Citizens.al

Jeta pranë puseve të naftës: Ana tjetër e Patos-Marinëzës

Foto-ilustrim, pamje nga Patos-Marinëza/Citizens.al

Autorë: Elira Kadriu, Entenela Ndrevataj | Citizens.al

Ndërsa kompanitë e naftës grumbullojnë fitime të majme nga zona naftëmbajtëse e Patos-Marinëzës – madje duke shmangur edhe taksat – banorët vuajnë ndotjen, sëmundjet, papunësinë dhe braktisjen nga shteti.

Në Zharrëz, përroi ku dikur laheshin fëmijët, është kthyer në grykëderdhje mbetjesh hidrokarbure. Banorët, me sytë nga mërgimi, shprehen me dëshpërim nga fakti se industria e naftës u kthye në damkë për ta.

Ata thonë se trojet, shtëpitë dhe produktet bujqësore nuk ua blen njeri nga frika se janë të kontaminuara dhe se jeta pranë puseve është një “minë me sahat” për shëndetin.

Nafta “derdhet lumë

Zona Patos-Marinëz nuk është zonë gjeografike, por një shprehje e ardhur nga industria e naftës që identifikon zonën më të madhe naftëmbajtëse në Shqipëri.

Ajo shtrihet nga qyteti Patosit deri në fshatin Marinëz në verilindje dhe përfshin fshatra të tjerë si Kuqar, Dukas, Sheqishte, Verbas, Zharrëz etj.

Kjo zonë ka rreth një shekull që shfrytëzohet për naftë, teksa gërmimet e para datojnë vitin 1918.

Gjatë diktaturës, fusha naftëmbajtëse u vu në përdorim intensiv nga ndërmarrjet shtetërore. Ndërsa pas viteve ’90, zona tërhoqi interesin e kompanive të huaja.

Sot atje operojnë dy kompani kryesore: Albpetrol, një shoqëri aksionare në pronësi të shtetit shqiptar, dhe Bankers Petroleum, në pronësi të korporatës kineze Geo-Jade Petroleum.

Por pavarësisht se kanë një nëntokë të pasur, banorët e zonës në Patos-Marinëz nuk ia kanë ndjerë ndonjëherë vlerën, përkundrazi.

Më 11 shtator, ekipi i Citizens.al, ishte në fshatin e Zharrëzës ku vizitoi disa prej banorëve dhe konstatoi gjendjen e degraduar të mjedisit.

Në përroin e fshatit kishte derdhje nafte, e cila kishte rrjedhur nga kanalet kulluese për dhjetëra metra duke shqetësuar ndjeshëm banorët aty pranë. Por, sikurse u shprehën ata, ai nuk ishte një rast i izoluar.

“Ai uji është përdorur për të larë enët, për përdorim të përditshëm. Unë vetë aty jam larë, bashkë me bashkëmoshatarët deri nga mosha 12-13 vjeç,” tregoi aktivisti lokal, Saimir Dine.

Përfaqësues të Albpetrolit mbërritën gjithashtu në terren për të inspektuar gjendjen. Citizens.al i pyeti nëse derdhjet vinin nga stacioni i tyre i naftës, rreth 400 metra larg. Por ata mohuan lidhjet dhe refuzuan të jepnin koment zyrtar.

Ndotja e përroit në Zharrëz/Citizens.al

Vizita jonë vijoi tutje. Rreth 700 metra në juglindje nga ura e përroit të Zharrëzës hasëm një pamje aspak të denjë për industrinë e naftës: një pus me cisterna dhe tuba të ndryshkura që të jepte idenë e një rrënoje të vjetër aspak funksionale. Krah tyre nga një godinë e vogël, një roje i përgjumur nga detyra pyeti se për çfarë interesoheshim.

Anë këtij pusi, në një rreze 35 metra, numëruam tetë shtëpi. Dashnor Xhepaj, banor i njërës prej tyre, tregoi i revoltuar se po mendon seriozisht të braktisë gjithçka që ka ngritur si mund i një jete dhe të emigrojë.

“E kam menduar, do të iki jashtë shtetit dhe nuk do të vij më këtu,” tha ai teksa theksoi se as fëmijët e tij, të cilët i ka në emigrim, nuk duan të vijnë në Zharrëz.

Banorët e zonës vuajnë stigmën e produkteve bujqësore, të cilat nevoja i bën që jo vetëm t’i konsumojnë për vete, por t’i kenë burim të ardhurash kryesore. Njëri prej tyre tregoi se në treg u duhet të fshehin prejardhjen e produkteve, pasi ndryshe nuk shiten.

“Kur shesin fruta e perime, fshatarët nuk thonë që janë nga Zharrëza. Askush nuk i blen nëse e mëson që janë nga këtu,” theksoi ai.

Zhvendosja e heshtur

Në një anketë të hapur nga Citizens.al, e plotësuar fizikisht dhe online nga dhjetëra banorë të Zharrëzës, rreth 91% e të intervistuarve pranuan se kanë menduar të largohen nga zona, por zhvendosja duket e pamundur financiarisht.

“Po s’i blen njeri shtëpitë, tokat, unë iki që nesër, por kush i merr ato, kush vjen këtu?!” pyet Hajdar Baha, banor i zonës pranë përroit të Zharrëzës.

Ndërkohë, Dallandyshe Muço rrëfen se mezi e rindërtoi shtëpinë pas shpërthimeve të vitit 2015. Tani, pas shpenzimeve të mëdha, zhvendosja për të është thuajse e pamundur.

“Me këto shpërthime të kanadezit (ish-zotëruesit e Bankers) s’na dhanë lekë për të bërë shtëpitë. Më ranë përdhe muret, me djersën time i kam ribërë,” tregoi ajo.

Rasti që përmendi Muço, i referohej ngjarjes së datës 1 prill 2015, kur dy puse të “Bankers” shpërthyen, duke rrezikuar jetën e shumë banorëve. Aktiviteti i kompanisë u pezullua përkohësisht.

Qeveria deklaroi se kompania ishte “100% përgjegjëse” dhe duhej të dëmshpërblinte banorët, si dhe të paraqiste plane rehabilitimi. Por si duket, ato mbetën deklarata.

Ilustrim, cisterna nafte në Patos-Marinëz/Citizens.al

Shëndeti: Kostoja e padukshme e industrisë së naftës

Në anketën e Citizens.al, 40% e të intervistuarve renditën problemet shëndetësore si sfidën më të madhe të jetesës në zonën e Zharrëzës. Rreth 60% zgjodhën opsionin “probleme të kombinuara”: ndotje akustike, ndotje mjedisore dhe pasoja shëndetësore.

“Një banor i komunitetit, sapo shkon për vizitë në klinikën e Fierit, kur thotë që është nga Zharrëza, mjekët ngrenë duart lart,” rrëfen Qani Rredhi nga “Qendra e Nismave Qytetare për Mbrojtjen e Mjedisit”.

Rredhi tregon se në vitin 2023 komuniteti i zonës vuajti një moment tragjik ku në harkun kohor të vetëm në dy muajve u regjistruan 12 humbje jete me sëmundje kanceri. Ai thotë se shkaktari kryesor i këtyre sëmundjeve është ndotja dhe “fenolët në gjak”.

“Kam shpenzuar më shumë se 10 mijë euro për shëndetin,” pohoi një nga të intervistuarit në sondazhin online të Citizens.al.

Pothuajse çdo familje në Patos-Marinëz është prekur: ose vetë nga problemet shëndetësore, ose nga kostoja financiare për të ndihmuar të afërmit. Saimir Dine përmend të vëllain, të sëmurë me astmë bronkiale.

“Ndotja ka lënë gjurmë te shëndeti i vëllait. Ai është larguar që këtu, nuk kthehet më. Sa herë vjen, e kapin sulmet,” tregon Dine.

Raftet e ilaçeve janë bërë pjesë e arredimit në çdo shtëpi të Zharrëzës dhe fshatrave të zonës Patos-Marinëz.

“Në orën pesë të mëngjesit, ndjehet era më e rëndë. Po të hapësh dyert, nuk durohet. Vetëm dhimbje koke, me paracetamol!” përshkruan gjendjen e mjedisit pranë shtëpisë së tij Hajdar Baha.

Në vitin 2023, Citizens.al raportoi rastin e Dallandryshe Poshnjarit, e cila pretendon tre aborte të ardhura si shkak i ndotjes së lartë në zonë.

Autoritetet publike nuk kryejnë monitorime për gjendjen mjedisore për shkak të mangësive dhe kufizimeve ligjore. Agjencia Kombëtare e Mjedisit i konfirmoi për Citizens.al se të dhënat e përgjithshme për gjendjen merren nga raportet vetë-monitoruese që dorëzojnë çdo tre muaj kompanitë.

Banesat pranë pusit të naftës së Albpetrol në Zharrëz/Citizens.al

Protestat dhe prapavija e dyshimtë

Më 5 shtator 2025, punonjësit e “Bankers Petroleum” dolën në protestë, duke kërkuar paga më të mira dhe kushte dinjitoze pune. Kompania është aktualisht nën hetim për evazion fiskal.

Teksa ekipi i Citizens ndodhej në terren, naftëtarët konfirmuan se kishin hyrë në bisedime për një marrëveshje, por deri në momentin e botimit të këtij shkrimi asgjë nuk ishte zyrtarizuar.

Ekspertët mjedisorë ngrenë shqetësime edhe për lidhjet mes kompanive të zonës dhe pushtetit vendor.

“Buxhetet për komunitetin ua kalojnë bashkive. Edhe ashtu ato buxhete keqpërdoren. Ne jemi këtu, i kemi parë. Në muajin e fundit të fushatës elektorale, ‘Bankers Petroleum’ asfaltuan rrugë,” thekson Qani Rredhi.

Nga viti 2004 deri në fund të vitit 2024, Bankers ka deklaruar çdo vit humbje në bilancet e paraqitura ndaj autoriteteve shqiptare. Por një hetim i Prokurorisë së Fierit ka nxjerrë në pah se kompania ka realizuar shitje dhe eksporte në vlerën mbi 532 miliardë lekë – rreth 5.3 miliardë euro.

Sipas Rredhit, banorët gjithmonë dyshonin për abuzime nga Bankers, por nuk e kishin imagjinuar përmasën e dëmit të pretenduar nga hetimet të cilat sugjerojnë se kompania shmangu tatimin mbi fitimin dhe përfitoi rimbursime të pajustifikuara të TVSH-së.

Deri tani janë lëshuar 14 masa sigurie, prej të cilave 9 janë ekzekutuar, ndërsa 5 persona – kryesisht të huaj – janë shpallur në kërkim.

Deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi, kompanitë Albpetrol dhe Bankers Petroleum nuk iu përgjigjën pyetjeve zyrtare të drejtuara nga redaksia e Citizens.al.

Të Fundit

One Response

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW