Citizens.al

Më shumë kulla, më pak njerëz: Për kë ndërtohet në Shqipëri?

Ilustrim grafik i kullave të prezantuara në festivalin "Bukë dhe Zemër"/Citizens.al

Shqipëria po përjeton një nga krizat më të thella demografike në Europë. Nga rreth 3.2 milionë banorë në fillim të viteve 2000, sot numri ka rënë në vetëm 2.3 milionë. Shifrat janë të qarta, por politikat e zhvillimit urban duket se i shpërfillin atë.

Pavarësisht tkurrjes demografike dhe emigracionit masiv, industria e ndërtimit ka vazhduar të zgjerohet, jo në funksion të nevojave reale të qytetarëve, por sipas një logjike tjetër: qarkullimit të parasë në një ekonomi jo-transparente.

Në pesë vitet e fundit në Shqipëri janë dhënë mbi 6 mijë leje për një sipërfaqe prej 9.6 milionë m2 ndërtime, ku 75% janë dhënë për banim. Ky zhvillim ka ndodhur teksa Shqipëria po zbrazej. Vetëm qarku i Tiranës ka përthithur më shumë se dy të tretat e kësaj sipërfaqeje, rreth 6.8 milionë m2, që në vlerë të përafërt përkthehen në mbi 2.4 miliardë euro të xhiruara nga ky sektor i ekonomisë.

Lexo: Gara e kullave: 10 gjigandët e betonit që po pushtojnë Tiranën

Logjika e kësaj xhiroje fsheh pas zhvlerësimin e euros në tregun shqiptar. Që nga viti 2021, kursi i euros ka rënë nga 123 lekë në 96 lekë. Një zhvlerësim i pashembullt, që sipas ekspertëve të ekonomisë nuk lidhet me konkurrencë reale, rritje prodhimi apo eksportesh, por me rritjen e flukseve të parasë informale, që dyshohet të jetë e kanalizuar kryesisht në ndërtim.

Ndërtohet më shumë, ndërtohet dhe më lart, ndërkohë që ka më pak njerëz për të jetuar aty.

Ilustrim grafik i kullave rreth qendrës dhe lartësitë e tyre.

Kjo valë ndërtimesh nuk ndalet as para hapësirave publike, as para shkollave, as para monumenteve historike. Ajo ushqehet nga një proces vendimmarrës gjithnjë e më i centralizuar dhe pa llogaridhënie.

Lexo: “Një masterplan privat”: Shembje dhe kulla pas Muzeut Kombëtar

Sipas një analize të Citizens.al, të paktën 140 kulla janë shqyrtuar ose miratuar në Tiranë gjatë dekadës së fundit. Por vetëm 65 prej tyre kanë vendime të publikuara. Të tjerat fshihen në rendin e ditës së Këshillit Kombëtar të Territorit dhe Ujërave (KKTU), pa transparencë dhe pa konsultime publike.

Agjencia e Zhvillimit të Territorit (AZHT) pretendon se çdo vendim është i aksesueshëm online, por në realitet nuk ndodh kështu. Kontrolli publik është vështirë i për t’u arritur duke lënë shpesh vend për dyshime favorizimi, klientelizëm dhe pastrim parash.

Fuqitë e KKTU janë rritur, ndërsa llogaridhënia është dobësuar. Pesë ndryshime ligjore dhe të paktën dhjetë vendime qeverie kanë zhveshur autoritetet vendore duke e përqendruar çdo vendim për ndërtimet mbi 6 kate në një dorë të vetme: Kryeministrin.

Lexo gjithashtu: Artikuj nga rubrika Tirana Vertikale

Kështu, kullat ngrihen gjithnjë e më lart, ndërsa drita e transparencës fundoset gjithnjë e më thellë. A është ky vërtet zhvillim urban? Dhe nëse po, kujt i shërben, ndërkohë që popullsia bie dhe kostoja e jetesës rritet çdo ditë?

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW