Bashkimi i studiove të udhëhequra nga arkitekti danez Bjarke Ingels u zgjodh të dielën për të hartuar masterplanin që do të transformojë një pjesë të kodrave të Petrelës në të ashtuquajturin “Park i Besimit”.
Por, si shumë nisma të fundit të qeverisë, edhe kjo ndërhyrje u shty përpara pa transparencë dhe pa qëllime të qarta zhvillimi. Ndërkohë, një pjesë e projektit i mbivendoset Zonës së Mbrojtur të Përsqopit, një nga sitet më të rëndësishme të trashëgimisë ilire në Shqipëri.
Përzgjedhja u bë pas një konkursi të thirrur që në mars nga Korporata e Investimeve Shqiptare (KISH) dhe Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit (AKPT). Tridhjetë studio paraqitën koncepte, 12 prej të cilave u kualifikuan për në fazën e dytë dhe u prezantuan këtë fundjavë.
Projekti që mori besimin e jurisë, ishte ai i ekipit të kryesuar nga Bjarke Ingels në bashkëpunim me SON Engineering & Construction, Future City, Edoardo Tresoldi, Arton Poro, Systematica, Zyhdi Teqja, RWDI Anemos dhe Imam Gazmend Aga.
Juria përbëhej nga 13 anëtarë, mes tyre, vetë kryeministri Edi Rama, si dhe përfaqësueset e institucioneve organizuese Adelajda Roka (AZHT) dhe Elira Kokona (KISH). Në juri u përfshi edhe kuratorja Anneke Abhelakh, që përfaqësoi Shqipërinë në Bienalen e Arkitekturës së Venecias 2025.
Ngjashëm me konkurset e tjera të KISH, grupi fitues dhe katër finalistët u vlerësuan me një total prej 200,000 euro shpërblim.
Projekt i ri me ide të vjetër
Koncepti për “Parkun e Besimit” nuk është i ri. Në mandatin e parë të qeverisë Rama, kështu u quajt konkursi ndërkombëtar që u zhvillua në periudhën tetor-nëntor 2015.
Konkursi, i cili parashikonte ndërtimin e një mozaiku me parqe, kryesisht përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, u fitua nga studioja holandeze UNLAB. Koncepti i tyre e kthente Piramidën në ambasadë të kulturës evropiane me zyra dhe hapësira për evente publike të gërshetuara këto me shumllojshmëri gjelbërimi.

Por projekti i tyre nuk u zbatua kurrë. Në vend të tij, qeveria dhe Bashkia Tiranë i zhvendosën prioritetet dhe Piramida iu dha holandezëve të tjerë të MVRDV-së, studio e cila e ktheu ndërtesën në një hapësirë me koncept krejt tjetër, duke zbehur tërësisht idenë e mëparshme.
Koncepti i parkut sot, pra dhjetë vite më vonë, sipas ekipit të Bjarke Ingels që fitoi konkursin, shtrihet në një sipërfaqe prej 21 hektarë kodra të Petrelës pranë luginës së Erzenit. Zona përfytyrohet si hapësirë që bashkon në një vend simbolet e pesë besimeve fetare në Shqipëri.
Projekti synon të krijojë shtigje tematike që pasqyrojnë elementë nga shkrimet e shenjta, nga objektet e kultit deri te bimët me domethënie fetare, ndërsa të gjitha rrugët do të bashkohen te një “Muze Kujtese”, kushtuar viktimave të persekutimit fetar gjatë diktaturës.
Brenda parkut pritet të ndërtohen 100 objekte të përshkruara si “streha mikpritëse”, apo dhe hapësira për evente deri në 500 persona, si dhe restorante që do të ofrojnë gatime tradicionale të çdo komuniteti fetar.
Projekti parashikon gjithashtu banjo termale dhe zona ekologjike, duke synuar të presë rreth 30 mijë vizitorë në vit. Në prezantimin e projektit fitues, kryeministri Rama e cilësoi nismën “krenari kombëtare” dhe tha se “të tilla parqe duhet të ketë më shumë se një në vend”.

Në Shqipëri, Bjarke është i njohur për projektin e Teatrit të ri Kombëtar dhe kullat Pixel Tower (në qendër, Fusha shpk) dhe Gateway Tower (te terminali i autobusëve, Pajtoni Group). Përvoja e projekteve të tij nuk është aq miqësore me publiken.
Rikthimi i “Parkut të Besimit”, por në një zonë jashtë kryeqytetit, në kodrat e Petrelës, ngre pyetje për qëllimin e kësaj qasjeje urbane. Nëse vërtetë synohet forcimi i identitetit kulturor dhe fetar i vendit, si u përzgjodh ky sit, a e përfaqësojnë vërtetë këtë qëllim kodrat e Petrelës? Pse jo kodrat e Krujës, për shembull, Laçit, Beratit etj.
Sigurisht, argumentet mund të ishin të shumta, por kriteret përjashtuese të zonave të tjera nuk kanë qenë të qarta në thirrjen e KISH-it. Njësoj nuk kanë qenë të qarta garancitë për zonat e mbrojtura dhe që trualli nuk do të përdoret për qëllime tregtare.
Në këtë pikë, Petrela është zonë e lakmuar për investime rezidenciale duke qenë pranë zonave të zhvilluara masivisht me projekte të tilla si perimetri Mjull-Bathore-Lundër-Mullet.
Ana e errët e idesë së parkut
KISH, që udhëhoqi procesin e zhvillimit të 21 hektarëve në kodrat e Petrelës, është bërë një nga mjetet më të fuqishme të qeverisë për të administruar dhe zhvilluar prona publike përmes partneriteteve me privatin.
Deri më sot KISH ka hapur 16 thirrje, një pjesë të së cilave Citizens.al i ka trajtaur gjerësisht me artikuj dhe analiza.
Në shumicën e thirrjeve, në shmangie të kontrollit dhe llogaridhënies parlamentare, ka pasur mungesë transparence mbi mënyrën e vlerësimit dhe vendimmarrjes për dhënien në përdorim të pasurive shtetërore në rrezik përvetësimi nga privati.

Ngjashëm duket se po ndodh edhe me rastin e “Parkut të Besimit”. Kështu, pas sportit – ku çdo stadium i qyteteve të mëdha shqiptare pritet të jetë me kulla – qeveria duket se po kthen edhe “anën shpirtërore” në incentivë për projekte zhvillimi, projekte që ushqejnë kryesisht portofolet e arkistarëve.
Pa diskutime publike, apo konsultime me komunitetin lokal KISH ka përfshirë në sitin e parkut të propozuar edhe tetë parcela toke private me një sipërfaqe 4.5 hektarë.
Sigurisht, pronarët mund të shpronësohen, apo dhe të dëmshpërblehen nga kufizimi i mundësisë së zhvillimit. Por formula që ka përdorur deri më tani KISH – partneriteti me privatin – nuk i siguron banorët se askush tjetër nuk do të përfitojë nga pronat e tyre në të ardhmen nga masterplani që do të punojë bashkimi i studiove të drejtuara nga Bjarke Ingels.
Por shqetësimi më serioz lidhet me ndikimin mbi trashëgiminë arkeologjike.
Dokumentet e konkursit pranojnë se një pjesë e territorit të propozuar mbivendoset me Zonën e Mbrojtur të Mureve Antike dhe Varrit të Përsqopit, një nga sitet më të rëndësishme ilire në Shqipëri.
Në këtë hapësirë ndodhen rrënojat e qytetit antik të Përsqopit (Brysaka), një vendbanim i shekullit IV p.K., që sipas arkeologut Neritan Ceka, ka qenë rezidencë e mbretit ilir Glauk dhe vendstrehim i diskutueshëm i Pirros së Epirit në fëmijëri.

Përsqopi përmban mure ciklopike disa metra të larta, një varr monumental, rrënoja banesash dhe një sistem antik furnizimi me ujë – një kompleks arkeologjik i rrallë që, sipas ekspertëve, kërkon mbrojtje të rreptë nga çdo ndërhyrje masive ndërtimore apo turistike.
Megjithatë, ruajtja e sitit u la në dorë të vetë pjesëmarrësve të konkursit, pa asnjë protokoll ligjor detyrues për mbrojtjen e trashëgimisë. Një qasje e tillë rrezikon ta kthejë arkeologjinë në element dekorativ të një projekti urban, duke e rrezikuar ta minimizojë nën pretekstin e “harmonisë ndërfetare”.
Në mungesë të transparencës mbi financimin, pronësinë dhe garancitë ligjore, “Parku i Besimit” mbetet më shumë një narrativë estetike sesa një projekt i besueshëm zhvillimi. Fundja, ideja e 10 viteve më parë u harrua në letër. Gjasat janë të ndodhë e njëjta gjë dhe me versionin e dytë.
Por, përballë precedentëve të tjerë – ku hapësira të ndryshme publike janë kthyer zona ndërtimi me përfitues privatët – projekti i Petrelës e lë të hapur edhe të njëjtin përfundim. Në këtë kontekst, në diskutim për të ardhmen do të jetë sa prej këtij parku do t’i përkasë publikut dhe sa do t’i shërbejë një tjetër cikli zhvillimi urban pa llogaridhënie?
Lexoni gjithashtu:
- “Urat për Shqipërinë 2030”: Projekte reale apo “3D elektorale”?
- Këshilli Bashkiak i hap rrugë “rijetëzimit” të Pallatit të Kongreseve
- Rijetëzimi i “Asllan Rusit” për sport apo kulla?

Erblin Vukaj ka përfunduar studimet për “Shkenca Komunikimi” e më tej është mjeshtëruar (MSc) për “Gazetari Evropiane dhe Ndërkombëtare” në Universitetin e Tiranës. Prej vitit 2012 Vukaj punon si gazetar profesionist duke fituar përvojë në media online, shtyp të shkruar, radio dhe televizion. Ai ka mbuluar çështjet të ndryshme si aktualiteti, shëndetësia, mjedisi dhe sporti. Paralelisht, ka drejtuar dhe është përfshirë në disa projekte hulumtimi mbi të shkuarën komuniste në Shqipëri.