Prej javësh projektligji për “Barazinë gjinore” është përcjellë në mënyrë keqkuptuese në media dhe rrjetet sociale me spekulimet rreth ndryshimit të gjinive në Shqipëri, duke bërë që shumë elementë të këtij projektligji të mbeten në hije.
Citizens i rikthehet këtij projektligji duke u munduar të sjellë në vëmendje disa pika që mundohet të adresojë ai.
Projektligji njeh punën e papaguar. Kjo s’do të thotë që burri do të duhet ta paguajë gruan për të larë enët, apo për të bërë punët e shtëpisë.
Për shembull nëse në një zonë të caktuar nuk ka kopshte apo çerdhe, automatikisht rritet puna e papaguar, sepse gratë do kenë tendencën të qëndrojnë në shtëpi për përkujdesjen e të vegjëlve.
Projektligji synon të adresoj këtë problem dhe të nxis debatin për më shumë shërbime publike për të mos e vendosur gjithë peshën mbi gratë.
Një tjetër hallkë në shqyrtim në projektligj është diskriminimi në sektorin privat.
Deri më sot, në Shqipëri barazia gjinore kërkohej vetëm në institucionet publike. Por me projektligjin e propozuar ajo shtrihet edhe në kompanitë private.
Kështu bordet e kompanive s’do të mund të jenë ekskluzivisht “klube burrash”, por për këtë do të ketë një kuotë përfaqësimi gjinor, sigurisht, duke respektuar meritokracinë.
Sipas propozimeve në ligjin për barazinë gjinore, punëdhënësit do të detyrohen të kenë rregullore për ndalimin e ngacmimeve seksuale, dhunës dhe diskriminimit.
Kështu në sektorin privat do të ngrihen mekanizma për mbrojtjen nga ngacmimet, duke informuar punonjësit dhe duke marrë masa disiplinore kur ndodhin shkelje.
E dini kush e mban aktualisht barrën e provës në një rast diskriminimi? Viktima. Çka do të thotë, se nëse një anëtar i komunitetit rom diskriminohet në një garën pune, ai po ajo duhet të jap shpjegime, ndërsa tashmë me propozimet e reja, shpjegimet duhet ti jap punëdhënësi.
Ndër efektet e tjera që priten nga propozimet janë barazia në vendimmarrje.
Aktualisht ka një kuotë përfaqësimi 30% në politikë, e cila herë zbatohet herë jo. Projektligji kërkon rritje progresive të kësaj kuote deri në barazi të plotë brenda 10 viteve të ardhshme. Kjo do të prekë partitë politike, këshillat bashkiakë, por jo vetëm.
Element tjetër në projektligj është vlerësim i ndikimit gjinor në çdo ligj. Nëse miratohen propozimet e paraqitura, çdo projektligj i ri do të duhet të ketë vlerësim të ndikimit gjinor.
Për shembull: Një ligj për bujqësinë? Duhet të tregojë çfarë efekti do të ketë tek gratë në zonat rurale. I ndihmon, apo i përjashton?
Kështu, projektligji për barazinë gjinore nuk i ndryshon gjinitë, por ai ndryshon strukturat e pushtetit dhe përgjegjësisë.
Ndoshta dhe kjo është arsyeja kryesore se përse ka kaq shumë zhurmë rreth tij, prandaj njohja më në thellësi e projektligjit sjell dhe një qasje më të drejtë ndaj diskutimeve mbi të.
Lexoni gjithashtu:

Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.