike.
Shumica u shprehën të pakënaqur për pastërtinë në vijën bregdetare, hapësirat e pakta publike, mungesën e aksesit, parkimeve dhe shërbimeve. Disa prej tyre, thanë se kjo gjendje i ka shtyrë që të zgjedhin plazhet private, ose dhe të pushojnë jashtë shtetit.
“Aty ku ka plazh publik nuk ke ku parkon dhe nuk ka asnjë shërbim,” u ankua një qytetar në pyetësorin e Citizens.al.
“Kanë kthyer edhe plazhin publik në gjysmë-privat, duke ngulur çadra e zhezlongë që nuk i heqin kur largohen, i lënë aty për ditën e nesërme,” u shpreh një tjetër pushues i revoltuar.

Jonida Velia, pushuese në Vlorë, sheh me të njëjtin shqetësim mungesën e plazheve publike me mungesën e sigurisë dhe infrastrukturës. Në këtë pikë, ajo thekson si problematike mungesën e rojeve në stacionet e plazheve, shërbimeve bazike dhe stafeve të trajnuara.
“Çmimet janë rritur, por cilësia ka mbetur e ulët. Papastërtia, mungesa e sigurisë. Nuk kam hasur asnjë roje plazhi,” tregoi ajo për Citizens.al teksa përmendi se kjo mungesë ndihej më shumë në plazhin ku pushonte, pasi frekuentohej nga familjarë.
Sipas Jonidës, duhet të ketë barazi mes plazheve publike dhe private ndërsa higjiena dhe shërbimi me stafe të trajnuara mbeten pika ku duhen investuar.
“Çdokush meriton pushime, por jo të gjithë mund t’i përballojnë çmimet e shezlongëve nga 10-100 mijë lekë,” theksoi ajo.
Mungesa e infrastrukturës së përshtatshme dhe shërbimeve të duhura duket se i shton arsyet për ta konsideruar plazhin publik një alternativë të dytë.
Mjalinda, tregoi me pakënaqësi për Citizens.al se zgjodhi të pushojë në Greqi këtë verë, pasi qasja në plazhet publike shqiptare, sipas saj, është “e kufizuar” dhe ndotja “shumë e lartë”, sidomos nga kanalizimet e ujërave të zeza, të cilat derdhen në bregdet.
“Në periudha të ndryshme, gjatë sezonit veror, mban erë të keqe,” tregon Majlinda për situatën e plazheve pranë portit të Durrësit.
Një qytetar tregoi në pyetësorin e Citizens.al se ngjashëm, ndotje, ka edhe Zvërneci në Vlorë me “plazhe të lira plot, por mbushur me mbeturina dhe xhama.”

Përballë këtij perceptimi të qytetarëve Citizens.al iu drejtua me kërkesa për informacion njësive vendore bregdetare, të cilat administrojnë plazhe publike. Prej tyre dha përgjigje vetëm Bashkia Durrës.
Në total, në 14 zona plazhesh – nga Shetaj, Gjiri i Lalzit, Hamallaj, Porto Romano, Currilat etj. – Durrësi numëron zyrtarisht rreth 800 parcela të ndara mes resorteve (5%; 34), hoteleve dhe restoranteve (70%; 564) dhe plazheve publike (25%; 206).
Bashkia pranon se nuk ka buxhet të dedikuar për mirëmbajtjen e plazheve, por thekson se pastrimi i tyre bëhet nga privatët për parcelat e dhëna në përdorim, dhe nga Ndërmarrja Komunale për plazhet publike.
Ajo deklaron për marrjen e masave administrative kundër zaptuesve, por rezultatet mungojnë.
Agjencia Evropiane e Mjedisit (EEA) renditi Shqipërinë të fundit në Evropë për cilësinë e ujërave. Vetëm 16% e plazheve shqiptare u vlerësuan me ujë “të një cilësie të shkëlqyer”.
Situata është e përsëritur edhe në vitet e kaluara. Të dhënat e raportuara nga Citizens.al gjatë verës së 2024, paralajmëronin për një gjendje të përkeqësuar.
Ekspertët e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM) nënvizuan asokohe mungesën e investimeve në trajtimin e ujërave të ndotura, shkarkimet e pakontrolluara urbane dhe mungesën e një kalendari të qëndrueshëm monitorimi si shkaqet kryesore.
Në terren situata vazhdon të jetë e njëjtë, ndotja është e dukshme dhe hapësirat publike janë shpesh të padukshme për qytetarët dhe me mungesë shërbimesh.

Plazhi, “tokë e ndaluar” për personat me aftësi të kufizuara
Nga raportimet e qytetarëve kuptohet se plazhet publike vuajnë për infrastrukturë të përshtatshme. Por ata që duket se e vuajnë më shumë, janë personat me aftësi të kufizuara.
Suela Lala, aktiviste për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, i quan plazhet “tokë e paprekshme” për këtë kategori. Ajo kritikon mungesën e ligjeve, investimeve dhe masave konkrete për aksesin në plazhe ku mungojnë platformat, tualetet, dushet, apo dhe dhomat e zhveshjeve.
“Ka dhe mungesë legjislacioni që e adreson aksesin në plazhe apo hapësira të tjera pushuese si pishina, liqene, lumenj,” theksoi Suela, e cila veçoi aksionin e ndërmarrë në Kavajë në vitin 2022 nga një nismë vullnetare për karriget speciale për hyrjen në det.
“Në botë, këto karrige i blen dhe i mundëson shteti,” shtoi Suela e zhgënjyer, e cila nuk kishte informacion se çfarë ishte bërë më tej me projektin në Kavajë.
Sipas Suelës kategoria e personave me aftësi të kufizuara duket se nuk është në fokusin e qeverisë apo bashkive.
“E kemi ngritur si problem edhe me vetë minsitren, duke thënë që për sa kohë turizmi është sektor strategjik bashkë me gjithë turistët vinë edhe të moshuar edhe persona më aftësi të kufizuar”, thotë Suela dhe shton se duhet që të mendohet që nga akomodimi, që nga mjetet lëvizëse, që nga shërbimi në të gjitha elementet dhe se kjo duhet parashikuar me në ligj.

Por Shqipëria, thotë ajo, është larg aksesueshmërisë në plazhe, pasi institucionet deri më sot nuk kanë kryer as ndonjë studim “që të na ofrojnë detin dhe rërën që na i jep Zoti”.
Edhe në pyetësorin e Citizens dhjetëra qytetarë që e plotësuan u shprehën se plazhet janë të paakseushme për këtë kategori pushuesish.
Teksa qeveria dhe bashkitë promovojnë shtimin e plazheve publike, lirimin e hapësirave të zaptuara nga privati, realiteti në terren tregon një tjetër fytyrë. Plazhet publike vijojnë të jenë të pakta dhe me mungesë shërbimesh, nuk ka shërbime si tualete, dushe, kosha, roje bregdetare.
Kështu plazhet publike mbeten të pakta, të ndotura dhe pa shërbime. Qeveria dhe bashkitë promovojnë lirimin e hapësirave, por realiteti në terren nuk ndryshon.
Ky material është përgatitur në kuadër të nismës “Citizens Report” pjesë e projektit “Strengthening Media Freedom, Professionalism and Journalists’ Safety in Albania” që zbatohet nga BIRN Albania në partneritet me SCiDEV dhe Qendra Faktoje, me mbështetjen financiare të Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij materiali është përgjegjësi i autorit dhe jo domosdoshmërisht paraqet pikëpamjet e Bashkimit Europian apo partnerëve të sipërpërmendur.
