Banorët e lagjes së vjetër të Kalasë në Durrës e zhvendosën sot protestën kundër projektit të rijetëzimit urban të zonës së tyre nga autoritetet lokale te zyrat e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) në Tiranë, e cila është palë zhvilluese e projektit.
Mbi 70 familjeve u është kërkuar të shpronësohen për t’i hapur rrugë modelit të investimeve të integruara transformuese, njohur me akronimin TID. Por ata nuk janë dakord me vlerësimin që u është bërë pronave dhe pretendojnë se projekti e shkatërron zonën historike.
Grupit të banorëve që kanë shtëpi mbi 100-vjeçare u takon të kompensohen me çmime të papërditësuara të referencës. Sipas një vendimi të qeverisë, botuar në Fletoren Zyrtare, çmimi i referencës së pronave të tyre është i vitit 2015.
Projekti “Restaurimi dhe rikualifikimi urban i zonës perspektive TID”, financuar nga qeveria, Bashkia e Durrësit dhe AADF, parashikon shembjen e një pjese të lagjes së vjetër për t’i hapur rrugë “rijetëzimit turistik”.
Banorët kanë paditur në Gjykatën Administrative Ministrinë e Kulturës dhe Bashkinë e Durrësit, duke kërkuar pezullimin e projektit. Paralelisht, ata thanë se kanë dorëzuar një kallëzim në SPAK, që përfshin tre studio projektimi, bashkinë dhe AADF-në.
“E kemi kërkuar përgjegjësinë në çdo institucion, por AADF është bërë pjesë e këtij projekti korruptiv duke e financuar pa kontrolluar çfarë ndodh në terren,” pretendoi Entela Spahivogli, banore e zonës.
Krahas vlerësimeve të ulëta banorët kundërshtojnë edhe shkatërrimin e trashëgimisë kulturore.
“Turistët vijnë për shtëpitë e vjetra, jo për sheshe. Gjelbërimet i pati Durrësi, por i betonizuan. Tani duhet të prishen shtëpi, duhet t’i heqësh njerëzit, t’i nxjerrësh në rrugë,” vijoi Rita Kazazi, një banore tjetër.
Sipas Fatmir Zotajt, tjetër banor, shifrat e projektit janë disproporcionale duke ngritur dyshimin për abuzime me fondet.
“Për kompensimin e 74 familjeve janë parashikuar 3.1 milionë dollarë, ndërsa vetëm për lyerjen e fasadave 6.7 milionë. Kjo është një padrejtësi e hapur,” tha ai për Citizens.al.
Në një koment për Citizens.al fondacioni shpjegoi se kontributi i AADF-së për projektin e Amfiteatrit të Durrësit “përfaqëson një dhurim për qytetin dhe komunitetin lokal”, si pjesë e angazhimit për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore.
“AADF nuk ka asnjë rol apo përgjegjësi në lidhje me procedurat e shpronësimeve, përcaktimin e vlerës së kompensimit për pronat, apo çdo proces tjetër që lidhet me çështjen e pronave në zonën e projektit” citohet në përgjigjen për Citizens.al.
AADF përmbylli se këto çështje janë kompetencë ekskluzive e institucioneve qëndrore dhe lokale të shtetit shqiptar.
Ndërkohë, Agjencia Shtetërore për Shpronësimet (ASHSH) sqaroi gjithashtu për Citizens.al se roli i saj është vetëm si zbatuese e procedurave ligjore, ndërsa përgjegjësia për projektin dhe zonën i takon bashkisë dhe qeverisë.
Çfarë dihet deri më tani?
Vendimi për shpronësimet u publikua në Fletoren Zyrtare më 26 gusht 2025, me një fond total prej rreth 315.5 milionë lekësh (3.2 milionë euro) – shumë më e ulët se ajo që kërkonte fillimisht Bashkia (4.8 milionë euro).
Projekti është pjesë e planit TID, miratuar në vitin 2021, i lidhur me nismën pas tërmetit të vitit 2019 për rindërtim dhe zhvillim urban.
AADF dhe Ministria e Kulturës kishin parashikuar shpronësimet që në planin 2021-2028, por procesi është zvarritur dhe po zbatohet pa qartësi publike.
Vlerësimi i pronave mbështetet në VKM-të e viteve 2000 dhe 2015, që nuk pasqyrojnë realitetin aktual të tregut, duke ulur ndjeshëm dëmshpërblimin për banorët e Kalasë.
Në raportime të mëparshme, Citizens.al solli rastet e disa banorëve, shtëpitë e të cilëve nga autoritetet publike vlerësoheshin 60-100 mijë euro ndërkohë që nga vlerësues privatë të pasurive vlera e tyre në treg është së paku dy herë më e lartë.
Lexoni gjithashtu:
- Banorët e Durrësit kundërshtojnë shpronësimet për projektin TID
- Durrës, 32 familje në ish-kabinat e plazhit rrezikojnë të mbeten pa strehë

Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.