Prej një jave, rreth 70 punonjës së minierës së bakrit në Spaç të Mirditës kanë bojkotuar punën dhe janë në protestë për kushtet e punës.
Minatorët thonë se janë në grevë të përgjithshme sipas të gjitha rregullave, duke venë në dijeni kompaninë dhe institucionet, ndërsa paralajmërojnë se do të kalojnë në greve urie nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen.
Ata i kanë paraqitur kompanisë koncensionare turke “Tete Albania Tunnel & Mining”, që menaxhon minierën në Spaç, një listë kërkesash që përfshin rritje pagash me 15-20% dhe njohjen e sindikatës së re të krijuar prej tyre në gusht 2025.
Sipas minatorëve, prej vitesh pagat kanë mbetur të pandryshuara, ndërsa çmimi i bakrit në tregjet ndërkombëtare është trefishuar, duke rritur fitimet e kompanisë. Por pikënisja e protestës duket të ketë qenë fakti se kompania nuk u ka njohur sindikatën dhe nuk ka miratuar kontratë të re kolektive.
Albert Bushpreni është minator i larguar rishtazi nga puna, pas thuajse tre vitesh që punonte në këtë minierë. Largimi i tij, sipas punëtorëve, vjen për shkak të organizimit në sindikatë.
“Vinim re që punëtorët thoshin shpesh që mos na kërkoni të bëjmë më shumë, se kaq na japin, s’kemi sindikatë të na mbrojë. Aty nga lëvizja e punëtorëve, lindi ideja për t’u organizuar në sindikatë që njihet me ligj”, u shpreh Bushpreni për Citizens.al.
Më 16 gusht 2025, Sindikata e Minatorëve të Minierës Spaç (SMMS) mori formë, nën ombrellën e Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë.
Sipas Albert Bushprenit, kompania turke u njoftua zyrtarisht dhe iu kërkua një takim me qëllim që të njihej me përfaqësinë e sindiatës dhe të lidhej një kontratë kolektive. Por ai thotë se njoftimet “ranë në vesh të shurdhët”.
“Nuk kthyen përgjigje, tejkaluan të gjitha afatet, duke menduar se mund t’i intimidojnë punëtorët tek e tek dhe përfundimisht pastaj, përmes përgjegjësit të minierës që është koleg i yni, na çojnë fjalë si kryesi e sindikatës që të shkonim në një takim”, tregoi Bushpreni.
Në takimin e organizuar, sipas minatorit Bushpreni, përfaqësues të kompanisë u shprehën se kjo nismë për të krijuar sindikatën ishte konsideruar si “prerje në besë”, edhe pse e drejta për t’u organizuar në sindikatë është e drejtë ligjore.
Më 7 tetor, përmes një zarfi minatori Bushpreni njoftohet se është larguar nga puna. Preteksti i largimit nga puna sipas tij ishte një incident, duke shkaktuar gërvishtjen e një punëtori, për të cilin si përgjegjës i turnit kishte ndjekur procedurat, duke e dërguar në spital. Mirëpo, sipas tij nuk kishte plotësuar formularin sipas rregullores.
“Këtu ka formularë të posaçëm që janë për raste aksidentesh qoftë për mjetet, qoftë për njerëzit. E kam njoftuar përgjegjësin dhe i them që nuk kam formular për ta plotësuar. E rregullojmë nesër tha. Të nesërmen na mori në mbledhje, kastile nuk ma ofruan brenda 24 orëshit formularin për ta plotësuar”, shpjegoi Bushpreni.
Sipas tij, largimi i tij nga puna ishte thjesht një indicie për organizimin në protesta, pasi problematikat janë ato që realisht kanë shtyrë për të organizuar protestën me minatorët.
“Ne kemi punuar edhe në kushte jo-normale. Nëse një ventilator fiket për efekt energjie, aty krijohet tym, gazra. Ka pasur raste që tjetri është dëmtuar, dhe jo në krye të detyrës së vet, në kontratë është përcaktuar se punonjësi nuk duhet të punojë jashtë asaj që është kontraktuar”, shprehet Alberti.
Mes të tjerash, pagat mbeten një tjetër shqetësim për minatorët.
“Unë si përgjegjës turni marr 4,850 lekë të vjetra në ditë. Imagjino të tjerët që janë poshtë meje. Me gjithë respektin për fshesaxhiun, por edhe një fshesaxhi i bashkisë i merr kaq lekë. Punon punëtori i nëntokës me 30 mijë lek të vjetra në ditë. Nuk të vjen një punëtor për të bërë një kovë llaç, jo më në minierë”, theksoi Bushpreni për Citizens.al.
Ai deklaroi se kompania është në dijeni të situatës, por nuk është marrë asnjë masë përpos ankesave.
“Unë e di që si kam të gjitha kushtet thonë, por do ti plotësojmë. Po sot, po nesër, jeta e njeriut njëherë jepet”.
Sipas Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë, janë marrë të gjitha masat ligjore për të garantuar zhvillimin normal të protestës në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Ndërsa është venë në dijeni Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, Inspektorati Shtetëror i Punës, Komisariati i Policisë, pushteti vendor dhe AKSEM.
Sipas minatorëve të premten pati një takim ndërmjetësues nga Zyra Rajonale e Ndërmjetësimit dhe Pajtimit, por nuk është arritur asgjë konkrete që t’i japë zgjidhje situatës.
Protesta e minatorëve përshkallëzoi të hënën në përplasje me policinë, ku dy prej tyre u shoqëruan më pas në stacionin e policisë.
“Tete Albania Tunnel & Mining Sh.a” është një kompani turke me fushë veprimi në industrinë minerare, e regjistruar në 2019, me administrator shtetasin turk Eyup Batal.

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).