Citizens.al

Shembjet te “5 Maji” në SPAK: Familja Mziu kërkon drejtësi

Pamje nga Ledion Mziu gjatë shembjes së banesës/ 19 Janar, 2022

Një tjetër çështje i është ngarkuar si përgjegjësi kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj. Gjykata e Apelit ka vendosur transferimin në Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion të padisë së ngritur nga Ledion Mziu, një banor i lagjes së “5 Majit”, lidhur me prishjen me forcë të banesës së tij gjatë projektit të rindërtimit pas tërmetit.

Çështja ngre dyshime për veprat penale si “Shpërdorim detyre”, “Shkatërrim prone”, “Heqje e paligjshme e lirisë” dhe akuza të tjera, ku të përfshirë janë edhe ish-funksionarë të lartë të Bashkisë së Tiranës.

Nga rezistenca te dhuna: Historia e Ledion Mziut dhe “Muri i Turpit”

Ledion Mziun e njoha për rezistencën kundër shembjes së banesës së tij në “Njësinë nr. 4” në zonën e “5 Majit”. Më 19 janar 2022, ai u përplas fizikisht me forcat e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) dhe Forcat e Policisë “Shqiponja”, duke refuzuar të largohej nga shtëpia që i ishte caktuar për prishje.

Rreth 15 punonjës e larguan me forcë nga çatia e shtëpisë ku ishte lidhur në shenjë kundërshtie ndaj operacionit. Pamjet e asaj skene mbeten të arkivuara nga xhirimet e Citizens.al atë ditë.

Në nëntor 2021, Ledioni kishte krijuar një instalacion arti simbolik të quajtur “Muri i Turpit”, ku kronologjikisht pati renditur VKM-të dhe akt-marrëveshjet që e detyruan të dorëzonte banesën: 239 m² pronë, nga të cilat 108.7 m² ndërtim dhe pjesa tjetër truall.

Katër vite më vonë, nga emigrimi, ai kërkon drejtësi për dhunën dhe dëmin që pësoi familja e tij.

Sot, Ledioni jeton në Itali dhe punon në një servis makinash në Genova. Pavarësisht se po nxitonte për të vajtur në punë, në bisedë telefonike ndau me mua gatishmërinë për t’u kthyer dhe për të dëshmuar nëse drejtësia shqiptare do ta kërkojë.

“Nuk më takon mua të vendos kush është fajtor, por kam shpresë dhe besim te drejtësia,” theksoi ai.

Ledioni kujtoi se kallëzimi ndaj Veliajt dhe zyrtarëve të tjerë fillimisht u hodh poshtë nga SPAK, pasi në atë kohë drejtuesi Arben Kraja argumentoi se Veliaj nuk kishte firmosur personalisht dokumente, ndërsa funksionarë të tjerë si ish-drejtori i IMT-së, Mariglen Qato nuk ishte subjekt i SPAK-ut.

Dosja kaloi në Prokurorinë e Tiranës, e cila, sipas tij, nuk e hetoi për dy vjet e gjysmë.

“Prokuroria e Tiranës  nuk më njoftoi fare në vijueshmëri, ndërkohë unë insistoja gjithmonë se çfarë po bëhet me çështjen dhe sesi mund t’i ndihmoja,” theksoi Mziu në telefon.

Familja Mziu ka aktualisht dy çështje të hapura: një proces administrativ për kundërshtimin e shembjes; një kallëzim penal për përdorim force dhe shkelje të pronës, tashmë në duart e SPAK.

Ledioni thekson se banesa e tij u shemb ndërkohë që çështja ishte ende në shqyrtim në Gjykatën Administrative, duke e cilësuar ndërhyrjen si të paligjshme dhe abuzive.

“Pres që të hetohen ata që kanë bërë shkelje te banesa ime dhe te e gjithë zona e ‘5 majit’, VKM-ja 533 është e jashtëligjshme, sepse kur vendoset një zonë e re për zhvillim duhet të pyeten grupet e interesit, të cilët janë banorët, që në këtë rast nuk janë pyetur,” thekson Mziu.

Në korrik 2025, familja Mziu u sistemua në një nga godinat e reja të zonës “5 Maji”, por jo sipas vendimit gjyqësor. Ata përfituan një hapësirë prej 303 m² në vend të 462 m² që kishte përcaktuar gjykata.

“Familja jonë nuk ka firmosur ende akt-marrëveshjen me bashkinë. Edhe bonusi i qirasë nuk na u dha, sepse sipas tyre aplikuam me vonesë,” shton ai.

Zona e 5 Majit, një rast klasik i xhentrifikimit

Në parashtrimet e dorëzuara në gjykatë, Ledioni nënvizon se rindërtimi në zonën e 5 Majit nuk ka ndjekur parimin e përfshirjes së banorëve dhe qytetarëve.

“Në vend që të krijohen kushte për mirëqenie dhe strehim të banorëve të dëmtuar, janë ngritur ndërtesa shumëkatëshe që synojnë përfitim ekonomik për grupe të caktuara,” përmendet në dosjen e tij.

Projektimi i zhvillimit të lagjes “5 Maji” iu besua studios së arkitektit italian Stefano Boeri, i cili është aktualisht nën hetim nga Prokuroria e Milanos për një rrjet të dyshuar klientelist mes ndërtuesve dhe drejtuesve të administratës lokale. Ai përmendet në të paktën tre hetime për zhvillime të dyshimta urbane.

Në Tiranë, projekti i “5 Majit” shpronësoi me detyrim 222 familje. Pjesa më e madhe e banorëve u zhvendos pavarësisht se refuzuan marrëveshjet me kushtet e ofruara nga Bashkia Tiranë.

Shembjet u kryen me urgjencë në vitin 2022, por inertet nuk u pastruan nga bashkia për së paku dy vite, duke ngritur dyshime për synimin e projektit dhe përdorimin e forcës.

Ashtu si zona e Kombinatit, edhe “5 Maji” u vendos nën zhvillim me justifikimin e “interesit publik” pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. Por në praktikë, lagjet u transformuan në projekte të mëdha ndërtimi, që ndryshuan fizionominë sociale të zonave dhe rritën çmimet e banesave përreth.

Lexoni gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW