Në Ditën Ndërkombëtare të Shkopit të Bardhë, qeveria publikoi një video promovuese ku zëvendësministrja Ina Majko përcillte mesazhin: “Drita nuk është vetëm në sy, por edhe në zemër.” Por jashtë kësaj përmbajtjeje, realiteti është ndryshe.
Para Pallatit të Kongreseve, dhjetëra persona me aftësi të kufizuar në shikim u mblodhën me qëllim për të sjellë në vëmendje nevojën për një jetë të pavarur dhe me dinjitet.
Me ndihmën e shkopinjve të bardhë, dhe familjarëve apo shoqëruesve, ata marshuan drejt Bashkisë së Tiranës për të përcjellë mesazhin e tyre: “Nuk jemi të verbër ndaj të drejtave tona”, kjo përballë një sistemi që “i sheh” vetëm një herë në vit – në fushata apo video zyrtare.
Fëllanxë Kamberi, e cila prej moshës 6-vjeçare ka vuajtur shikim të pjesshëm dhe së fundmi e ka humbur plotësisht atë, marshoi e shoqëruar nga vajza e saj e mitur. Ajo thotë se pagesa mujore është qesharake dhe nuk mbulon nevojat minimale.
“Nuk është e mjaftueshme, sepse për kempin që marrim ne, 5 mijë lekë të vjetra në ditë. S’kemi asgjë, as ndihma asgjë, vetëm një kemp qesharak që s’na del as për mjekimet tona,” tregoi Fëllanxa për Citizens.al.
Ajo shton se transporti publik nuk njeh librezën e invaliditetit, duke e bërë lëvizjen e lirë një luks për ta. Edhe Marsona Taçe, e punësuar në qendrën kulturore të fëmijëve në Kavajë ndan të njëjtin realitet.
“Premtime ka shumë, por nuk bëhet asgjë,” tha ajo teksa i ishte bashkuar marshimit.
Marsona thekson se shumë të rinj të verbër mbeten pa punë, edhe pse janë të arsimuar e të aftë për profesione të ndryshme.
Aktualisht një person me aftësi të kufizuara në shikim, i cili ka një kujdestar, merr rreth 32,000 lekë në muaj. Ndërsa ata që janë pa kujdestarë marrin rreth 16,000 lekë në muaj.
“Këto nuk dalin për të marrë shoqërues, apo për të marrë dikë që të të ndihmojë, të hypësh në taksi, apo të marrësh mjet transporti, pavarësia këtu te ne është e cunguar,” vijoi Marsona.
Jonit Ferhati, President i Shoqatës së të Verbërve të Shqipërisë, e konsideroi 15 tetorin “simbol të dinjitetit të mohuar”. Ai kërkoi rikthimin e shërbimeve për komunitetin, të ndërprera prej më shumë se një dekade.
“Duhet të ringrihen shërbimet pasi ndihmojnë në përmirësimin e jetës së pavarur, ndihmojnë në përmirësimin e nxënësve apo studentëve në shkolla, pasi në këtë lloj forme, mungesa e shërbimeve sjell vështirësi dhe në krijimin e një lloj autonomie për individët e verbër,” theksoi Ferhati.
Ai më pas kujton një fakt të trishtë: godina e rehabilitimit të personave të verbër, e ndërtuar sipas standardeve evropiane, mbetet jashtë funksionit për mungesë financimi nga autoritetet dhe për këtë po mendojnë që ta nxjerrin në shitje.
“Ka 114 shtretër dhe mbi 20 klasa, por nuk është vënë në punë për shkak të mosfinancimit nga qeveria për shërbimet,” deklaroi Ferhati.
Gazmir Dani, një tjetër pjesëmarrës në marshim, tregoi se që prej periudhës 2009-2010 pagesat nuk janë rritur veçse për indeksime minimale.
“Vetëm 2-3% në vit, ndërsa çmimet janë shumëfishuar, pra është e pamjaftueshme,” tha ai.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në Shqipëri janë 14,945 persona me probleme apo humbje të plotë të shikimit dhe 3,814 kujdestarë.
Por pas këtyre shifrave fshihet një realitet i rëndë: mungesë infrastrukture, shërbimesh, arsimimi dhe akses në punësim.
Lexo gjithashtu:
- Asistentët personalë: Shpresë për jetë të pavarur për personat me aftësi të kufizuara
- “Ndjesa nuk mjafton”: Personat me aftësi të kufizuar kërkojnë prioritet nga politika
- Personat me aftësi të kufizuar luftojnë për akses në shërbime shëndetësor

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).