Citizens.al

A po legalizohen “70 gjini” në Shqipëri? Ja si qëndron e vërteta

Ilustrim grafik, projektligji për barazinë gjinore/Citizens.al

Projektligji për “Barazinë gjinore” është shoqëruar ditët e fundit me keqinterpretime në media dhe rrjetet sociale, duke u paraqitur si një hap drejt “legalizimit të martesave gay”, “transgjinorëve” apo madje edhe “70 gjinive të reja në Shqipëri”.

Por këto pohime janë tërësisht të pavërteta dhe përbëjnë një formë dezinformimi publik pasi projektligji nuk e ndryshon seksin biologjik, nuk legalizon çiftet e të njëjtës gjini, dhe nuk shpik as gjini të reja.

Citizens.al shqyrtoi përmbajtjen e tij nga ku rezultoi se drafti nuk përmban asnjë nen që lidhet me martesat e të njëjtës gjini, as nuk prek ligjin për gjendjen civile apo Kodin e Familjes.

Për nga rëndësia dhe ndjeshmëria e çështjes, ndryshime të tilla që do të preknin familjen do të donin jo vetëm akte të tjera, por edhe më shumë debat publik, çka nuk ndodh në këtë rast.

Qëllimi i projektligjit për “Barazinë gjinore” është të forcojë mbrojtjen ndaj diskriminimit mbi bazën e identitetit gjinor dhe shprehjes gjinore. Ai është hartuar nën direktivat e Bashkimit Evropian në përputhje me Konventën e Stambollit, të ratifikuar nga Shqipëria që në vitin 2013.

Projektligji e përkufizon “gjininë” si kategori sociale dhe juridike, duke i dhënë mundësi institucioneve të zbatojnë politikat e barazisë gjinore që përfshijnë edhe persona përtej spektrit tradicional mashkull-femër.

Kjo nuk përbën “shpikje të re”, por është në përputhje me standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Në mungesë të një përkufizimi të saktë ligjor, institucionet dhe gjykatat shqiptare mund të kenë vështirësi në trajtimin e rasteve të diskriminimit ndaj personave të komunitetit LGBT.

Projektligji përpiqet ta mbushë këtë boshllëk, duke ndihmuar në zbatimin më të mirë të ligjit për “Mbrojtjen nga Diskriminimi” dhe duke garantuar që askush të mos përjashtohet nga e drejta për barazi për shkak të mënyrës se si e përjeton dhe shpreh gjininë e vet.

Vlen të theksohet se projektligji nuk ka asnjë përmbajtje që lidhet me “identifikime me kafshë”, “gjini të shpikura”, apo skenarë të ngjashëm që përdoren për të nxitur pasiguri apo urrejtje.

Këto narrativa nuk reflektojnë as realitetin ligjor dhe as praktikën ndërkombëtare në të cilën shteti shqiptar aspiron të bëjë pjesë: Bashkimin Evropian.

Diskutimi për barazinë gjinore kërkon qartësi dhe një raportim më etik nga mediat pasi, sikurse e tregon rasti i fundit, ka ndjeshmëri shoqërore.

Prandaj, është e rëndësishme që debatet publike – sidomos në studiot televizive – të bazohen në dokumente zyrtare, konventa ndërkombëtare dhe fakte konkrete, jo në keqinterpretime apo manipulime ideologjike.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW