Prej 30 vitesh, ish-punonjësit e minierave kërkojnë miratimin e “statusit të minatorit”, por politika i ka mënjanuar. Peticione të shumta të nisura prej tyre janë arkivuar. Premtimet mbeten, ndërsa jetët e tyre vijojnë me të njëjtat vështirësi.
Të enjten, më 9 tetor, një grup ish-minatorësh, të mbështetur nga Lëvizja Bashkë dhe deputeti Redi Muçi, u mblodhën sërish para Parlamentit, teksa pjesa kryesore e deputetëve hynë në seancë duke i shpërfillur.
“Punuam gjithë jetën, prapë bosh e kemi kuletën!”
Teksa roja e sigurisë i hapi makinën, ish-Kryeministri Sali Berisha, sërish deputet dhe drejtues i Partisë Demokratike, i drejtoi dy gishtat lart në mënyrë automatike ish-minatorëve, të cilët ishin pozicionuar në hyrje të institucionit.
Mes replikave dhe thirrjeve “Ik, largohu!” dhe disa të tjerëve të cilët i rikujtonin statusin, ish-Kryeministri u ktheu kurrizin turmës, ashtu siç në të vërtetë ka vepruar ish-qeveria e tij dhe qeveria aktuale ndaj këtij grupimi ndër vite.
Ndër pankartat që mbanin në duar ish-punonjësit e nëntokës lexohej: “Punuam gjithë jetën, prapë bosh e kemi kuletën!”, “Statusi i minatorit premtim elektoral që prej 1991”, apo “Boll u tallët me ish-minatorët”.
“Kam këputur kolonën në minierë, në moshën 22 vjeç. Që atëherë nuk kam marrë kokërr leku, dëmshpërblim të aksidentit. Ku është ky shtet? Ku është ky parlament?” tha në protestën e sotme përpara Kuvendit, Ali Plaka, Kryetari i Shoqatës së Invalidëve Para dhe Tetraplegjikë.
Më shumë se tre mijë minatorë kërkojnë statusin prej dekadash, pasi një mbrojtje e tillë ligjore do t’u siguronte atyre më shumë përkrahje sociale, siguri në punë, rritje pagash, pensionesh dhe përkujdesje shëndetësore.
Përveç dëmtimeve në punë, të pakompensuara, jetesa e ish-minatorëve është vështirësuar më tej me inflacionin dhe rritjen e ndjeshme të kostos së jetesës.
“Turp i botës, të marri deputeti 4 mijë euro dhe një minator dhe pensionist të marri më pak nga të gjithë, që ata kanë punuar nën sipërfaqe, apo në fabrikë” tha ish-minatori Ymer Kadiolli.
Premtime boshe dhe peticione të fjetura
Protestat e ish-minatorëve nisën fillimisht të vetë-organizuara me pak anëtarë, diku gjashtë-shtatë persona, më pas u strukturuan në formë të organizuar dhe që prej tetorit të 2023, ata paraqiten herë pas herë përpara institucioneve kryesisht me mbështetjen e Lëvizjes Bashkë.
Në dhjetor të vitit 2020, Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës i dorëzoi Kuvendit një peticion me 10,680 firma për këtë çështje, por katër vite më vonë nuk ka asnjë përgjigje.
Premtimet janë përsëritur ndër vite. Në vitin 2009, Kryeministri aktual Edi Rama, asokohe në opozitë, pati premtuar disa herë miratimin e tij. Por edhe pse tashmë drejton vendin prej vitit 2013, ky premtim mbetet i parealizuar.
Në 2018, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, deklaroi se një draft ishte gati, por ai nuk u prezantua kurrë. Në të njëjtin vit, Rama e premtoi sërish gjatë një takimi me minatorë, por sërish, asgjë nuk ndryshoi.
Më herët, në vitin 2017, ish-deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim në qarkun e Dibrës, Përparim Spahiu, kishte paraqitur një propozim të ngjashëm me ata të minatorëve, por që shumica socialiste e rrëzoi me pretendimin se dëmtonte skemën e pensioneve.

Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.