Citizens.al

Menaxhimi i mbetjeve dështoi. Le të rinisim nga e para!

Ky është fakt. Mund ta quajmë si të duam, por situata kërkon një përgjigje dhe koha ka ardhur. Në Kuvend po diskutohet projektligji i ri i mbetjeve. Projektligji i jep fund monopolit të Sharrës, kompania e së cilës është vënë nën sekuestro; krahas tij, edhe komitetit famëkeq, i ashtuquajturi “Komiteti i Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve”, i cili shërbeu për shpalljen e emergjencave mjedisore që ndihmuan kryerjen e procedurave të mbyllura të prokurimeve publike, të cilat transferuan miliona euro të taksapaguesve në favor të koncensionarëve privatë. Këta të fundit, ministri Koka e të tjerë autorë, ndodhen në burg, ose në arrati. Por tani mesazhi i qeverisë është i qartë: jemi në prag të një reforme të re për mbetjet, pak përpara futjes së vendit në Bashkimin Evropian.

Në të vërtetë, nuk ka ndryshuar asgjë. Shqetësimet janë të njëjta: niveli i riciklimit është jashtëzakonisht i ulët; mbetjet groposen të patrajtuara; rikuperimi nuk ekziston, një pjesë e dokumenteve të planifikimit të mbetjeve, ende nuk janë hartuar; sistemi informacionit dhe kontrolli i sasisë së mbetjeve mungon, shumica e vend depozitimeve nuk kanë leje mjedisore, ndërkohë që mbi 200 vend depozitime mbetjesh ilegale, të shpërndara në të gjithë territorin e vendit, kërcënojnë shëndetin e qytetarëve, peizazhin, turizmin dhe ekonominë kombëtare. Shkurt, 35 vjet nga falimentimi i Shqipërisë Socialiste, vendi nuk po arrin akoma që të menaxhojë mbetjet urbane.

Si përherë, propozimi për një të ardhme, shërben edhe për të mbuluar të shkuarën e dështuar përpara opinionit publik. Kumbaro, Klosi dhe Koka, tre ministrat e fundit të  mjedisit janë larguar. Sofjan Jaupaj është ministri i ri, i vetë deklaruar si autor i projektligjit të mbetjeve. Por Jaupaj po tregohet i tërhequr qysh në fillim, duke ndaluar importin e mbetjeve. Argumenti i tij është disi naiv, pasi, sipas tij, të ashtuquajturat mbetje nga importi konsiderohen lëndë e parë dytësore (secondary raw material), por jo mbetje, kësisoj janë përjashtuar nga ky projektligj. Në thelb, pavarësisht nga gjuha (terminologjia), lënda e parë dytësore është produkt mbetjesh dhe trajtimi i mëtejshëm i saj kontribuon në reduktimin e mbetjeve të ardhshme, në uljen  e emetimeve dhe të kostove të biznesit, biznes i cili në një tjetër kontekst (me miratimin e ligjit “Për zbatimin e përgjegjësive të zgjeruara të prodhuesit”) do të këtë nevojë për të. Njëkohësisht, projektligji parashikon “për herë të parë konceptin e ekonomisë qarkulluese”, një  sistem i cili riciklon dhe redukton prodhimin e mbetjeve, i promovuar në përputhje të plotë me përkufizimin e ekonomisë qarkulluese në databazën e legjislacionit të Bashkimit Evropian, EUR-LEX. Por Jaupaj ka frikë nga dobësia e agjencive vendase ligjzbatuese të kontrollit dhe të inspektimit. Kjo tregon se edhe rendja pas “ekonomisë qarkulluese” nuk është e sinqertë. Nëse tregohemi mjaftueshëm seriozë, mund të gjykojmë se ndodhemi përpara një rreziku të ri i cili mund të na dërgojë drejt një dështimi të përsëritur: dobësimi industrisë së riciklimit shkakton rënien e riciklimit të mbetjeve. Në anën tjetër, ndalimi ka gëzuar disa pak “aktivistë” të shoqërisë civile të cilët ruajnë të njëjtin qëndrim të dhjetë viteve të shkuara për të ndaluar importin e mbetjeve, duke i besuar më shumë  shtetit, sesa iniciativës së lirë.

Po çfarë do të bëjë më mirë ligji i ri? Ashtu siç Rama deklaroi në shtator, riciklimi dhe rikuperimi i mbetjeve, së bashku më landfillet nuk do të jenë përgjegjësi e bashkive. Ky kalim pritet të thellohet (qartësohet) pas miratimit të draftit, me daljen e akteve nënligjore. Kjo mund t’i çlirojë bashkitë nga ankthi i trajtimit të mbetjeve, një dështim kronik i tyre, por, njëkohësisht, mund t’i privojë edhe nga një shumë e konsiderueshme të ardhurash që mund të sigurohen prej riciklimit. Këtej e tutje barra e riciklimit dhe e trajtimit fundor, i takon qeverisë. Se çfarë eficence do të ketë ky sistem hibrid menaxhimi, vështirë se mund të parashikohet qysh tani. Aktualisht vendi riciklon rreth 15% të totalit (rreth 800,000 kg gjithsej, kur grumbullohen deri në 98% të tyre). Është e besueshme se volumi i riciklimit do të rritet, por për këtë do të paguajmë që të gjithë; pra, përveç rezidentëve të një bashkie, edhe shtetasit e tjerë të Republikës. Është disi shqetësuese, pasi parimi “ndotësi paguan” shkelet, pa e kuptuar se deri në ç’pikë…

Bashkitë nuk kanë para të mjaftueshme për të menaxhuar mbetjet. Prioritet ka qenë politika elektorale e tarifave të ulëta për rezidentët. Por qeveria i ka përfshirë në skemën e transfertave të pakushtëzuara, duke plotësuar diferencën. Në këtë pikë kemi mbetur ku ishim, me të vetmin ndryshim: tani paratë do të menaxhohen nga Agjencia Kombëtare e Ekonomisë së Mbetjeve (AKEM), përmes Operatorit Kombëtar të Trajtimit të Mbetjeve. Shumë shpejt, menjëherë pas miratimit të projektligjit, agjencia pritet që të shndërrohet në një kompani shtetërore. Bashkitë kërkuan që të jenë aksionerë në të. Kjo u bë e qartë gjatë dëgjesave në Kuvend, por ministria nuk premtoi asgjë. Se ç ‘formë mund të ketë Operatori Kombëtar, do të shihet pak më vonë. Por përgjegjësia e tij për ndërtimin e infrastrukturës së mbetjeve mund të çojë, pashmangshmërisht, në bashkëpunimin me një mekanizëm të jashtëm (outsource). Një qeveri e cila edhe një instalacionin artistik, apo një muze, ua kalon kompanive të huaja, nuk lë vend për dyshime se këtë radhë do të veprohet ndryshe.

Për momentin, ajo ka vetëm një qëllim: miratimin e draftit dhe të ngritjes së infrastrukturës së mbetjeve. Sidoqoftë, kjo e fundit, mund të ishte ngritur edhe me ligjin e vjetër. Por dështuan. Tani s’na mbetet tjetër, veçse, sikurse historia na ka treguar: të shfrytëzojnë dështimin për të mësuar.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW