Shtatëdhjetekatër familje në Durrës pritet të humbasin pronat e tyre për shkak të një projekti urbanistik që synon t’i japë pamje tjetër Parkut Arkeologjik.
Projekti “Restaurimi dhe rikualifikimi urban i zonës perspektive TID” po financohet nga qeveria dhe bashkia e Durrësit në bashkëpunim me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF). Ai po has kontestime për vlerën e ulët të shpronësimeve dhe mungesën e konsultimeve publike.
Vendimi për shpronësimet u publikua në Fletoren Zyrtare më 26 gusht 2025. Ai parashikon kompensim për pronat në zonën e Amfiteatrit dhe Bulevardit Qendror për një vlerë totale rreth 315.5 milionë lekë (3.2 milionë euro), shumë më pak se 467 milionët (4.8 milionë euro) që kishte kërkuar fillimisht Bashkia Durrës.
Procedurat e likuidimit pritet të kryhen nga Agjencia Shtetërore për Shpronësimet, ndërsa përpara pagesës, pronarëve u duhet të paraqesin dokumentet e pronësisë të rifreskuara nga Kadastra.
Shpronësimi ka hyrë në fuqi menjëherë dhe duhet të përfundojë brenda muajit nëntor 2025. Por shuma e caktuar, është vlerësuar në çmime referencash që nuk janë përditësuar prej së paku 10 vite.
Shpronësimi me “vlera qesharake”
Banorët e zonës që preket nga projekti thonë se nuk janë konsultuar dhe se u njohën me projektin vetëm përmes medias. Citizens.al ishte në zonë dhe vizitoi disa prej shtëpive që preken nga shpronësimi.
“Vetëm nga celularët e kemi marrë vesh që do të prishen shtëpitë,” tha Shpresa Braholli, banore e rrugës “Ibrahim Tartari” krah “Bulevardit Tregtar”.
Ajo zotëron një banesë 149 m² dhe thotë se kompensimi i ofruar është 8.3 milionë lekë (85 mijë euro). Me këtë shumë, ajo thotë se nuk mund të përballojë blerjen e një shtëpie tjetër, as në periferinë e Durrësit.
“Jo këtu, po të matanë Spitallës që ta gjesh shtëpinë si kjo qe e kam,” vijon Shpresa.
Në shtëpinë e Altin Xhogut banojnë dy kurora familjare. Ai tregon se prona është vlerësuar me vetëm 6 milion lekë (62 mijë euro).
“Dy familje, nga 3 milionë, ç’mund të bësh me 3 milionë? Tek VKM-ja thotë që ky projekt zbatohet me pëlqimin e banorëve, por unë s’kam dhënë ndonjë pëlqim për të ma marrë pronën,” thotë Xhogu.
Projekti parashikon ndërhyrje për të zgjeruar hapësirat publik, përmendim këtu krijimin edhe të lulishteve. Banorët e intervistuar nga Citizens.al thanë se në disa raste shpronësimi i shtëpive të tyre u ishte kërkuar pikërisht për këtë qëllim.
Ata shprehen të zhgënjyer për faktin se zona ku ata banojnë është tjetërsuar gjatë viteve dhe hapësirat e dikurshme u dhanë për ndërtime shumëkatëshe.
“Te shkolla e muzikës, ka qenë lulishte, do të bëhet pallat. Këtu ne kemi pronën, kemi shtëpinë, prishe thotë (qeveria), do bëjmë lulishte. Nuk e di! Kjo nuk ka sens!” vijon Xhogu.
Banorët janë organizuar për të nisur një proces ligjor me padi kolektive kundër vendimit për shpronësimet duke synuar një vlerësim më të drejtë të pronave.
Shpronësimi me vlerën e viteve 2000
Plani për zonën TID është miratuar që në shkurt 2021. Ai lidhet me nismën e qeverisë, pas tërmetit të vitit 2019, me planet e detyruara vendore për rindërtimin dhe zhvillimin urban.
Në të njëjtin vit, AADF dhe Ministria e Kulturës publikuan “Planin e Menaxhimit të Integruar të Zonave Arkeologjike A & B” për periudhën 2021-2028, ku shpronësimet ishin parashikuar të ndodhnin në vitet 2021–2022. Procesi duket se po e zbaton me vonesë planin dhe pa transparencë të plotë.
Ndërkohë, qeveria e ka miratuar vlerën e shpronësimit për pronat që do të preken nga projekti në bazë të vlerës së tregut, sipas një vendimi të vitit 2000 – VKM nr. 138/2000, e cila është përditësuar me rregulloret e vitit 2015. Pra me çmimet e tregut të së paku 10 viteve më parë. Ngjashëm dhe kompensimi për trojet – VKM nr. 89/2016 dhe ndryshimeve të saj të mëvonshme.
Kështu, banorët e zonës historike të Durrësit po përballen me zhvlerësimin e pronës në mungesë të një procesi publik të ndershëm.
Çështja ngre pikëpyetje mbi etikën e zhvillimit urban dhe sjell ndërmend rastin e zonës së “5 Majit” në Tiranë ku plani i detyruar vendor xhentrifikoi zonën.
Lexoni gjithashtu:
- Monumentet e kulturës në Durrës, mes kyçjes dhe projekteve për rijetësim
- Trashëgimia kulturore në pritje të “rimëkëmbjes” pas tërmetit
- Kisha, biznes me monumentet e kulturës në Kepin e Rodonit

Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.