Citizens.al

Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja trondit sistemin e drejtësisë

Gjyqtari Astrit Kalaja/Citizens.al

Astrit Kalaja, gjyqtar i Gjykatës së Apelit në Tiranë, humbi jetën të hënën pas një sulmi me armë në sallën e gjyqit. Autori i dyshuar, Elvis Shkambi dhe xhaxhai i tij Gjon Shkambi – palë në një çështje pronësie që po gjykohej nga Kalaja – u arrestuan pas ngjarjes.

Bashkë me ta u arrestua dhe roja i sigurisë së gjykatës teksa dy persona të tjerë u plagosën gjatë sulmit.

Autoritetet po hetojnë motivet e plota të autorit, i cili dyshohet se veproi për hakmarrje teksa vendimi gjyqësor u dha kundër familjes Shkambi.

Ngjarja tronditi opinionin publik duke ngritur alarmin për sigurinë e magjistratëve dhe punonjësve të drejtësisë.

Trupat gjyqësore dhe ato të prokurorisë, të të gjitha niveleve, e kanë përshkruar vrasjen si “goditje ndaj shtetit të së drejtës” dhe “kërcënim serioz ndaj pavarësisë së sistemit”. Qëndrim të ngjashëm mbajti dhe prezenca e Bashkimit Evropian, teksa politika shmangu përgjegjësinë.

Drejtësia, reagime në solidaritet dhe alarm

Institucionet kryesore të drejtësisë reaguan ashpër ndaj vrasjes së gjyqtarit Kalaja. Në një deklaratë të përbashkët, trupa gjyqësore e Gjykatës së Apelit shprehu “dhimbje, por dhe vendosmëri për të mos u trembur”, duke theksuar se “drejtësia do të vazhdojë të shërbejë me dinjitet dhe paanshmëri”.

Në një reagim ku dënoi ngjarjen, Prokurori i Përgjithshëm njoftoi se i kishte kërkuar Prokurorisë së Tiranës, të kryejë hetim të shpejtë dhe të plotë të ngjarjes në bashkëpunim me policinë. Por çështja po hetohet edhe nga Prokuroria e Posaçme SPAK, e cila ka marrë në shqyrtim procedurat e ndjekura për masat e sigurisë.

Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ), i mbledhur posaçërisht pas ngjarjes, e cilësoi vrasjen “sulm ndaj themeleve të shtetit të së drejtës” dhe theksoi se “pavarësia dhe siguria e gjyqtarëve janë gurë themeli në funksionimin e drejtësisë”.

Avokati i Popullit shkoi më tej, duke e përshkruar ngjarjen si “një nga më të paprecedentat në historinë e drejtësisë shqiptare”. Në reagim u theksua se mungesa e sigurisë, ngarkesa e tepruar dhe kultura e mosrespektit ndaj gjykatave kanë krijuar një terren ku drejtësia “ushtrohet nën frikë”.

Gjykata e Lartë e cilësoi “sinjal alarmi për gjendjen e sigurisë dhe të infrastrukturës së gjykatave shqiptare”. Në deklaratën e saj, ajo paralajmëroi se “çdo formë denigrimi apo përbuzjeje ndaj figurës së gjyqtarit cenon autoritetin e drejtësisë dhe besimin publik në shtetin ligjor”.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD) çmoi gjithashtu si të rëndësishme sigurinë për të garantuar sistemin. ILD apeloi që çdo instancë shtetërore “të angazhohet për të garantuar paprekshmërinë e çdo përfaqësuesi që ushtron detyrën në emër të ligjit”.

Edhe Gjykata Kushtetuese e quajti vrasjen “sulm ndaj parimeve të drejtësisë dhe shtetit të së drejtës”, duke kërkuar veprime të menjëhershme për mbrojtjen fizike e institucionale të gjyqtarëve.

Ndërkohë, Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) e quajti vrasjen e gjyqtarit Kalaja “kërcënim serioz ndaj pavarësisë së gjyqësorit dhe besimit qytetar në drejtësi”. Ajo kërkoi që siguria e magjistratëve të shihet si “domosdoshmëri për funksionimin normal të sistemit demokratik”.

Qeveria dhe opozita: Retorikë me mungesë përgjegjësie

Reagimet nga qeveria dhe opozita, edhe pse të forta në ton, kanë ndjekur një model të njohur tashmë të komunikimit pas krizave, ku deklaratat mbeten në nivel simbolik në rrjetet sociale, ndërsa përgjegjësia institucionale mungon.

Presidenti Bajram Begaj dhe Kryeministri Edi Rama e dënuan aktin si “sulm ndaj drejtësisë”, ngjashëm dhe Ministri i Drejtësisë Besfort Lamallari apo dhe Ministrja e Brendshme Albana Koçiu.

Por, në thelb, asnjë prej reagimeve nuk adresoi përgjegjësinë konkrete për dështimin e mekanizmave të sigurisë brenda ambienteve të gjykatave.

Kryeministri Rama ia atribuoi problemin “zgjedhjes mes policish private në emër të pavarësisë së gjyqësorit”, duke zhvendosur barrën e përgjegjësisë tek vetë sistemi i drejtësisë.

Ministrat Lamallari dhe Kociu përsëritën të njëjtin “refren”, duke përjashtuar kompetencat e policisë “për kontrollin e hyrje-daljeve në gjykata”, dhe duke theksuar nevojën për “rishikim të sistemit të sigurisë së gjykatave”. Në asnjë prej reagimeve qeveritare nuk u përmend përgjegjësia konkrete e qeverisë për standardet e sigurisë në godinat publike.

Nga ana tjetër, forca kryesore e opozitës, e drejtuar nga Sali Berisha, e lexoi ngjarjen si provë të “kontrollit të rendit nga krimi” dhe si simptomë të “pasigurisë që sundon në vend”, por pa shpjeguar asnjë masë konkrete që do të kërkonte ndryshe.

Më kritike u shfaqën forcat e reja politike, si Lëvizja Bashkë dhe Lëvizja Shqipëria Bëhet, të cilat kërkuan përgjegjësi institucionale dhe i lidhën ngjarjet e dhunshme me klimën politike që ka nxitur fyerjet dhe delegjitimimin publik të gjyqtarëve nga vetë Kryeministri.

Në këtë mori reagimesh, u dëgjua shumë për “forcën e ligjit” dhe “vijat e kuqe”, por pak për arsyet pse shteti dështoi të mbrojë një gjyqtar brenda një salle gjyqi. Kjo reflekton thellë mungesën e kulturës së përgjegjësisë.

Gjyqtari Astrit Kalaja kishte një karrierë të gjatë në sistemin e drejtësisë. Ai qe emëruar fillimisht në Gjykatën e Shkodrës në vitin 1993 ku pas vitit 2004 pati ushtruar detyrën e gjyqtarit të Apelit për rreth dhjetë vite. Pas vitit 2023 qe transferuar në Apelin e Tiranës teksa kishte kaluar me sukses vetingun.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW