Rreth 345 mijë nxënës nisën sot vitin e ri shkollor, 26,500 prej tyre u ulën në banga për herë të parë. Por pas kësaj shifre fshihet një panoramë më komplekse: sistemi arsimor po tkurret dhe premtimet për infrastrukturë arsimore mbeten boshe.
Prej vitit 2015, sipas Institutit të Statistikave (INSTAT) numri i nxënësve ka rënë me 31%. Në total, janë 112 mijë nxënës më pak, gjysma prej tyre mungojnë vetëm në pesë vitet e fundit.
Në ciklin fillor rënia është 14%, në atë 9-vjeçar 11%, ndërsa në ciklin e mesëm 17%.
Kjo lidhet me emigrimin në rritje dhe plakjen e popullsisë. Mosha mediane ka kaluar nga 35 në 44.4 vjeç në një dekadë, duke iu afruar mesatares së BE-së (44.7 vjeç).
Në zonat rurale tkurrja e popullsisë ka çuar në mbylljen e shkollave dhe krijimin e klasave kolektive me nxënës të moshave të ndryshme.
Në qytete, klasat paralele po zbehen. Ndryshe nga prirja kombëtare, në Tiranë shkollat janë të mbingarkuara. Tridhjetë shkolla vijojnë ende me turne.
Zonat e reja urbane, si për shembull zona e Astirit me një popullsi mbi 70 mijë banorë nuk kanë shkolla, pavarësisht rritjes së popullsisë dhe premtimeve politike.
Premtime të përsëritura për shkollë në Astir
Prej vitit 2015 kryebashkiaku Erion Veliaj ka premtuar ndërtimin e shkollave në zonën e Astirit dhe Yzberishtit – fillimisht një, më pas dy, tre dhe katër shkolla. Premtimet janë përsëritur çdo fushatë zgjedhore, çdo vit buxhetor dhe çdo dalje publike.
“Angazhohemi të ndërtojmë një kopsht dhe shkollë 9-vjeçare në zonën e Unazës së Re, pranë KMY-së në Yzberisht, sepse aty është edhe nevoja më e mdhe për të pasur lehtësimin e shkollave të Kombinatit nga dy turne që kemi sot,” deklaronte Veliaj.
Vëmendja ndaj nevojës për shkolla në këtë zonë u kthyer në vitin 2020, në periudhë parazgjedhore.
“Lajmi i mirë është që shumë shpejt do të fillojmë edhe shkollën 9-vjeçare edhe shkollën e mesme”.
Në shkurt 2022, premtuan tre shkolla “dy në njërën anë të Lanës” dhe “një në anën tjetër”.
Në prill 2023, në një intervistë në Euronews, Veliaj tha se zënia e trojeve kishte penguar punimet, ai madje u justifikua edhe duke përmendur luftën në Ukrainë si ndikuese në vonesa.
“Shkollat që nuk janë ndërtuar janë në dy ish-komuna, që janë drejtuar nga PD ku janë dhënë leje ndërtimi pa asnjë kriter. U shty në kohë rikuperimi i terreneve për shkak të gjyqeve”, këmbëngulte kryebashkiaku.
Në shtator 2023, në ABC News, Veliaj u shpreh se nuk do ta linte bashkinë pa zgjidhur problemin e shkollave në Astir.
“Janë katër shkolla përnjëherë. Kemi çliruar tre territore, po çlirojmë edhe të fundit, jemi në fund të atij procesi, por për sa kohë që janë çliruar tre, ajo që ndoshta do bëjë është që do ia japë dritën jeshile të bëhet loti me dy pjesë. Tre të parat dhe pastaj tjetra. Nuk do e lë këtë bashki pa zgjidhur Astirin…”
Ndërsa në dhjetor 2023, Veliaj deklaroi se shkollat në Astir ishin buxhetuar. Mirëpo, buxhetim jo detyrimisht do të thotë nisje punimesh. Gjë që bëri të ripërsëritej premtimi sërish në shkurt 2024.
“Edhe te zona e Astirit që gjithsesi është mbrapa se akoma nuk ka shkollat e para dhe ky lot i shkollave dy një njërën anë dhe dy në anën tjetër ula pak edhe stresin që ka ‘Dhora Leka’ dhe shkollat e tjera të njësisë”.
Në prill 2024, kryebashkiaku Veliaj zbriti në terren në vendin ku pritet të ndërtohet godina e përbashkët për shkollën 9-vjeçare dhe gjimnazin në Astir me një kampus me rreth 10 mijë metra katrorë.
Ndërsa u shpreh se gara për të ndërtuar shkollat e reja në këtë zonë është rihapur sërish. Por pavarësisht premtimeve me shumicë, edhe në nisje vitit shkollor 2025-26, zona e Astirit ende nuk ka shkollë.
Premtimi për drekë falas mbetet ende premtim
“Vendimi që kemi marrë është që, duke filluar nga Shtatori i vitit tjetër, në të gjitha shkollat e Bashkisë së Tiranës do të ofrojmë ushqim falas për fëmijët dhe nxënësit”, u shpreh kryebashkiaku Erion Veliaj në tetor 2024.
Mirëpo, edhe pse dita e parë e shkollës, ky shërbim nuk do të ofrohet në shkollat e Tiranës, duke qene një premtim i pambajtur.
Sot, i ndodhur në hetim për korrupsion dhe shpërdorim detyre, kryebashkiaku Veliaj iu rikthye sërish këtij premtimi, përmes një statusi në rrjetin social “Facebook”, ku ia mveshi mos mbajtjen e premtimit burgosjes së tij.
“Ndihem i keqardhur që u penguam në projektin tonë të drekës falas në shkolla – një ide që e kam dashur prej kohësh dhe që më në fund ishim gati ta implementonim”, u shpreh ai, ndërsa sërish insistoi se përgjegjësia mbetet tek ai dhe se do ta rikuperojë sa më shpejt të mundet.
Lexoni gjithashtu:
- Mësimi me turne, epokë që nuk mbaron në Tiranë pavarësisht premtimeve
- Nëntë vite premtime, por në Astir ende nuk ka shkollë

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).