Citizens.al

PS bën një hap pas, propozon ndryshime të projektligjit për barazinë gjinore

Propozime për të ndryshuar Projekligjin për Barazinë Gjinore, nga Taulant Balla

Gjashtë muaj pas përfundimit të konsultimeve me 18 organizata joqeveritare, 9 institucione të nivelit qendror, 7 përfaqësi ambasadash dhe agjencish ndërkombëtare, Partia Socialiste ka bërë një hap pas në lidhje me projektligjin “Për Barazinë Gjinore”, të cilin ajo e shtyu vetë përmes ish-ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu.

Deputeti Taulant Balla, njëherësh kryetar i grupit parlamentar të socialistëve, i është drejtuar të mërkurën Komisionit për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale, duke propozuar 22 ndryshime të draftit, i cili në prill 2025 mbylli konsultimet për publikun.

Ndryshimi kryesor lidhet me pikën 2 të Nenit 1, ku Balla kërkon që të zëvendësohen fjalët “si dhe trajtim të barabartë pavarësisht përkatësisë gjinore” me fjalët “si dhe trajtim të barabartë mes grave dhe burrave”.

Pika 2 e Nenit 1 në draftin e fundit kishte këtë formulim:

Ky ligj rregullon çështjet themelore të barazisë gjinore në të gjitha fushat e jetës publike dhe private për arritjen e barazisë gjinore plotësisht dhe në mënyrë efektive, ligjërisht dhe në praktikë, si dhe trajtimit të barabartë, pavarësisht përkatësisë gjinore, përmes mbrojtjes, mundësive të barabarta për ushtrimin e të drejtave dhe gëzimin e të mirave dhe shërbimeve, pjesëmarrjes, përfaqësimit dhe ndihmesës në zhvillimin e të gjitha fushave të jetës shoqërore.

Në ndryshimet e tjera, Balla, ka propozuar heqje të fjalëve si: “për shkak të përkatësisë së shumëfishtë”, “në të gjithë diversitetin e tyre”; “lidhur me identitetin dhe shprehjen gjinore”, apo përkufizimi “orientim seksual”.

Ky zhvillim vjen ndërkohë që më 29 shtator projektligji u depozitua në parlament nga qeveria duke u futur në kalendarin e seancave plenare për miratim më 30 tetor.

Kështu, edhe pse vetë, para tre vitesh, Balla shprehej me krenari në parlament se “PS-ja e ka në ADN promovimin e barazisë gjinore”, me ndryshimet e propozuara së fundmi prej tij nuk duket se ajo është aq gjithëpërfshirëse.

Konsultimi për projektligjin u hap më 10 mars dhe u mbyll më 7 prill të këtij viti. Në regjistrin elektronik janë numëruar rreth 1,400 vizitorë dhe një koment nga Komiteti Shqiptar i Helsinikit. Ndërkohë, nga sugjerimet e bëra gjatë procesit nga shoqëria civile u morën parasysh dhe u pasqyruan në draftin e projketligjit rreth 12 komente.

Ndër organizatat që reflektuan sugjerimet e tyre për përmirësimin e draft-propozimit ishin: Qendra AWEN, SCiDEV, Aleanca LGBTI, etj.

Keqinterpretimi publik dhe perceptimi i gabuar në mediat sociale, kinse ky projektligj synonte të ndryshonte gjininë, kur qartësisht kjo gjë rregullohet me ligje dhe kode të tjera, duket se ka prekur dhe deputetin Balla, i cili në relacionin shoqërues për ndryshimet e kërkuara është shprehur se Gjykata e Drejtësisë e BE-së që mbron personat transgjender nga diskriminimi, “mbështetet në interpretimin e diskriminimit bazuar në gjini, jo në njohjen e një gjinie të tretë”.

“Legjislacioni aktual i BE-së për barazinë gjinore, siç është Direktiva 2006/54/KE dhe direktiva të tjera, të cilat pretendohet të përafrohen përmes këtij projektligji) nuk parashikojnë një “gjini të tretë” apo kategori të tjera përtej binaritetit burrë-grua,” citohet në relacion.

Ekspertët e kontaktuar nga Citizens u shprehën se pavarësisht ndryshimeve të propozuara nga deputeti Balla, projektligjit nuk mund t’i zhbëhet dot thelbi i tij: pra barazia gjinore, si për shembull arritja e kuotave gjinore të barabarta në përfaqësitë politike, njohja e punës së papaguar, rënia e barrës së provës tek abuzuesi dhe jo viktima etj; elementë që Citizens.al i ka shpjeguar gjerësisht në një artikull të mëparshëm.

Në ditët në vijim pritet një reagim zyrtar nga disa prej palëve të përfshira si grupe interesi, të cilat patën sugjeruar dhe mbështetur draftin e parë të projektligjit, të kundërshtuara së fundmi nga kreu i grupit parlamentar të PS-së.

Citizens,al ka shpjeguar prej kohësh se ky projektligj nuk shton gjinitë, nuk përmban asnjë nen që lidhet me martesat e të njëjtës gjini, si edhe nuk prek ligjin për gjendjen civile apo Kodin e Familjes, i cili njeh  qartësisht dy gjini zyrtare në Shqipëri, burrë dhe grua.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW