Drafti i Kodit të ri Penal propozon dënime që rrezikojnë të heshtin gazetarët dhe të penalizojnë opinionin publik. Përmes një raporti analitik, qendra Shkencë dhe Inovacion për Zhvillim (SCiDEV) ngre alarmin për pasojat që mund të sjellë miratimi i tij pa reflektuar ndryshime.
Propozimi, i publikuar nga Ministria e Drejtësisë më 27 gusht, përfaqëson një nga reformat më të thella të legjislacionit shqiptar që nga viti 1995. Qeveria thotë se e përafron kodin me standardet evropiane. Por, sipas analizës së SCiDEV, ai rrezikon të instrumentalizohet për censurë.
Në një raport të detajuar me këndvështrim ligjor dhe të së drejtës në fushën e medias, SCiDEV ka vënë në pah nenet më problematike, të cilat mund të përdoren kundër gazetarëve, aktivistëve të shoqërisë civile, apo dhe vetë sinjalizuesit.
Ndër nenet më shqetësuese cilësohen ato për shpifjen, fyerjen, ndikimin në drejtësi dhe përdhosjen e figurave shtetërore. Raporti shoqërohet me pesë rekomandime konkrete.
Nenet më problematike: Nga shpifja te fyerja e rëndë
Neni 865 i draftit, zgjeron përkufizimin e shpifjes duke përfshirë dëmtimin e reputacionit të institucioneve dhe jo vetëm individëve, sanksionon faljen publike, përgënjeshtrimin dhe gjoba që mund të dyfishohen nëse shpifja ndodh në media apo rrjete sociale.
Formulimi heq specifikimin e deklarimeve “me dijeni se janë të rreme” të Nenit 120 që është aktualisht në Kodin Penal dhe ka qasje me dy standarde pasi përkrah zyrtarët duke rritur ndëshkimet për rastet ku situatat u adresohen atyre.
SCiDEV vlerëson se këto ndryshime nuk duhen miratuar pasi “bien ndesh me parimet e proporcionalitetit dhe me vetë rekomandimet e BE-së për dekriminalizimin e shpifjes”.

Neni 863 që trajton fyerjen, ndryshon Nenin 119 të Kodit aktual duke shtuar një kategori të re si “fyerja e rëndë” me përkufizime të paqarta ligjore (si: dëmtimi i vetëvelerësimit të viktimës, zakonet e mira, shqetësim i opinionit publik etj.) por që dënohet deri me 2 muaj burg.
Raporti ngre shqetësimin se këto formulime mund të përdoren për të ndëshkuar opinionet kritike apo komentet politike duke rritur frikën dhe vetëcensurën. Ngjashëm SCiDEV vlerëson se këto ndryshime nuk duhen miratuar pasi nuk përputhen me rekomandimet e BE-së, që rekomandon se dënimi me burg për fyerje duhet të eliminohet.
Në Nenin 536, që flitet për mbrojtjen e pavarësisë së gjyqësorit – për të cilin në Kodin aktual nuk ka pasur specifikime të ngjashme dhe konsiderohet si risi pozitive – ka formulime të paqarta si “rrethanat shtypëse” ndaj pavarësisë së gjyqësorit, apo “synimi haptazi” i ndikimit.
Formulimi nuk ofron mbrojtje për gazetarët. SCiDEV vlerëson se ai rrezikon të keqpërdoret për të cenuar lirinë e shprehjes së opinionit ndaj proceseve gjyqësore me interes të lartë për publikun, të cilat cilësohen si kritikë legjitime.
Praktika e vendeve të tjera kryesisht kufizohet me shpërndarjen e paligjshme të provave të hetimit teksa masa me burgim cilësohet jo proporcionale.
Ky koncept, që njihet si “scandalizing the judiciary”, ka origjinë nga “English Common Law” dhe në Mbretërinë e Bashkuar është shfuqizuar që nga viti 2013, pikërisht për shkak të rrezikut që ngre ndaj lirisë së shprehjes. Ndaj SCiDEV rekomandon që Neni 536 të riformulohet.
Zbehja e lirisë së fjalës, satirës dhe humorit politik
Neni 852 i titulluar “Shkelja e lirisë së mendimit dhe shprehjes” ndryshon Nenin 261 të kodit aktual për “Pengimin e ushtrimit të së drejtës për t’u shprehur, grumbulluar dhe manifestuar”. Ai zgjeron mbrojtjen e lirisë së shprehjes duke përfshirë “lirinë e shtypit”, por sipas SCiDEV mund të kishte si formulim “lirinë e medias”.
Në raport SCiDEV thotë se mbrojtja e ofruar nuk është sistematike e lidhur me dispozitat penale ekzistuese për dhunën ndaj gazetarëve dhe nuk përfshin masat anti-SLAPP që rekomandohen nga BE-ja. Ndaj ajo propozon që gazetarët të trajtohen njësoj si punonjës të shërbimeve me interes publik, dhe të përfshihen në Nenin 338, që sanksionon dhunën apo kanosjen ndaj tyre.
Neni 235, mbi “përdhosjen e Republikës” ndryshon Nenin 268 të kodit aktual që flet për “Poshtërimin e Republikës dhe simboleve të saj”. Ai parashikon dënime penale deri në katër vjet burg për “përdhosje të figurave shtetërore” si Presidenti, Kuvendi, Qeveria, apo edhe dëshmorët e Atdheut.

Përfshirja e këtyre kategorive e shndërron kritikën politike, satirën apo dhe vetë protestën në vepra penale. SCiDEV vlerëson se pika që i përfshin këto kategori duhet hequr.
“Origjina e këtij neni i ngjan ligjeve ‘lèse-majesté’. Këto janë hequr nga legjislacioni i Francës dhe Belgjikës si antidemokratike,” thekson raporti.
Neni 515, që trajton publikimin e akteve sekrete të hetimit – parashikim i cili nuk gjendet në Kodin aktual – lejon ndëshkimin me burg deri në katër vjet, edhe nëse informacioni është siguruar nga burime zyrtare. Ai nuk qartëson nëse gazetari apo qytetari që e publikon aktin mund të mbrohet në emër të interesit publik.
Ky formulim, në mungesë të përjashtimeve për gazetarët, mund të përdoret për të heshtur sinjalizuesit dhe mediat që raportojnë mbi korrupsionin apo proceset e rëndësishme. Ndaj SCiDEV rekomandon që ai të rishikohet.
Një draft-kod që mund të cenojë themelet e demokracisë
Në një kohë kur Shqipëria pretendon të përmbushë kriteret për integrimin në BE – madje me hapa të përshpejtuar sipas qeverisë brenda vitit 2030 – drafti i Kodit të ri Penal rrezikon aspekte të rëndësishme për një sistem demokratik si pluralizmi i mendimit, lirinë e medias apo dhe vetë hapësirën e debatit publik.
“Gazetarët dhe rojtarët e tjerë publikë […] nuk duhet të penalizohen penalisht për ushtrimin e një funksioni me interes publik,” thekson raporti i SCiDEV, sipas së cilit transparenca dhe përgjegjësia civile janë rrugët demokratike për mbrojtjen e dinjitetit më shumë se sa ashpërsimi i Kodit Penal.
Për këtë raporti përmbyllet duke rekomanduar: Dekriminalizimin e shpifjes dhe fyerjes, forcimin e mbrojtjes së gazetarëve dhe rojtarëve publikë, rishikimin e dispozitave që potencialisht kufizojnë shprehjen, harmonizimin me angazhimet evropiane dhe ndërkombëtare si dhe sigurimin e proporcionalitetit dhe qartësisë ligjore.
Lexoni gjithashtu:
- Kodi i ri Penal rrezikon lirinë e shprehjes
- Organizatat e medias kundër Kodit të ri Penal: Cenon lirinë e shprehjes

Erblin Vukaj ka përfunduar studimet për “Shkenca Komunikimi” e më tej është mjeshtëruar (MSc) për “Gazetari Evropiane dhe Ndërkombëtare” në Universitetin e Tiranës. Prej vitit 2012 Vukaj punon si gazetar profesionist duke fituar përvojë në media online, shtyp të shkruar, radio dhe televizion. Ai ka mbuluar çështjet të ndryshme si aktualiteti, shëndetësia, mjedisi dhe sporti. Paralelisht, ka drejtuar dhe është përfshirë në disa projekte hulumtimi mbi të shkuarën komuniste në Shqipëri.