Tashmë është zyrtare, Erion Veliaj nuk është më kryetar i Bashkisë Tiranë. Vendimi i qeverisë që e shkarkoi atë nga detyra u botua sot në Fletoren Zyrtare duke e bërë efektiv largimin e tij.
Të martën, më 23 shtator 2025, Këshilli Bashkiak i Tiranës i propozoi qeverisë, pas një seance votimi me 50 vota, shkarkimin e Veliajt. Votimi përfshinte vota nga të dy krahët politikë – socialistët dhe opozita – dhe u motivua pjesërisht nga dispozita ligjore që parashikon ndërprerjen e mandatit kur kryetari mungon për më shumë se tre muaj.
Gjatë mbledhjes pati mungesa të disa anëtarëve dhe tërheqje gjatë votimit, ndërsa Veliaj kërkoi të dëgjohej përpara votimit, por kërkesa e tij u refuzua nga shumica socialiste.
Lexo: Tirana tjetër e Erion Veliajt
Njohës të ligjit kanë argumentuar se masa e sigurisë ndaj Veliajt – i cili ndodhet në paraburgim nën akuzë për korrupsion dhe pastrim parash – e ka çuar atë në një pamundësi jo të vullnetshme për të qenë fizikisht i pranishëm gjatë votimit, një çështje që mund të debatohet më tej në Gjykatën Kushtetuese.
Prej korrikut 2024 Erion Veliaj ka qenë nën hetim nga SPAK. Në shkurt 2025 ai u arrestua nën dyshimin se paraqiste rrezik për punën hetimore. Në fillim të muajit shtator ndaj tij iu komunikua zyrtarisht akuza për përfshirje në një skemë korruptive që lidhet me leje ndërtimi dhe përfshirje të familjarëve të tij në projekte me financime të dyshimta.
Një pjesë e hetimeve është përqendruar tek bashkëshortja, Ajola Xoxa, dhe sipërmarrës që rezultojnë financues të projekteve të saj artistike.
Çfarë ndodh tani?
Tani që shkarkimi i Veliajt është botuar në Fletoren Zyrtare dhe ka hyrë zyrtarisht në fuqi, procesi kalon në një fazë institucionale me pasoja të qarta, por edhe me mjegulla ligjore dhe politike.
Sipas Nenit 115 të Kushtetutës dhe ligjit nr. 139/2015 “Për vetëqeverisjen vendore”, kur një mandat i kryebashkiaku ndërpritet para kohe, Presidenti i shpall vakancën dhe cakton datën e zgjedhjeve të pjesshme vendore, brenda një afati 45-ditor nga dita e shpalljes së vakancës.
Vetëm pas këtij akti, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mund të nisë procedurat për organizimin e zgjedhjeve.
Në të kaluarën, ka pasur precedentë ku Presidenti ka vonuar shpalljen e vakancave me arsyetimin se proceset e shkarkimit ishin të diskutueshme ose të kontestuara në gjykata.
Lexo: Kauza morale për të cilën s’po hetohet Veliaj
Raste si ai i Valdrin Pjetrit në Shkodër apo Agim Kajmakut në Vorë pas zgjedhjeve të diskutueshme vendore të vitit 2019, tregojnë se proceset e ndërprerjes së mandateve dhe organizimi i zgjedhjeve të reja kanë qenë të ndërlikuara dhe tejet të politizuara.
Në disa raste, vendimet e Presidentit janë kontestuar nga qeveria, e në raste të tjera janë lënë në heshtje nga institucionet. Në rastin e ish-Presidentit Meta madje pati edhe mocion për shkarkimin e tij.
Sipas Nenit 131 të Kushtetutës, Gjykata Kushtetuese ka kompetencën për të shqyrtuar mospajtimet për shkarkimin e kryebashkiakëve, kur këta ankimojnë vendimin që u ndërpret mandatin.
Afati për ankimim është 15 ditë nga hyrja në fuqi e vendimit, që në këtë rast është data e botimit në Fletoren Zyrtare, pra, nga 26 shtatori 2025, Veliaj ka afat deri më 11 tetor 2025 për të paraqitur ankesën në Kushtetuese.
Nëse Gjykata vendos që vendimi është i papajtueshëm me Kushtetutën, ajo mund ta shfuqizojë vendimin e qeverisë dhe ta rikthejë Veliajn në detyrë, duke përmbysur gjithë procesin.
Lexoni gjithashtu:
