Citizens.al

Onkologjiku: KLSH ekspozon mungesa në barna, staf dhe pajisje

Ilustrim grafik/Citizens.al

Sëmundjet tumorale janë ndër tre shkaqet kryesore të vdekshmërisë në Shqipëri. Por përballë kësaj statistike shqetësuese, pacientët me kancer përballen me mungesë barnash, pajisjesh dhe stafi mjekësor.

Një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), zbulon se sistemi publik i trajtimit të sëmundjeve kancerogjene është në kolaps. Nga barna të skaduara, te aparatura që nuk punojnë dhe mungesë protokollesh klinike, raporti hedh dritë mbi një krizë që zgjat prej vitesh.

Trajtimi i kancerit në Shqipëri: Emergjencë e nënvlerësuar

Në pesë vitet e fundit, sipas INSTAT, sëmundjet tumorale mbajnë vendin e tretë për nga shkaktimi i vdekjeve. Por, raporti i fundit i KLSH-së dëshmon se shteti nuk garanton as minimumin e shërbimeve të nevojshme për pacientët “me sëmundje të këqija”.

KLSH e ka cilësuar këtë situatë “thyerje të kontratës shoqërore mes shtetit dhe qytetarëve të tij”, duke kërkuar ndërhyrje urgjente dhe masa konkrete për të rikthyer dinjitetin e trajtimit.

Ndër problemet kryesore që konstaton raporti janë: mungesa e barnave dhe barnat e skaduara, protokollet e trajtimeve mjekësore të papërditësuara, sistemi teknik i degraduar, pajisje që nuk punojnë, apo që mungojnë, spitali pa kondicionim, dhomat me lagështirë, të papërshtatshme për trajtim dhe të pamjaftueshme për të mbuluar të gjitha kërkesat.

KLSH thotë se kjo gjendje “ka ndikuar potencialisht negativisht në cilësinë e trajtimeve të pacientëve” ndërsa “pajisjet teknike të sektorit nuk janë mirëmbajtur apo kalibruar që nga momenti i inventarizimit të tyre”.

Në statistika, sipas KLSH-së rezulton se rreth 46% e listës së barnave antitumorale të autorizuara për tregtim në Shqipëri, (116 nga 253 barna gjithsej) nuk janë importuar asnjëherë në periudhën 2021-2025.

Ndërkohë, raporti flet për vonesa të pajustifikuara në furnizime nga importuesit farmaceutikë në 49 raste me rreth 49 milionë lekë (rreth 500,000 euro) penalitete të paaplikuara.

Mungesa e barnave bazë për kimioterapi prek barna si “Actinomycin D”, që rezulton të jetë siguruar vetëm me donacione, teksa barna si “Ifosfamide” apo dhe “Methotrexate” kishin rezultuar të skaduara, por që mbaheshin ende në sistemin e depove farmaceutike të spitaleve.

Për 39 barna antitumorale nuk kishte kontrata me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor në vitin 2024. Përveç këtyre, sipas raportit të KLSH-së, procedura aktuale për tregtimin e barnave antitumorale është e gjatë dhe joefikase.

“Procesi aktual krijon vakum rregullator dhe kufizon fleksibilitetin operativ të Agjencisë Kombetare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekesore, duke ndikuar negativisht në furnizimin në kohë të barnave në treg dhe duke rritur rrezikun për pacientët në nevojë emergjente për trajtim,” thekson raporti.

Po ashtu problematike është parë edhe dublikimi i recetave gjatë ditës, mungesa e shënimeve të plota dhe të sakta, shkarkimet e gabuara të barnave në pacientë të tjerë etj.

“Mungesa e barnave e kombinuar me mangësitë në shpërndarje në shërbimet spitalore […] krijon një situatë me risk të lartë për sistemin shëndetësor dhe për pacientët që marrin trajtim në këto struktura”, citon më tej raporti.

Institucionet shëndetësore nuk zbatuan rekomandimet e KLSH-së

Raporti i botuar së fundmi është një rikthim pas rreth dy vitesh i KLSH-së në auditimin e trajtimeve të sëmundjeve tumorale në sistemin publik. Në vitin 2023 kontrolli kishte lënë rekomandime, prej të cilave, thuajse treçereku i tyre nuk ishin zbatuar plotësisht.

“Janë zbatuar 33% e tyre, pjesërisht 42% , në proces zbatimi 8% dhe të pazbatuara 17% tyre”, thuhet në raport.

Sipas auditimit në Spitalin Onkologjik, të Qendrës Spitalore Universitare Nënë Tereza, vihet re se shpenzimet financiare për trajtimin e sëmundjeve tumorale nuk janë rritur edhe pse numri i pacientëve të diagnostikuar me këto sëmundje ka qenë vazhdimisht në rritje.

Po ashtu raporti nxjerr në dukje se ka mungesë të stafit të burimeve njerëzore, gjë e cila çon në radhë e ditë të gjata pritjesh për pacientët “duke ulur efektivitetin e shërbimit dhe duke shtuar kostot financiare të pacientëve dhe familjarëve”.

Shërbimi që jepet në spital, mes të tjerash është i cunguar edhe në logjistikë përveçse dhe në hapësira. Spitali Onkologjik ka vetëm 19 poltrona për mbi 75 pacientë në ditë që vijnë nga i gjithë vendi.

Raporti konstaton se pajisja e brakiterapisë nuk funksionoi për një periudhë të gjatë, duke lënë pa trajtim 600 gra. Aparatura të tjera si Ortovoltazhi dhe pajisjet për radioterapi nuk janë vënë në punë për mungesë ambientesh duke bërë që rreth 200 pacientë me melanomë të mos trajtohen.

Ndërkohë 250 pacientë të tjerë thuhet se nuk kanë marrë trajtim për shkak të mungesës së materialeve ndihmëse si tubusa, pompa dhe maska termo-plastike.

Në raport theksohet se në këtë spital ka probleme higjienike teksa mungon sistemi i kondicionimit dhe dhomat e pacientëve të katit të tretë kanë lagështirë.

“Kati nëntokë i godinës është jo funksional, i cili aktualisht shërben si vend grumbullimi për pajisjet e amortizuara. Niveli i papastërtisë në katin nëntokë është mjaft i lartë dhe përbën risk potencial për infektime.”

Ndër të tjera raporti thotë se Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtes Sociale me QSUNT-në nuk raportojnë të dhëna të njëjta për rastet me kancer.

“Të dhënat për mortalitetin përpunohen nga Instituti i Statistikave dhe nuk integrohen në Regjistrin Kombëtar të Kancerit në administrim të Institutit të Shëndetit Publik, duke mos dhënë raportime reale mbi prevalencën e sëmundjes dhe të mortalitetit”.

Në spitalet rajonale të marra në auditim sikurse atë të Durrësit, Fierit, Vlorës, Shkodrës, Elbasanit, Korçës dhe Beratit nuk thuhet se nuk ka kapacitete të plota me burime njerëzore (mjekë onkologë), shtretër të dedikuar, pajisje dhe materiale mjekësore.

Kështu në vend të një trajtimi me dinjitet, pacientët me kancer në Shqipëri duket se po luftojnë në një front të dyfishtë: në njërën anë me sëmundjen dhe në anën tjetër me sistemin shëndetësor që nuk u përgjigjet.

Lexo gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW