Kryetari i arrestuar i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka ankimuar sot në Gjykatën Kushtetuese vendimin e qeverisë për shkarkimin e tij, duke e cilësuar si të paligjshëm dhe antikushtetues. Ankimimi pezullon automatikisht efektet e vendimit dhe shtyn çdo proces të mundshëm zgjedhor për Bashkinë e Tiranës deri në një vendim përfundimtar të Kushtetueses.
Ky zhvillim ngadalëson planet politike të shumicës socialiste për të organizuar zgjedhje të parakohshme dhe lë në një terren të paqartë drejtimin e bashkisë së kryeqytetit.
Në kërkesën drejtuar Gjykatës Kushtetuese, Veliaj argumenton se vendimi për shkarkimin e tij, i bazuar në Nenin 62 të ligjit “Për Vetëqeverisjen Vendore”, është i pamjaftueshëm nga pikëpamja kushtetuese.
Lexo: Tirana tjetër e Erion Veliajt
Ai thekson se çdo shkarkim i një kryebashkiaku duhet të mbështetet ekskluzivisht në Nenin 115 të Kushtetutës, i cili kërkon “shkelje të rënda të Kushtetutës ose të ligjit” dhe një vendim të formës së prerë për ta legjitimuar këtë.
Sipas Veliajt mungesa e tij në detyrë prej datës 10 shkurt 2025 është rezultat i “një pamundësie objektive” – paraburgimi – dhe nuk përbën veprim të vullnetshëm që do të cilësohej si “shkelje e rëndë” sipas standardeve kushtetuese.
Kërkesa argumenton duke iu referuar vendimeve të mëparshme të Gjykatës Kushtetuese se ligjbërësit nuk mund të shtojnë kategori të reja për shkarkim përtej atyre të sanksionuara në Kushtetutë. Nëse kjo ndodh, sipas Veliajt, ligji zëvendëson Kushtetutën, duke rrënuar parimin e hierarkisë së normave dhe rendit ligjor.
Në këtë interpretim të kryebashkiakut, qeveria ka tejkaluar kompetencat e veta duke aplikuar një dispozitë ligjore që nuk ka mbështetje kushtetuese të drejtpërdrejtë. Për më tepër, Veliaj thekson se vijimësia e funksionit është garantuar përmes emërimit të nënkryetares, sipas Nenit 64 të të njëjtit ligj, dhe se nuk ka pasur vakuum institucional.
Pak orë pas ankimimit, Gjykata Kushtetuese njoftoi në regjistrin e saj elektronik për caktimin e gjyqtares Sonila Bejtja si relatore të çështjes me objekt: Shfuqizimi i vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 539, datë 25.09.2025 ‘Për shkarkimin nga detyra të Kryetarit të Bashkisë Tiranë, z. Erion Veliaj’, si i papajtueshëm me Kushtetutën.
Një kundërshtim kushtetues me pasoja të gjera
Citizens.al e ka ndjekur në vijimësi çështjen e Veliajt që gjatë ditës së arrestimit e deri në momentin kur u votua në Këshillin Bashkiak për t’i propozuar qeverisë shkarkimin e tij.
Në raportimin e mëparshëm theksuam se shkarkimi i tij erdhi pas një propozimi të mbështetur nga shumica socialiste dhe opozita, duke e bërë rastin unik në politikën shqiptare të pas viteve ’90 për një konsensus të tillë.
Lexo: Kauza morale për të cilën s’po hetohet Veliaj
Kërkesa aktuale në Kushtetuese shkon përtej fatit të Veliajt, i cili duket se përfundimisht – të paktën jo në qëndrim zyrtar – prish marrëdhëniet me Partinë Socialiste duke kundërshtuar një vendim të hapur politik të ardhur nga kryetari i saj, Edi Rama.
Nga ana tjetër, ajo shtron precedent për autonominë e pushtetit vendor, për kufizimin e ndërhyrjeve të qeverisë dhe për rolin real të Kushtetutës në mbrojtjen e mandateve të zgjedhura.
Për sa kohë që shqyrtimi në Kushtetuese do të zgjasë – potencialisht disa muaj – çdo përpjekje për të dekretuar zgjedhje të parakohshme për Bashkinë e Tiranës mbetet e pezulluar.
Kandidatura e propozuar nga Partia Socialiste, Ogerta Manastirliu, nuk mund të formalizohet në mungesë të një procesi zgjedhor. Nga ana tjetër, kjo i jep kohë opozitës të shqyrtojë dhe planifikojë më mirë kandidaturat e mundshme pasi nga ana e tyre nuk ka pasur një emër zyrtar të propozuar.
Nëse Gjykata Kushtetuese do të pranojë interpretimin e Veliajt, kjo mund të kufizojë ndjeshëm kompetencat e ekzekutivit në ndërhyrjen mbi pushtetet vendore dhe të rishkruajë një standard të ri mbi arsyet e shkarkimeve.
Në këtë kuptim, çështja nuk është më vetëm për Veliajn. Ajo është kthyer në një test për rolin e Gjykatës Kushtetuese si gardiane e rendit juridik dhe për peshën që Kushtetuta mban realisht përballë vendimeve politike.
Lexoni gjithashtu:
