Sipas një vendimi të Gjykatës së Shkallës së Parë të Durrësit, 32 familje, që banojnë në ish-kabinat e plazhit në rrugën “Albanopoli”, duhet të lirojnë shtëpitë deri më 5 tetor.
“Me mbarimin e afatit vullnetar, në rast mosveprimi […] ekzekutimi do të kryhet në mënyrë të detyrueshme,” citohet në vendimin e gjykatës dhënë më datë 18 shtator 2025.
Nexhmir Belshari, banuese prej rreth 35 vitesh në këto godina tregon për Citizens, se banorët nuk i kanë zaptuar ato, por janë strehuar sipas një vendimi të ish-Komitetit Ekzekutiv të sistemit komunist, i cili më vonë u zëvendësua në funksion nga struktura e bashkisë Durrës.
“Kemi statusin e të pastrehëve. Jemi strehuar nga shteti dhe kërkojmë zgjidhje po nga shteti,” thekson ajo për Citizens.al.
Banorët u mblodhën të hënën, përpara Bashkisë për të dytën herë, pasi më 26 shtator iu kërkua të sillnin dokumentet për statusin, pagesat ndër vite të faturave të shërbimeve drita-ujë, që vërtetojnë banimin e tyre, si dhe vetë deklarimin e sipërfaqes.
Petrit Brodhina tha se pas mbledhjes nuk i ishte ofruar asnjë zgjidhje nga bashkia, por i ishte sugjeruar që ai dhe banorët e tjerë të lënë shtëpitë brenda afatit të përcaktuar.
“Filloni dilni dhe aplikoni si të pastrehë te bashkia! Më e keqja është se na bëri dhe parapritë dhe tha kemi tre mijë veta që janë në radhë dhe s’po i strehojmë dot,” tha Brodhima, duke ju referuar fjalës që i kishte komunikuar kryetarja e Bashkisë Durrës, Emiriana Sako.
Bashkia përgjegjëse morale dhe ligjore e situatës
Avokatja Merita Dakovelli,e cila është njëkohësisht dhe banore në këto godina, shpjegoi se familjet nuk ishin në dijeni se kundër vendimit të Këshillit Bashkiak Durrës, që në vitin 2009 pati caktuar mundësinë e privatizimit të këtyre banesave në favor të banorëve, ishte hapur një proces gjyqësor nga pronari i truallit, Mikel Noçka.

Dakovelli vijon se Këshilli Bashkiak, i përfaqësuar nga Bashkia Durrës nuk ka qenë prezent në seancat gjyqësore. Sipas avokates, pronari i truallit, konkretisht familja Noçka, ka bërë kontratë privatizimi me Ministrinë e Ekonomisë, pra “këto objekte në këto moment kanë një pronësi të ndarë midis pronarit dhe Ministrisë në fjalë”.
“Nuk jemi lajmëruar kur bashkia i ka dorëzuar objektet, sepse ka një akt-dorëzimi sikur objekti është bosh, ndërkohë që ne kemi qenë aty. Bashkia duhet të ndjehet borxhlie me ne dhe nga 2013 duhet të ofronte një alternativë strehimi,” vijon Dakovelli.
Momentalisht banorët janë në disfavor, sepse ata duhet të dalin jashtë derisa çështja të shqyrtohet në Apel. Ajo shton se familjet kanë depozituar një ankim të veçantë kundër vendimit të ekzekutimit të përkohshëm për lirimin e banesave.
“Ne i kemi kërkuar bashkisë në një kërkesë, që të mos jepet leje ndërtimi në këtë periudhë dhe e dyta, nëse nuk ka alternativa të tjera, që ne të jemi qiramarrës te pronari, të paguajmë një qira sociale, deri në përfundim shqyrtimi të situatës,” përmbylli avokatja.
Kjo është situata e dytë brenda pak ditësh ku banorë të qytetit Durrësit po protestojnë përpara Bashkisë, për çështje pronësie.
Fillimisht protestat nisën nga banorët e zonës arkeologjike A, konkretisht pas Bulevardit Tregtar, të cilët nuk bien dakord me vlerën e shpronësimit, që është përcaktuar sipas qeverisë në sajë të projektit “Restaurimi dhe rikualifikimi urban i zonës perspektive TID”.
Banorët e ish-kabinave të plazhit konfirmuan për Citizens se mund të bashkohen me banorët që po kundërshtojnë projektin e rijetëzimit të zonës së kalasë për një rezistencë më të fortë, edhe pse vinë nga kontekste të ndryshme urbanistike.
Lexoni gjithashtu:

Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.