Gjykata Administrative e Apelit shtyu për më 22 tetor vendimin mbi padinë e banorëve të Zall-Gjoçajt ndaj projekteve të dy hidrocentraleve (HEC) në lumin Flim dhe Urakë. Prej pesë vitesh banorët kërkojnë rrëzimin e lejeve për HEC-et “Sekë” dhe “Zajs”, të cilat shtrihen në zonë të mbrojtur.
Për seancën e sotme ishin të pranishëm banorët, avokati i tyre Franc Terihati, dhe përfaqësues të kompanisë “Seka Hydropower”. Por ajo u shty për arsye procedurale, pasi përfaqësuesja e ministrisë së Mjedisit nuk ishte pajisur me autorizimin e nevojshëm pas ndarjes së ministrisë nga ministria e Turizmit në strukturën e re qeverisëse.
“Në kushtet kur përfaqësuesja nuk ishte pajisur me autorizim, seanca u shty që vendimi i kalimit procedural t’i njoftohet Ministrisë së Mjedisit, e cila konsiderohet që ishte në mungesë”, shpjegoi për Citizens.al avokati i banorëve, Terihati.
Një betejë gjyqësore që zgjat prej pesë vitesh
Padia në Apel kundërshton një vendim të vitit 2020, në të cilin Gjykata e Shkallës së Parë rrëzoi kërkesat e banorëve për të ndalur ndërtimet në Parkun Kombëtar “Lurë-Mali i Dejës”.
Ndërkohë që komuniteti lokal i pati kundërshtuar projektet me protesta që prej vitit 2018.
Çështja aktuale kërkon pavlefshmërinë e deklaratës mjedisore, lejes së ndërtimit, lejes së përdorimit të ujërave si dhe shfuqizimin e urdhrit të ish-Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit që zvogëloi fondin pyjor të zonës me rreth 6180 m2 si dhe shkresat e AKZM-së që i dhanë dritën jeshile zhvillimit të projekteve.
Argumenti qendror i banorëve të Zall-Gjoçajt është se sipas ligjit nr.81/2017 për Zonat e Mbrojtura nuk lejohet ndërtimi i impianteve të tilla në zona të kategorisë “II” të nivelit të mbrojtjes.
Prandaj, si palë të paditura, përveç kompanisë “Seka Hydropower”, janë dhe institucionet sikurse: Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Këshilli i Basenit Ujor Mat, Këshilli Kombëtar i Territorit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe Bashkia Mat.
Në vitin 2018, Zall-Gjoçaj u bashkua me Lurën për të formuar një nga parqet Kombëtare më të mëdha në Shqipëri. Por në janar 2022, qeveria rishikoi kufijtë dhe e hoqi nga ky park zonën ku tashmë është ngritur diga e HEC-it “Zajs”.
Ky ndryshim ligjor, i bërë në mes të konfliktit gjyqësor, u cilësua nga banorët si tentativë për të legjitimuar shkeljen. Më herët, në shkurt 2020 banorët e Matit kishin kërkuar zhvendosjen e hidrocentraleve jashtë zonës së mbrojtur dhe për këtë ngritën një padi të dytë.
Kronologjia e ndjekjes së çështjes në rrugë ligjore:
- Nëntor 2019 – Gjykata Administrative e Shkallës së Parë rrëzoi kërkesën për ndalimin e punimeve.
- Qershor 2020 – Gjykata Administrative rrëzoi padinë për ndalimin e HEC-eve.
- Janar 2021 – Gjykata anuloi licencën e dhënë nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE) për HEC-in “Zajs” brenda Parkut Kombëtar Zall-Gjoçaj.
- Janar 2021 – Gjykata rrëzoi padinë kundër institucioneve që dhanë lejet.
- Qershor 2021 – Banorët protestuan përpara Gjykatës Administrative të Apelit duke kërkuar që ajo ta marrë në shqyrtim apelin e tyre.
- Nëntor 2021 – Apeli lë në fuqi vendimin për anulimin e licencës së ERE-s ndaj HEC-it “Zajs”.
- Shkurt 2022 – ERE zbaton vendimin dhe i heq licencën HEC-it “Zajs”.
- Nëntor 2022 – Gjykata e Lartë konfirmon përfundimisht heqjen e licencës kompanisë “Seka Hydropower” për një nga HEC-et.
Në pritje të një vendimi përfundimtar, për të cilin banorët e zonës së Zall-Gjoçajt shpresojnë datën 22 tetor, rasti i tyre shihet si një test i radhës për drejtësinë shqiptare sa i përket çështjeve mjedisore.
Lexo gjithashtu:
- Pas katër vitesh, gjykata e Apelit vendos për rishqyrtim çështjen Zall – Gjoçaj
- “Nisni hetimet”, banorët e Zall Gjoçaj i kërkuan Prokurorisë të shqyrtojë çështjen e hidrocentraleve
- Gjykata Kushtetuese legjitimon ndryshimet e ligjit për “Zonat e Mbrojtura”
- “Zonat e Mbrojtura, një tragjedi shqiptare”
- IUCN kërkon që Shqipëria të rishikojë ligjin për Zonat e Mbrojtura

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).