Dhjetëra qytetarë dhe aktivistë u mblodhën sot përpara Komisariatit të Policisë Rrugore në Tiranë për të kërkuar kthimin e mono-patinave dhe motorëve elektrikë të konfiskuar nga policia gjatë kësaj jave.
Protesta u thirr nga organizata “Drejtësi Sociale”, e cila e cilësoi vendimin e Ministrisë së Brendshme si të paligjshëm dhe arbitrar.
“Paligjshmëria në të cilën është futur policia e shtetit për shkak të tekave të ministres po u kushton qytetarëve të Tiranës,” u tha në deklaratën e organizatës.
Avokati Gentian Sejrani, i cili shoqëroi një qytetar në komisariat, deklaroi në dalje se edhe pse u treguan dokumentet e pronësisë nuk u arrit të tërhiqej mjeti i konfiskuar.
“Sipas drejtuesve të komisariatit, mjetet do të mbahen për 30 ditë, deri sa të rregullohet me ligj mënyra e qarkullimit të tyre,” tha Sejrani, duke shtuar se situata mbetet e paqartë dhe pa bazë ligjore.
Aktivisti Edison Lika ironizoi nga brenda Komisariatit se vetë punonjësit e policisë kishin ardhur me skuterë, ndërsa qytetarëve u ndalohej t’i përdornin.
“Motori kushton 950 mijë lekë. E kam blerë me kredi dhe ende nuk e kam shlyer,” tha Renato Dhiaj për Citizens.al.
Në protestë ishin të pranishëm dhe sipërmarrës të cilëve u cenohen drejtpërdrejtë interesat nga urdhri i ministres së Brendshme, Albana Koçiu mbi lëvizjen e mjeteve elektrike.
Ndërkohë, Redin Muçaj, përfaqësues i një biznesi të shitjeve të mjeteve elektrike, tha se vendimi i ministres është “absurd” dhe po falimenton sektorin.
“Mësova për ndalimin nga një postim në Facebook. Kjo është mënyra më e papërgjegjshme për të njoftuar një politikë publike,” theksoi Muçaj përfaqësuesi i një biznesi të shitjeve të mjeteve elektrike në Shqipëri.
Ekspertët e sigurisë rrugore që folën për Citizens.al kanë theksuar se problemi nuk qëndron te mono-patinat, por te mungesa e planifikimit urban dhe e infrastrukturës për lëvizjen alternative.
Ndërsa aktivistët e të drejtave të njeriut e quajnë ndalimin “një akt autoritar ndaj qytetarëve”.
Më 12 tetor, ministrja e Brendshme Albana Koçiu njoftoi ndalimin e përkohshëm të mjeteve elektrike, duke argumentuar se 991 raste aksidentesh të raportuara nga urgjencat janë “më shumë se të mjaftueshme” për pezullimin e tyre deri në miratimin e një rregulloreje të re.
“Çdo ditë me kismet, kismet kur të hapet, kismet a do hapet, kismet për kë do hapet, pra nuk ka sens,” përmbylli Redin Muçaj.

Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.