Citizens.al

HEC-Doma, gjykata nuk pezullon punimet

Foto ilustrim nga seanca gjyqësore pranë Gjykatës Administrative të Shkallë së Parë e banorëve të Kurdarisë/ Citizens.al

Gjykata Administrative e Shkallës së Parë në Tiranë refuzoi sot të pezullojë punimet e hidrocentralit “Doma” në zonën e Kurdarisë së Matit deri në shqyrtimin e plotë të çështjes së ligjshmërisë së tij.

Vendimi zhgënjeu dhjetëra banorë të zonës, të cilët ishin prezent për të ndjekur seancën. Avokatët sollën prova të shumta se nisja e punimeve teksa çështja ishte në gjykim do të sjellë dëme të pakthyeshme për mjedisin dhe vetë jetën e banorëve. Por ato nuk e bindën gjykatën.

Pavarësisht vendimit, banorët theksuan se mbeten të përkushtuar për t’i vajtur deri në fund çështjes, e cila do të ketë seancën e radhës më 30 tetor.

Beteja vazhdon

“Do ta vijojmë betejën,” u shprehën banorët e Kurdarisë pas përfundimit së seancës. Të shumtë në numër, ata erdhën në Tiranë për të ndjekur seancën gjyqësore për padinë që kanë ngritur kundër ndërtimit të hidrocentralit “Doma”, mirëpo gjykata vendosi të refuzojë kërkesën për ndalim të punimeve deri në shqyrtimin e plotë të cështjes.

Avokati i banorëve, Adriatik Lapaj, u shpreh për Citizens.al se do ta kërkojnë sërish në vazhdim pezullimin e punimeve, duke sjellë prova të reja.

“Një provë e re që ne mendojmë se do të sjellim shumë shpejt do të jetë një akt-ekspertimi për gjendjen aktuale të zonës dhe ndërhyrjet që janë barë dhe do ta rikërkojmë,” tha Lapaj.

Në këtë seancë dy avokatët Lapaj dhe Dorina Prethi sollën prova me video dhe audio që tregonin situatën në terren, me trase të hapura duke i paraprirë shtrirjes së tubacionit dhe konflikteve të vazhdueshme të banorëve me përfaqësuesit e firmës ndërtuese të hidrocentralit. Prova këto të shoqëruara edhe me 500 firmat e banorëve të zonës që kundërshtojnë ndërtimin e hidrocentralit.

Sipas Lapajt, mos pezullimi i punimeve ndërkohë që çështja po gjykohet prodhon konflikt mes banorëve, kompanisë dhe shtetit.

“Masa e sigurisë do të vendoste një stabilitet deri në përfundimin e gjykimit, duke u dhënë banorëve mundësin të jetojnë në përditshmërinë dhe qetësinë e tyre”, u shpreh ai.

Në seancën e sotme nga pala e paditur ishin të pranishëm vetëm juristi i bashkisë Klos dhe përfaqësuesja e Avokaturës së Shtetit.

Përfaqësuesit e kompanisë “Global Interprise Group” munguan me pretendimin se ishin jashtë vendit, duke kërkuar shtyrje të seancës.

Ndërsa në mungesë ishin edhe përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Zhvillimit të Territorit (AZHT), edhe pse në dijeni të çështjes.

Seanca e radhës do të mbahet në mesditën e 30 tetorit, ndërsa banorët mbeten me shpresë për një proces që do t’iu japë të drejtën të gëzojnë ujin e lumit Lusa.

Padia kundër Këshillit bashkiak Klos, Agjencisë Kombëtare të Zhvillimit të Territorit (AZHT) dhe kompanisë “Global Interprise Group” është ngritur nga banorët prej muajit gusht 2025.

Në padi është kërkuar pavlefshmëria e vendimeve 84 dhe 104 të Këshillit bashkiak Klos që dha fondin pyjor për nisjen e punimeve dhe shtrirjen e tubacioneve për hidrocentralin.

Hidrocentrali “Doma” parashikohet të ndërtohet në lumin e Lusës, që kalon mes tre fshatrave sikurse Kurdaria, Skënderaj dhe Kurqelaj.

Rreth 4.4 kilometra trase rruge pritet synohet të hapet dhe rrjedha e ujit të futet në tuba, duke ndikuar drejtpërdrejt në jetesën e banorëve që merren me bujqësi dhe blegtori.

Mati kundër HEC-eve

Pesë fshatrat e njësisë administrative Suç: Suç, Kurdari, Kurqelaj, Skënderaj dhe e Kujtim, kanë qenë shënjestër të veprave energjetike prej vitit 2006. Në atë kohë projekti për ndërtimin e një HEC-i në lumin e Lusës nuk u konkretizua.

Në vitin 2017-2018 dy shoqëri të ndryshme si “Indrolusa” dhe “Global Interprise Group” aplikuan për të ndërtuar hidrocentrale në këtë zonë.

Në vitin 2017, qeveria i dha leje firmës “Idrolusa” për ndërtimin e HEC-eve “Lusa 1 dhe Lusa 2”.

Banorët, u përpoqën t’i bindnin institucionet se ishin kundër këtyre projekteve, prandaj në 2020 iu drejtuan zyrës së Kryeministrisë. Në përgjigjen zyrtare, thuhej se qeveria ishte në dijeni të problemit të ngritur nga banorët dhe se ajo “mbështet para së gjithash interesat e tyre”.

Por, pas përfundimit të afateve ligjore dhe mosrealizimit të këtyre veprave në fshat, kompania “Idrolusa” u kthye në fshatin Skënderaj në vitin 2022 për një konsultim të ri. Ata refuzuan ta zhvillojnë takimin duke treguar kundërshti.

Agjencia Kombëtare e Mjedisit u shpreh atë kohë për Citizens.al se komuniteti nuk kishte shqetësime për ndërtimin e këtij hidrocentrali.

“Në takim është prezantuar projekti, janë dëgjuar sugjerimet e pjesëmarrësve, të cilat do të merren parasysh nga ana e investitorëve, gjatë kohës së shfrytëzimit”, tha AKM-ja për Citizens.al.

Paralelisht, në vitin 2018, shoqëria “Global Interprise Group” donte të ndërtonte në të njëjtin lum hidrocentralin “Doma”. Ndaj zhvilloi një dëgjesë publike, ku morën pjesë 19 banorë.

Në dokumentet nga Ministria e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit, thuhet se ata shprehën dakordësinë për zhvillimin e hidrocentralit. Mirëpo, 12 prej tyre, janë shprehur me shkrim se firma e pjesëmarrjes së tyre u është manipuluar si deklaratë dakordësie.

“Deklarojmë se kemi marrë pjesë si dëgjues për projektin ‘Doma’, por nuk kemi shprehur dakordësi pasi bie ndesh me interesat jetikë”, thanë ata në deklaratë.

Më pas, një tjetër tentativë për të zhvilluar një dëgjesë me komunitetin për zhvillimin e projekteve hidrike u përsërit në vitin 2020, por u refuzua masivisht nga banorët dhe u mblodhën 631 firma kundër.

Pesë vite më pas, kompania ia ka dalë të marrë lejen përmes një procesi konsultimi publik të pazbardhur ende, për të cilët banorët shprehen se nuk janë pyetur. Banorët janë organizuar sërish në protesta, duke mos lejuar asnjë mjet të rëndë pune të shkojë në terren. Ndërsa së fundi kanë nisur edhe procesin gjyqësor.

Banorët iu drejtuan edhe institucioneve ndërkombëtare, sikurse Ambasadës Amerikane dhe Delegacionit Evropian në Shqipëri. Në shtator ata morën përgjigje vetëm nga Delegacioni Evropian, i cili shprehej se kanë ndjekur shqetesimet e banorëve dhe i shohin me prioritet të drejtat e qytetarëve, të drejtat e pronës dhe respektimin e mbrojtjes së mjedisit.

“Delegacioni i BE-së në Shqipëri nuk ka mandat ligjor për të ndërhyrë në çështje individuale, por do ta ndjekë këtë rast në kuadër të dialogut që zhvillohet me institucionet e qeverisë shqiptare gjatë procesit të negociatave të anëtarësimit,” thuhej në komunikimin e Delegacionit të BE-së në Shqipëri.

Lexo gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW