Në Shqipëri, aftësia e kufizuar shihet shpesh si një çështje fizike, shëndetësore apo që ka të bëjë kryesisht me problematikat e përfshirjes në arsim dhe punë. Por rrallë flitet për një aspekt po aq thelbësor të jetës së tyre: seksualitetin.
Njerëzit me aftësi të kufizuara përballen çdo ditë me të pavërteta, paragjykime, stigma dhe mite që kufizojnë të drejtën e tyre për ndjenja, dashuri dhe intimitet.
Në një tryezë diskutimi, Fondacioni “Së bashku” ndau një përmbledhje të miteve që ekzistojnë për seksualitetin dhe personat me aftësi të kufizuara, duke pasur parasysh kontekstin shqiptar.
Suela Lala, drejtuese e Fondacionit, tha se kjo është një temë që eksplorohet pak në vendin tonë.
“Mendohet se këta persona kanë sfida të tjera më të rëndësishme. Por edhe të drejtat seksuale dhe riprodhuese janë pjesë e kuadrit të të drejtave të njeriut, janë pjesë e dinjitetit njerëzor,” tha ajo.
Lala tregoi se pavarësisht paragjykimeve dhe sfidave njerëzit me aftësi të kufizuara gjejnë mënyra se si ta jetojnë jetën e tyre. Ajo u ndal te fakti se shpesh përballen me gjuhë urrejtjeje sidomos kur postojnë në rrjetet sociale për tema që lidhen me seksualitetin.
“Shpesh këto fjalë, aftësi e kufizuar dhe seksualitet, nuk bëhen bashkë në të njëjtën fjali, aq e panevojshme dhe e padobishme duket për shumë njerëz të tjerë,” u shpreh Lala.
Dorina Toçaj, nga zyra shqiptare e Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për shëndetin seksual dhe riprodhues (UNFPA) theksoi se mitet fillojnë që në fëmijëri ku mësohet të përjashtohen të tjerët për shkak të dallimeve. Për këtë ajo u shpreh se për një shoqëri më mendjehapur nevojitet të rishikohet mënyra e edukimit.
Në këtë pikë, ajo tha se edukimi gjithëpërfshirës seksual duhet të ketë elementë që lidhen edhe me personat me aftësi të kufizuara si pjesë e një formimi për jetesë të barabartë dhe me dinjitet.
“Për hir të këtyre miteve dhe mendësie, shumë njerëz me aftësi të kufizuara, mund të mos arrijnë të realizojnë dëshirat e tyre, të drejtat seksuale dhe riprodhuese dhe aq më tepër të aspirojë për familje, për lidhje, partneritet dhe fëmijë,” komentoi Toçaj, duke theksuar nevojën për mundësi të barabarta për të gjithë.
Toçaj këshilloi që manuali i miteve dhe fakteve të përgatitura nga Fondacioni “Së bashku” të integrohet në kurrikulën e edukimit seksual në shkolla, këshillë që u përkrah nga përfaqësuesit e ministrisë së Arsimit të pranishëm në diskutim.
“Duam që këto elemente të jenë pjesë e mësimit,” u shpreh Edlira Sina, Koordinatore Kombëtare për Edukimin Shëndetësor Seksual në Shqipëri.
Dashuria e stigmatizuar
Përtej politikave, parasgjykimi ndaj dashurisë dhe seksualitetit të personave me aftësi të kufizuara mbetet i fortë.
Dajani, një zotëri me aftësi të kufizuara rrëfen se ra në dashuri me një vajzë me aftësi të kufizuara në shikim, por u përball me një rezistencë të madhe.
“Më thanë që nuk duhet të bija në dashuri me të, sepse ajo nuk mund të kujdesej për mua, apo për fëmijët në të ardhmen,” kujton ai.“Duhej të bindja familjen se mund të isha baba i mirë, se nuk kisha nevojë për keqardhje, por për mundësi të barabarta.”
Ai i mëshon faktit se nuk dëshiron të shihet si hero, sepse edhe kjo është formë diskriminimi, por si çdo qytetar në shoqëri.
“Dua t’i tregoj djalit tim se mund të jem prind, mund të gatuaj, të mësoj, të punoj, si çdo njeri tjetër”, vijon Dajani, tashmë prind i një djali 10-vjeçar.
Histori të ngjashme ka edhe Ilir Kaso, i cili rrëfeu në praninë e të tjerëve se familja e bashkëshortes së tij e kundështoi si fillim lidhjen e tyre, pasi ishte person me aftësi të kufizuara.
“Iu tha hapur që të mos lidhej me mua. Madje u hamendësua se nuk isha i aftë seksualisht,” tha Iliri.
“Kjo tregon sa i thellë është paragjykimi. Edhe vetë ne, personat me aftësi të kufizuar, shpesh e kemi të brendësuar këtë frikë, këtë ndjesi inferioriteti.”
Frikë dhe nevoja per mbrojtje
Eglantina Bajrami, drejtuese e organizatës Klubi Kombëtar i Prindërve me Spektrin Autik u shpreh se shpesh prindërit, nga frika, i mbrojnë fëmijët me aftësi të kufizuara deri në izolim.
“Prindërit e vajzave janë shpesh shumë mbrojtës. Kanë frikë t’i lënë vetëm, madje edhe gjatë stërvitjeve. Është e rëndësishme t’i trajnojmë nënat se si të flasin me vajzat për trupin, për seksualitetin, edhe për akte si masturbimi, që ende konsiderohen tabu”, tha ajo.
Sipas Olta Kocit, nga organizata Asistencë për Komunitetin në Shqipëri, situata është edhe më e ndërlikuar teksa përmend raste të abuzimeve seksuale, shtatzënive të hershme apo dhe infeksioneve seksualisht të transmetueshme.
“Në këto raste, shpesh as vetë personi nuk mund të marrë vendime për trupin e vet, ndërsa kujdestarët nuk reagojnë si duhet,” deklaroi ajo, me nevojën për të pasur më shumë vëmendje për kategori të caktuara të aftësisë së kufizuar.
Liliana Dango nga Qendra Kombëtare për Shërbimet Komuniteare nënvizoi rëndësinë e ndërhyrjes që në arsimin parashkollor dhe te grupet me aftësi të kufizuar intelektuale, me qëllim që të ndërtohet një qasje afatgjatë më mbrojtëse dhe edukative.
Por, sipas Dorina Toçajt, problemi i vërtetë nuk mbetet vetëm te paragjykimi. “Në një vend ku edhe një atlet e ka të vështirë të kalojë rrugën apo të marrë një shërbim bazë, imagjinoni sa e vështirë është për një person me aftësi të kufizuar të mendojë për dashuri, për marrëdhënie, për prindërim”.
Të folurit për seksualitetin e personave me aftësi të kufizuara nuk është tabu, as mit i keqinterpretuar. Është hap drejt barazisë së plotë, njohjes së njeriut si të tërë, me dëshirat, ndjenjat, trupin, dinjitetin dhe të drejtën për të dashur e për t’u dashur.
Mite dhe fakte për seksualitetin dhe personat me aftësi të kufizuara
Në dokumentin e përgatitur nga Fondacioni Së Bashku në partneritet me UNFPA, në kuadër të Programit të Përbashkët të OKB-së “Askush të mos mbetet pas”, 15 mite vendosen përballë të vërtetave. Le t’i çmontojmë disa prej tyre:
“Personat me aftësi të kufizuar nuk kanë të drejta seksuale.”
Të drejtat seksuale janë të drejta të njeriut. Kufizimet fizike nuk e pengojnë shprehjen e seksualitetit, apo dëshirën për të dhënë dhe marrë dashuri në një marrëdhënie.
“Ata nuk ndjejnë tërheqje, as dëshirë për marrëdhënie romantike.”
Personat me aftësi të kufizuar janë qenie seksuale si të gjithë ne, prandaj ata kanë të njëjtin interes për dashuri dhe marrëdhënie.
Këto mite i çojnë ata në të tjera barriera sa i takon qasjes në edukimin dhe shërbimin e shëndetit seksual dhe riprodhues.
“Personat me aftësi të kufizuara lidhen vetëm me persona të komunitetit të tyre.”
Ata mund të dalin, njihen dhe krijojmë marrëdhënie me këdo pavarësisht aftësisë së kufizuar që përjetojnë. Ata janë shumë më tepër se aftësia e tyre e kufizuar: kanë ngjyra të ndryshme personaliteti, interesash dhe botëkuptimi.
“Personat me aftësi të kufizuar nuk përjetojnë abuzime apo dhunë në familje.”
Personat me aftësi të kufizuara janë më të ekspozuar ndaj abuzimeve seksuale. Madje ata përjetojnë abuzime seksuale dhe dhunë ne familje, 3 deri në 4 herë më shumë se sa individët e tjerë dhe ky mit është i rrezikshëm sepse shpërfill realitetin, duke bërë që përvojat e personave me aftësi të kufizuara të mos dëgjohen.
“Personat me aftësi të kufizuar nuk mund të krijojnë familje, nuk bëhen prindër të mirë, apo dhe nëse bëhen me fëmijë, ata do të jenë me aftësi të kufizuara.”
Ata mund të kenë familje, fëmijë dhe të jenë prindër të mrekullueshëm. Ndenja e prindërimit shkon përtej aftësive fizike, ajo varet nga dashuria, përgjegjësia, mbështetja dhe përkujdesja. Ndërkohë, shumë aftësi të kufizuara nuk trashëgohen dhe e drejta për të pasur apo jo fëmijë u takon vetëm personave me aftësi të kufizuara, askujt tjetër.
“Personat me aftësi të kufizuar nuk mund të mbesin shtatzënë, apo të marrin infeksione seksualisht të transmetueshme dhe për rrjedhojë nuk kanë nevojë për informacione për parandalimin e tyre.”
Ata mund të jenë seksualisht aktivë dhe të mbeten shtatzënë edhe të marrin infeksione seksualisht të transmetueshme. Një person me aftësi të kufizuar nuk është automatikisht steril apo imun ndaj sëmundjeve seksualisht të transmetueshme. Ndaj, si të gjithë të tjerët, ata kanë nevojë dhe të drejtë për të njëjtën qasjes në edukimin dhe shërbimin e shëndetit seksual dhe riprodhues.
“Personat me aftësi të kufizuara kanë gjëra më të rëndësishme për t’u shqetësuar se sa seksi.”
Seksualiteti dhe nevojat seksuale të personave me aftësi të kufizuara janë thelbësore për një jetë të plotë në aspektin human. Ky mit shpërfill faktin e të qenurit njeri në radhë të parë dhe të drejtën e tyre për të përjetuar kënaqësi dhe intimietet në një marrëdhënie.
“Personat me aftësi të kufizuar nuk mund të jenë tërheqës.”
Njerëzit nuk tërhiqen vetëm nga pamja fizike. Përgjithësisht janë cilësitë e personalitetit ato që i japin aspektit fizik një vlerë tjetër. Ndaj të gjithë trupat njerëzorë mund të jenë tërheqës dhe të bukur, përfshirë këtu edhe trupat e personave me aftësi të kufizuara.
E rëndësishme për t’u thënë është se trupat e personave me aftësi të kufizuara janë seksualë, të fortë dhe të bukur dhe nuk dallojnë për nga nevoja nga trupat e njerëzve të tjerë. Ndaj për këtë do të duhet të jemi më të kujdesshëm, në mënyrë që t’i japim këtij komuniteti dinjitetin për të cilin ata kanë nevojë.
Lexo gjithashtu:
- Personat me aftësi të kufizuar në shikim marshojnë për të drejta e dinjitet
- Asistentët personalë: Shpresë për jetë të pavarur për personat me aftësi të kufizuara
- Piramida e Tiranës “simbol i përjashtimit” për personat me aftësi të kufizuara

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).