Një “top betoni” 20-katësh do të zërë vendin e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi”. Ky është koncepti fitues i garës së zhvilluar nga Korporata e Investimeve Shqiptare (KISH) për “rijetëzimin” e një prej simboleve urbane dhe sportive të Tiranës.
Fituesi, konsorciumi mes studios holandeze MRVDV (Winy Maas, Jacob van Rijs dhe Nathalie de Vries) dhe kompanive Trema Tech, Albanian Capital Group dhe BCN Investements, do të ndërtojë një qendër gjysmë-publike që bashkon sportin me funksione tregtare dhe kullë banimi: e njëjta logjikë që qeveria ka ndjekur edhe në projekte të tjera të ngjashme.
Pas stadiumeve “Qemal Stafa” e “Selman Stërmasi” si dhe stadiumet në Durrës, Korçë e Vlorë, “Asllan Rusi” bëhet shembulli më i fundit i shndërrimit të hapësirave publike sportive në prona private nën petkun e “zhvillimit urban”.
Konkursi dhe gara e KISH
Konkursi për Pallatin e Sportit u mbajt në ambientet e ish-Hotel Dajtit, katër muaj pasi KISH kishte hapur thirrjen. Ai synonte përzgjedhjen e projektit dhe investitorit më të përshtatshëm për transformimin e godinës së ndërtuar në vitin 1963 në një qendër multifunksionale gjysmë-publike.

Ashtu si në konkurset e tjera të KISH, juria u kryesua nga Kryeministri Edi Rama, me anëtarë Blendi Gonxhen, si ministër i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Fidel Ylli si kryetar i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar, Elira Kokona nga KISH, Adelajda Roka nga AZHT dhe Adelina Greca nga AKPT.
Në përbërje ishin gjithashtu arkitektë të njohur ndërkombëtarë si Manuelle Gautrand, Christian Kerez, Todd Saunders, Simon Battisti dhe Joao Luis do Rosario Carrilho da Garca.
Në garën finale qenë kaluar gjashtë ekipe ndërkombëtare me pjesëmarrje të studiove shqiptare dhe të huaja:
- Alko Impex Construction me Kengo Kuma & Associates;
- Trema Tech me MVRDV;
- BAMI Holding me Archea Associati;
- BE-IS me Chybik + Kristof dhe Destil Creative Hub;
- PROGEEN me Sauerbruch Hutton dhe artistin Anri Sala;
- TABI Construction me Perrault Architecture dhe Enea Landscape Architect.
Në fazën e parë të konkursit qenë dorëzuar 11 projekt-propozime, të cilat u vlerësuan me pikëzim sipas kritereve teknike dhe konceptuale.
Sipas dokumenteve të KISH, dy ekipe – “PROGEEN + Sauerbruch Hutton” dhe “TABI Construction + Perrault Architecture” – morën pikë të barabarta, duke ndarë vendin e pestë.
Kjo barazi shtoi një vend shtesë në listën e finalistëve, që zakonisht është me vetëm 5 konkurrentë dhe shpërblehet me një total prej 200,000 eurosh.
Ndërkohë, një nga aplikantët, i cili më pas rezultoi fituesi, – “Trema Tech” në bashkëpunim me MVRDV – u kualifikua fillimisht me kusht, për shkak të mungesës së pasqyrave financiare të audituara.
Pas plotësimit të dokumentacionit, ky ekip u pranua përfundimisht në fazën e dytë, duke konsoliduar listën përfundimtare të finalistëve.

I njohur fillimisht me emrin Partizani, e pas viteve 90-të me emrin e “Volejbollistit të Shekullit”, “Asllan Rusi”, Pallati i Sportit pritet tashmë të shembet përfundimisht për t’i lënë vendin një godine masive betoni, që sipas MVRVD-së frymëzohet nga një top basketbolli.
Projekti i ri do të përfshijë një arenë sportive multifunksionale me rreth 6 mijë spektatorë, ambiente VIP, zyra për media, hapësira për trajtime mjekësore dhe salla trajnimi për federatat e ndryshme sportive si basketbolli, volejbolli, hendbolli, peshëngritja, mundja, gjimnastika, pingpongu, boksi dhe taekwondo-ja. Por përveç kësaj, edhe 26,500 metra katrorë ndërtim me “funksion të përzier” rezidencial dhe tregtar.
Shembja e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” për t’u zëvendësuar nga një kompleks 20-katësh shënon një tjetër kthesë të politikës urbane që “shet” trashëgiminë sportive për interesa ndërtimi.
Në vend të një hapësire që i shërbente komunitetit, Tirana do të fitojë një tjetër “monument betoni”, ku sporti “varroset” nën fasadën e modernitetit.
Ndërsa MVRVD shton në portofolin e saj një tjetër projekt masiv në Shqipëri, pas masterplanit për zonën e Digës së Liqenit Artificial, sheshit “Skënderbej”, stadiumit “Niko Dovana”, qendrës tregtare Toptani, kullës “Downtown One Tirana”, kullës “Skanderbeg Building” dhe rijetëzimit të “Piramidës”.
Lexoni gjithashtu:
- Shpallet projekti fitues, stadiumi “Selman Stërmasi” me dy kulla
- Bjarke Ingels në Petrelë: “Parku i Besimit” mbi zonën antike të Përsqopit
- Thirrjet “pa garë” dhe “pa llogari” të Korporatës së Investimeve

Erblin Vukaj ka përfunduar studimet për “Shkenca Komunikimi” e më tej është mjeshtëruar (MSc) për “Gazetari Evropiane dhe Ndërkombëtare” në Universitetin e Tiranës. Prej vitit 2012 Vukaj punon si gazetar profesionist duke fituar përvojë në media online, shtyp të shkruar, radio dhe televizion. Ai ka mbuluar çështjet të ndryshme si aktualiteti, shëndetësia, mjedisi dhe sporti. Paralelisht, ka drejtuar dhe është përfshirë në disa projekte hulumtimi mbi të shkuarën komuniste në Shqipëri.