Citizens.al

Viti i ri akademik: Universiteti publik zgjedhja e parë, por privati fiton terren

Ilustrim grafik/Citizens.al

Rreth 20 mijë studentë nisën sot vitin e parë akademik, treçereku i të cilëve në universitetet publike. Ndërkohë, procesi i regjistrimit mbetet i hapur deri më 24 tetor.

Krahas entuziazmit të fillimit, të dhënat flasin për një prirje rënëse të regjistrimeve dhe sfida të vazhdueshme në sistemin e arsimit të lartë, ku universitetet publike mbeten zgjedhje e parë, por përballë tyre privatët po fitojnë terren.

Rënia e regjistrimeve: 30 mijë studentë më pak që nga viti 2016

Në vitin 2016, universitetet publike numëronin rreth 117 mijë studentë. Të dhënat e vitit 2024, tregojnë se vetëm 86,900 studentë janë të regjistruar në këto institucione.

Kjo rënie me afërsisht 30 mijë studentë përkon me rritjen e emigracionit, mungesën e perspektivës dhe krizën në tregun e punës.

Për vitin e ri akademik, rreth 20 mijë studentë kanë nisur studimet për herë të parë, por regjistrimet janë ende të hapura, duke lënë të mundur për një total disi më optimist deri më 24 tetor.

Rreth 11 mijë studentë janë regjistruar në Universitetin e Tiranës, duke përfaqësuar 60% të regjistrimeve në ciklin e parë. Por edhe ky institucion i arsimit të lartë ka pësuar rënie. Në krahasim me vitin 2016, ka 6 mijë studentë më pak.

Në nivel kombëtar, 75% e studentëve zgjedhin universitetet publike, ndërsa 25% sektorin privat – një raport që ka ndryshuar gradualisht. Nga 24 mijë studentë të regjistruar në universitete private në vitin 2016, ky numër ka arritur në 37 mijë në vitin 2024 – një rritje me rreth 54%.

“Kampuse të amortizuara dhe Karta e Studentit pa efekt”

Sipas Qëndresës Qytetare, cilësia e jetës studentore mbetet problematike. Ata e përshkruajnë situatën si një realitet të “3D”, më shumë si dëshirë përballë dëshpërimit dhe distancës nga cilësia.

“Kampuset universitare janë ende ‘3D’, ndërsa realiteti është shumë më i zymtë, me një pjesë të godinave që vazhdojnë të jenë të amortizuara, me mungesë hapësirash dhe infrastrukture bazike për jetën studentore,” u tha në një reagim të tyre, ku u theksua mungesa e infrastrukturës bazike, si mensat apo karta e studentit, e cila aktualisht, sipas Qëndresës Qytetare “shërben vetëm për abone transporti”.

Organizata thekson se në një dekadë ka pasur rënie me 34% të numrit të të diplomuarve, duke reflektuar krizën e cilësisë, motivimit dhe mungesën e politikave mbështetëse për studentët

Regjistrimet në rrethe dhe mesazhet e institucioneve

Në Universitetin e Vlorës janë regjistruar deri më tani 850 studentë të rinj, me totalin që ka arritur në 4,500 studentë, një rritje prej 15% krahasuar me vitin e kaluar.

Ndërkohë, në Universitetin e Durrësit, ku i pranishëm në hapje ishte edhe Presidenti i Republikës Bajram Begaj, janë regjistruar 1,900 maturantë, me një rritje prej 5% krahasuar me vitin e kaluar.

“Dija nuk është thjesht informacion, por mjet që bën diferencën. Studioni për të ardhmen tuaj dhe kontribuoni për zhvillimin e Shqipërisë,” u shpreh Presidenti.

Degët si mjekësia, stomatologjia, farmacia, arkitektura dhe IT-ja janë plotësuar në Universitetin Politeknik të Tiranës dhe në Akademitë e Ministrive të Mbrojtjes dhe Rendit.

Procesi i regjistrimeve vijon me raundin e dytë që mbyllet më 8 tetor dhe raundin e tretë nga 13 deri më 24 tetori.

Lexoni gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW