Citizens.al

IUCN kërkon që Shqipëria të rishikojë ligjin për Zonat e Mbrojtura

Peizazhi i Mbrojtur Vjosë-Nartë/PPNEA.


Një mocion i miratuar nga Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës (IUCN) ka vënë Shqipërinë në qendër të kritikave ndërkombëtare për ligjin e kontestuar që lejon ndërtime në Zona të Mbrojtura. IUCN kërkon rishikime për të mos lejuar ndërhyrjet në territore me biodiversitet të lartë.

Mocioni Nr. 130 i IUCN-së, i propozuar nga organizata shqiptare “Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri” (PPNEA) dhe i mbështetur nga 14 organizata partnere, u miratua me 98% të votave.

Drejtuesi i PPNEA, Aleksandër Trajçe, tha për Citizens.al se iniciativa u nxit nga shqetësimet për ndryshimet ligjore në Shqipëri. Sipas tij, qeveria shqiptare i ka prezantuar ndryshimet e ligjit për Zonat e Mbrotjura, si të harmonizuar me standardet e IUCN-së, por që mocioni i miratuar së fundmi e kundërshton qartazi këtë interpretim.

“Ministrja Kumbaro, asaj kohe, e propagandoi fort që ligji u ndryshua në përputhje me standardet e IUCN-së,” tregoi Trajçe, i cili theksoi se për këtë narrativë u përdor aplikimi i qeverisë për t’u bërë anëtare e IUCN-së.

“Ishte një farsë, se procesi i anëtarësimit nuk lidhet me procesin e ndryshimit të ligjit. Domethënë, anëtar mund të bëhet pothuajse kushdo nëse tregon ato parimet bazë dhe plotëson ato pikat bazë”, argumentoi Trajçe.

Edhe pse mocioni nuk ka fuqi detyruese për qeverinë shqiptare, Trajçe thotë se ka vlerë të lartë politike dhe reputacioni.

Sipas PPNEA-s, votimi ekspozon problematikat dhe e vendos Shqipërinë nën vëzhgim ndërkombëtar duke dërguar një mesazh të qartë komunitetit ndërkombëtar: ligji shqiptar bie ndesh me angazhimet për ruajtjen e natyrës.

“Nëse i vihet gishti kokës, ky presion mund të sjellë ndryshime konkrete në terma afatmesëm apo dhe afatgjatë,” shtoi Trajçe.

Mocioni i IUCN-së sfidon kështu retorikën e qeverisë shqiptare për përputhshmërinë me standardet ndërkombëtare dhe nxjerr në pah përplasjen midis zhvillimit të pakontrolluar dhe ruajtjes së natyrës.

Shembulli më konkret i kësaj përplasjeje është Peizazhi i Mbrojtur Vjosë-Nartë strehë e qindra llojeve të shpendëve, përfshirë pelikanin kaçurrel dhe flamingon. Por, në vend që të forcoheshin, mbrojtjet ligjore për këtë zonë u zhbënë për t’i hapur rrugë Aeroportit të Vlorës dhe një kompleksi masiv turistik – një precedent që sfidon çdo parim të ruajtjes së biodiversitetit.

Një mungesë reflektimi nga ana e qeverisë përballë mocionit të IUCN-së, mund të sjellë dëmtim të reputacionit të shtetit shqiptar në arenën ndërkombëtare sa i takon çështjeve të mjedisit.

Në korrik 2025, Gjykata Kushtetuese refuzoi të shfuqizojë ligjin nr. 21/2024, që ndryshoi kuadrin ligjor për Zonat e Mbrojtura. Kjo vendimmarrje rrëzoi kërkesën e një të pestës së deputetëve dhe të disa organizatave mjedisore, përfshirë AOS dhe EcoAlbania, që e konsideronin ligjin antikushtetues.

Aktivistët e kanë quajtur vendimin goditje të rëndë ndaj natyrës dhe biodiversitetit si dhe sinjal politik i dorëzimit të shtetit përballë interesave të ndërtuesve.


Lexo gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW