Citizens.al

Greva në Spaç: Kompania e quan të paligjshme, 16 minatorë të pushuar

Ilustrim grafik. Citizens.al

Fundjava ishte me reshje të rrëmbyeshme në Spaç, atje ku pavarësisht kushteve atmosferike, prej më shumë se dhjetë ditësh, një grup prej rreth 70 minatorësh vijojnë një grevë për paga, kushte dhe siguri në punë.

Në gusht, ata patën krijuar një sindikatë për t’i përfaqësuar më drejt kërkesat. Por sipas tyre, kompania turke që administron minierën e bakrit “Tete Albania”, nuk ua ka njohur dhe as marrë parasysh kërkesat.

Vasil Çuni, i cili punon prej tetë vitesh me makineritë e shpimit në minierë, tregon se kushtet nuk janë të mira. Ai thotë se nëntokë punohet me makineri të rënda që veprojnë me motorë nafte, të cilët shtojnë gazrat e dëmshëm.

“Tymi është i pranishëm me shumicë,” thekson ai duke nënvizuar se kërkesat për përmirësimin e kushteve janë adresuar që prej fillimit, por nuk janë marrë parasysh.

Çuni dhe grupi i minatorëve që janë në grevë mendojnë se një kontratë kolektive do t’u garantonte atyre siguri, pagë më të mirë dhe trajtim dinjitoz për sindikatën.

Vladimir Mërdhoçi, punonjës prej katër vitesh, thotë se do ta vazhdojë grevën pasi nuk është marrë asnjë masë konkrete.

“Kërkojmë kontratë kolektive, s’po them se do t’i zgjidhë 100% gjërat, se dhe te shtëpia jonë, nuk zgjidhen hallet dhe problemet, por 70% të gjërave që kërkojmë të zgjidhen”.

Por tensionet janë shtuar. Albert Bushpreni, një nga organizatorët e grevës, është pushuar nga puna më 7 tetor. Kompania ka përdorur si arsye një “aksident të pa raportuar zyrtarisht në kohë”, por ai dhe grupimi i minatorëve besojnë se shkaku është bërë angazhimi sindikal.

“Është turp i botës të punosh në nëntokë me 3 mijë lekë në ditë. Unë si drejtues turni marr 4,800 lekë, që kam përgjegjësinë e të gjithëve,” thotë Bushpreni.

Sipas tij, rritja e premtuar e pagës ishte një farsë: vetëm 50 lekë në ditë, e cila realisht ishte indeksimi vjetor me inflacionin.

“Imagjinoni të tallesh me djersën e minatorëve me 50 lekë rritje page që as fëmija nuk t’i merr se edhe një akullore bën më shumë se aq,” shton ai.

Deri më sot, 16 punëtorë pjesëmarrës në grevë janë pushuar për “mungesë në punë pa arsye të justifikuar”. Minatorët, të cilët shprehen të gatshëm për t’u ulur në bisedime, i konsiderojnë pushimet shkelje të së drejtës kushtetuese për organizim sindikal dhe kërkojnë ndërhyrjen e autoriteteve.

Përplasja mes kompanisë dhe Konfederatës së Sindikatave

Dëshirën për t’u ulur në bisedime e shprehu për Citizens.al edhe drejtuesi i “Tete Albania”, Cem Koray Yagci.

Megjithatë ai pretendoi se sindikata e re nuk ka dorëzuar dokumentacion të vlefshëm ligjërisht dhe se Konfederata e Sindikatave Shqiptare (KSSH) nuk ka paraqitur listën e anëtarëve apo vendimin e krijimit të saj. Me këtë Yagci argumentoi se, për ta, greva e minatorëve ishte e paligjshme.

“I kemi shpjeguar zotit Kolë Nikollaj (kreu i KSSH) shumë qartë që edhe pse kjo protestë-grevë është e paligjshme, ju nuk keni të drejtë të bllokoni mjetet e punës dhe të mos lejoni punonjësit e tjerë të shkojnë në vendin e punës,” theksoi Yagci për Citizens.al.

Në parim Yagci u shpreh mirëkuptues se “punonjësit kanë të drejtë të protestojnë”, por përsëriti se ata “nuk duhet të pengojnë të tjerët”. Më tej ai tha se KSSH nuk ka kryetar të ligjshëm pasi, sipas tij, mandati i Kol Nikollajt ka përfunduar që prej vitit 2024. Për këtë Yagci u shpreh se punonjësit “po mashtrohen” dhe se ai shpresonte që personeli ta kuptojë këtë dhe “të formojë një sindikatë sipas ligjit e t’i kthehen punës”.

Por duke folur për Citizens.al, Nikollaj e quajti këtë qëndrim si “artificë ligjore”.

“Konfederata ka 2,300 organizata sindikale. Nuk mund të kemi 2,300 persona juridikë. Të gjitha janë pjesë e strukturës organizative sipas statutit të KSSH-së,” tha ai.

Sipas Nikollajt, kompania është informuar me korrektësi.

“Listën e anëtarëve e kemi bërë me noter, të gjitha gati, por kompania nuk ka pranuar të ulet me ne. Të dhënat personale nuk mund t’ia dërgojmë me postë. Kur të ulemi në tavolinë, do t’ia vëmë të gjitha përpara,” shton ai.

Pretendimeve se i ka përfunduar mandati, Nikollaj iu përgjigj se është rimandatuar në nëntor 2024, dhe dokumentet janë depozituar në gjykatë, e cila për shkak të vonesave proceduriale nuk ka dalë me një vendim.

“Gjykata është në proces, por kjo nuk e pezullon mandatin,” thekson ai duke argumentuar se kompanisë i është dërguar historiku i gjykatës dhe dokumentet e Kongresit që e rimandatoi atë në krye.

“Është caktuar gjyqtari, tani gjyqet mund të shkojnë edhe pesë vjet, nuk është në dorën tonë.”

Të martën, palët pritet të takohen në Ministrinë e Ekonomisë, që mbulon çështjet e punës. Synimi është një marrëveshje që rikthen dialogun dhe punën në minierën e Spaçit.

“Kërkojmë që 10 pikat e grevës të realizohen dhe largimet nga puna të bëhen nul,” përfundoi Nikollaj për Citizens.al duke e përshkruar si kushtin për t’u ulur në tavolinë rikthimin e situatës në gjendjen kur filloi greva.

Deri më sot palët janë takuar vetëm më datë 10 tetor në zyrën e Drejtorisë Rajonale të Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive në Lezhë. Në procesverbalet e mbajtura nga takimi paraprak ndërmjetësues nga kjo zyrë diskutimet janë cilësuar “pa asnjë frymë bashkëpunimi mes palëve”.

Lexo gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW