Citizens.al

Ndalimi i monopatinave elektrike ndez debat për sigurinë dhe të drejtën për lëvizje

Foto ilustruese/Citizens.al

Ashtu sikurse ishte njoftuar, mëngjesi i së hënës nisi me operacionin policor për ndalimin e monopatinave elektrike në Tiranë dhe qytete të tjera. Në disa rrugë kryesore të kryeqytetit, patrullat e policisë ndaluan përdorues monopatinash, duke i lajmëruar për ndalimin e përkohshëm të qarkullimit dhe duke u sekuestruar mjetet.

Masat pasojnë urdhrin e ministres së Brendshme, Albana Koçiu, të dhënë përmes rrjeteve sociale të dielën, e cila njoftoi se qarkullimi i monopatinave elektrike do të ndalej “deri në hartimin e një rregulloreje të posaçme për përdorimin e tyre në rrugë publike”.

“U kërkoj qytetarëve që përkohësisht të mos përdorin monopatina elektrike, dhe bizneseve që të mos investojnë në këtë aktivitet deri në rregullim të situatës,” tha Koçiu në prani të Drejtorit i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Sipas policisë, ndalimi u vendos pas një analize të rrezikut në qarkullim.

“Vetëm gjatë vitit 2024 janë raportuar 991 aksidente me monopatina, mes tyre edhe me pasoja fatale,” deklaroi drejtori Ilir Proda.

Vitet e fundit, monopatinat janë bërë mjete popullore për të lëvizur në Tiranë. Ato duken zgjidhje alternative përballë trafikut të rënduar dhe transportit të pasigurt publik.

Por ndalimi i tyre ka nxitur debat: ndërsa autoritetet e mbrojnë si masë sigurie, qytetarë dhe aktivistë e shohin si ndërhyrje të nxituar që cenon të drejtën e lëvizjes.

“Problemi s’janë monopatinat, por menaxhimi qarkullimit”

Për Artur Sulçen, ekspert i sigurisë rrugore, problemi nuk qëndron te monopatinat, por te mungesa e menaxhimit dhe planifikimit të trafikut në tërësi. Ai thotë se autoritetet nuk punojnë në zgjidhjen e problemeve, përkundrazi.

“Këtu kujtohen për problemet vetëm kur ndodh ndonjë aksident. Monopatinat janë mjete rrugore dhe duhen trajtuar si të tilla, njësoj si biçikletat”, tha ai për Citizens.al.

Sulçe sugjeron që qytetet të kenë plane integruese për mjetet e lehta, me korsi të dedikuara dhe rregulla të qarta, jo ndalime të menjëhershme.

“Unaza e Mesme ka bërë tashmë korsi për autobusët dhe emergjencat, aty mund të lëvizin pa penguar njeri. Por në vend që të rregullohet trafiku, zhvendosim problemet nga pika A në B, e nga B në C, pa zgjidhje afatgjata”, vijoi Sulçe.

Për Gëzim Hoxhën, tjetër ekspert të sigurisë rrugore, kjo ndërhyrje e policisë ishte nismë e nevojshme për të parandaluar aksidentet, mirëpo po zbatohet në mënyrë të mangët.

“Nismë e mirë, por e nxituar dhe e vonuar. E mirë sepse kërkon të parandalojë aksidentet, por është e vonuar se duhej bërë më herët dhe e nxituar sepse po bëhet pa bazë të plotë ligjore”, u shpreh Hoxha.

Sipas tij, shumë monopatina kalojnë kufirin teknik prej 25 km/orë, duke u futur në kategorinë e mjeteve motorike që kërkojnë patentë dhe siguracion.

“Ka monopatina që arrijnë 60 km/orë, ndërkohë që Kodi Rrugor i kategorizon si motorë të vegjël. Nëse e kalon 25 km/orë, s’je më biçikletë elektrike, je motor. Dhe për motor ka rregulla të tjera: patentë, siguracion, kontroll teknik. Problemi është që policia vepron, por ministria nuk ka bërë detyrën për të përcaktuar qartë klasifikimin”, vijoi Hoxha teksa theksoi se ndalimi duhet të bazohet në vendime të studiuara dhe jo me policë.

Mes sigurisë dhe të drejtës për lëvizje

Për aktivistin Migen Qiraxhi ndalimi i përdoruesve të monopatinës është akt autoritar ndaj qytetarëve.

“Është ironike që në një vend që e shpall veten pionier të teknologjisë dhe inovacionit, ndalon një mjet inovativ si monopatina. Duket sikur ministrja e teknologjisë s’mund të rregullojë as këtë aspekt bazik të mobilitetit urban”, u shpreh Qiraxhi për Citizens.al.

Qiraxhi thekson se monopatinat janë përdorur kryesisht nga persona me të ardhura të ulëta, që nuk kanë mundësi për të përdorur automjete private apo taksi çdo ditë. Ai shprehet se vendimi u mor pa konsultim publik dhe pa paralajmërim.

“Kjo është mënyrë autoritariste për të qeverisur qytetin, jo mënyrë demokratike për të zgjidhur probleme urbane,” shtoi ai, duke propozuar rregulla konkrete: kufizim moshe, detyrim për kokore, regjistrim dhe sigurim minimal.

Organizata “Drejtësi Sociale” e konsideroi një shkelje të hapur të të drejtave të qytetarëve. Sipas saj, urdhri u mor në ditë pushimi dhe nuk ka hyrë ende në fuqi ligjërisht.

“Në procesverbalët e kontrollit nuk përmendet fare urdhri, por thuhet se mjetet po bllokohen për ‘mungesë dokumentacioni pronësie’. Një truk burokratik që përdoret për të fshehur paligjshmërinë e veprimeve dhe për të mashtruar qytetarët”, u shpreh organizata.

Sipas saj, ky aksion është i paligjshëm në parim.

“Një shtet që funksionon me lajme në media në vend të ligjeve, dhe me hile në vend të rregullave, nuk mund të pretendojë se mbron rendin e as sigurinë e qytetarëve. Përkundrazi, e minon atë çdo ditë me veprimet dhe mosveprimet e tij”, përfundoi organizata “Drejtësi Sociale”.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW