Banorët të rrugës “Shkëlzen” në Laknas të Kamzës u mblodhën mëngjesin e së hënës para bashkisë Kamëz në shenjë proteste.
Mungesa e ujit të pijshëm u ka vështirësuar jetesën, ndërsa në këtë zonë nuk ka kanalizime të ujit.
“Nga ’94 që unë jam banor i Kamzës e deri më sot, zero ujë. Vetëm kemi ardhur me forcat tona, deri sa kanë ardhur limitet tani që nuk ka më”, tha Artan Dragjoshi, i pranishëm në protestë.
Sipas banorëve deri më tani kanë arritur ta sigurojnë vetë furnizimin me ujë përmes puseve, mirëpo mpakja e ujërave nëntokësore për shkak të mungesës së reshjeve i ka lenë ata pa ujë.
“Kemi hedhur puse vetë, kemi hedhur lekë. Na kanë mbaruar edhe puset tani, jemi zero. Të ngrihet një komision ta shohë, nëse ka apo nuk ka ujë, ta verifikojë”, deklaroi Shpëtim Tota, banor i zonës.
Ky komunitet vetëm 10 kilometra larg qendrës së Tiranës, shprehet se këtë verë është detyruar të paguajë bote uji për të siguruar furnizimin.
“Janë shteruar edhe puset, kemi filluar me bote. Blejmë botin 100-150 mijë lekë, dy ditë, shko blejë tjetrin. Me këto kushte e kemi krijuar”, vijoi Shpëtim Tota.
Sipas tyre, edhe kur kanë hapur puset, kanë hasur vështirësi pasi janë penguar nga policia.
“Problemi tjetër është se kur duam të nxjerrim pus vjen policia dhe s’na lejon. Pastaj pusi nuk është se nuk kushton, kushton edhe në vlerë monetare, lek shkon deri në katër, pesë milionë”, tregoi Nemir Lushi, tjetër banor i rrugës “Shkëlzeni” në Laknas.
Ata deklaruan se duan nga bashkia të nisë ndërtimin e sistemit të kanalizimeve dhe se për këtë janë të gatshëm të kontribuojnë edhe vetë.
“Jemi solidarizuar, nga pompat e Laknasit, kemi thënë që tubin mund ta shtrojmë vetë, thjesht bashkia të na japë mundësinë e kanalit nga rruga që mos të kemi probleme me banorë të tjerë. Të na jepet kjo mundësi dhe për tubacionet solidarizohemi dhe vetë, sepse ato lekë po i hedhim që po i hedhim dhe nuk kemi ujë”, u shpreh më tej Nemir Lushi.
Banorët nënshkruan një kërkesë, që ia drejtuan bashkisë, që ajo të marrë masa konkrete, përndryshe do të kthehen sërish në protestë edhe më të shumtë në numër pas një jave.
“Sot kemi qenë para bashkisë Kamëz, ku i kemi paralajmëruar institucionet që nëse nuk do të zgjidhet kjo situatë pas një jave do të jemi këtu shumë më shumë seç kemi qenë sot”, u shpreh Edison Lika, aktivist.
Kryetari i bashkisë Kamëz u tha banorëve përmes përfaqësuesve se nuk mund t’i takonte në ato momente, por vetëm pas mesditës.
*Në orën 13:00 banorët u pritën nga kryetari i bashkisë Kamëz, Rakip Suli dhe shprehën shqetësimet e tyre. Kryebashkiaku u shpreh se kanalizimet për ujësjellësin për afër 1 mijë banorë ishin një kosto e konsiderueshme për buxhetin e bashkisë dhe premtoi se do ta paraqiste si propozim në buxhetin e ardhshëm, duke kërkuar edhe mbështetje nga pushteti qendror.
Për këtë arsye ata vendosën si afat muajin nëntor të këtij viti për të mbyllur hartimin e projektit. Ndërsa për të lehtësuar banorët për mungesën e ujit, ai ngarkoi me përgjegjësi drejtorin e ujësjellës-kanalizimeve në Kamëz për të dërguar bote me ujë në shtëpitë ku uji i pijshëm mungon.
*Shënim: Artikulli u përditësua pas takimit që banorët patën në bashkinë Kamëz me kryetarin Rakip Suli.

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).