Citizens.al

Gjykata Kushtetuese pezullon zgjedhjet për Bashkinë Tiranë

Ilustrim grafik Gjykata Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese vendosi të pezullojë sot përkohësisht zgjedhjet e pjesshme për Bashkinë Tiranë, të dekretuara nga Presidenti Bajram Begaj për t’u zhvilluar më 9 nëntor. Vendimi u mor pasi u pranua për shqyrtim ankimi i kryebashkiakut të arrestuar, Erion Veliaj, lidhur me ligjshmërinë e shkarkimit të tij.

Ervina Qendro, përgjegjëse për marrëdhëniet me publikun në Gjykatën Kushtetuese, njoftoi mediat se gjykata ka caktuar datën 31 tetor për seancën me Veliajn, e cila do të jetë publike. Për rrjedhojë të këtij zhvillimi është vendosur të pezullohet dekreti i Presidentit Begaj.

Dekreti në fjalë caktonte datën 9 nëntor për zgjedhjet e pjesshme edhe për pesë bashkitë e tjera Vlorë, Berat, Mat, Tepelenë dhe Cërrik.

Konflikt institucional dhe mosmarrëveshje për kompetencat

Vendimi i Presidentit që dekretoi zgjedhjet dhe për Tiranën është kundërshtuar nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, i cili të mërkurën, kërkoi nisjen e procedurës për shkarkimin e Presidentit Begaj, duke e konsideruar dekretin antikushtetues.

Presidenca e ka justifikuar aktin duke deklaruar se Gjykata Kushtetuese nuk ka kompetencë për të shqyrtuar vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e Veliajt dhe se ankimi i këtij të fundit duhej të ishte paraqitur në Gjykatën Administrative.

Megjithatë, juristë të kontaktuar më herët nga Citizens.al janë shprehur se Presidenti ka shkelur pikën 3 të nenin 115 të Kushtetutës, i cili përcakton qartë se:

“Në rastin e mos ushtrimit të së drejtës së ankimit brenda 15 ditëve, ose në rastin e lënies në fuqi të vendimit nga Gjykata Kushtetuese, Presidenti cakton datën e zgjedhjeve.”

Pra, për sa kohë që vendimi për shkarkimin nuk është bërë përfundimtar nga Kushtetuesja, dekretimi i zgjedhjeve është i parakohshëm.

Pavarësisht pezullimit të përkohshëm, katër kandidatë janë prezantuar publikisht për të vijuar mandatin drejtues të Bashkisë së Tiranës (2023-2027):

  • Ogerta Manastirliu – Partisë Socialiste.
  • Florian Binaj – i Pavarur, mbështetur nga e Partia Demokratike, Mundësia, Shqipëria Bëhet.
  • Arlind Qorri – Lëvizja Bashkë.
  • Marko Dajti – Fronti i Majtë.

Publikisht në media janë përfolur edhe emra të tjerë si Edlira Çepani, Florian Haçkaj, Ermal Hasimja. Por me zhvillimet aktuale, Anuela Ristani, duket se do të vijojë të ushtrojë detyrën si kryetare e përkohshme e bashkisë.

Nëse Gjykata Kushtetuese do të vendosë më 31 tetor ta njohë shkarkimin e Veliajt, zgjedhjet për Tiranën mund të zhvillohen më 9 nëntor, siç parashikon dekreti. Në të kundërt, procesi do të shtyhet deri në një vendim të ri presidencial, me pasoja të mundshme politike dhe ligjore për institucionet përfshirë.

Më 23 shtator 2025, Këshilli Bashkiak i Tiranës propozoi shkarkimin e Veliajt, me 50 vota pro, pas një seance ku ai nuk ishte i pranishëm për shkak të arrestimit. Vendimi u konsiderua i diskutueshëm, pasi kryetari nuk pati mundësi të shprehej.

Pak ditë më vonë, Veliaj e ankimoi çështjen në Kushtetuese, e cila automatikisht pezulloi shkarkimin deri në një vendim përfundimtar.

Çështja politike ndaj Veliajt vjen një muaj pasi SPAK e dërgoi çështjen e tij në gjykatë, duke e akuzuar zyrtarisht për ndërtimin e një skeme korruptive me përfitues kryesor rrethin e tij familjar dhe një grup të zgjedhur biznesmenësh pranë tij.

Siç ka raportuar më parë Citizens.al, hetimi i SPAK përfshiu kryesisht bashkëshorten e Veliajt, Ajola Xoxa, të cilës iu gjurmuan kontrata, biznese, blerje dhe ndërtime me financime të dyshimta.

Një prej këtyre rasteve ishte edhe projekti i një rruge të hapur posaçërisht për t’i shtuar vlerën ndërtimit të një pallati në pronësi të familjes Xoxa, një investigim i publikuar më 10 prill nga Citizens.al.

Lexoni gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW