Citizens.al

“Tetori jo rozë, por i zi”, protestë për shërbimet e munguara ndaj grave me kancer

Ilustrim grafik. Citizens.al

Xhemile Marku vendosi një fjongo rozë e gjysmë të zezë në xhaketën e saj, ndërsa iu bashkua sot një proteste të mbajtur para Ministrisë së Shëndetësisë për mungesën e shërbimit shëndetësor ndaj vajzave dhe grave që vuajnë nga kanceri.

Një muaj më parë, motra e saj humbi jetën nga kanceri në mitër, pas disa vitesh përpjekjeje për ta kuruar në spitalet publike.

Ajo shprehet e keqardhur që vuajtja e motrës së saj nuk ishte vetëm sëmundja, por edhe përballja me një sistem shëndetësor që nuk i ofron asgjë “falas” këtyre rasteve.

“Çdo gjë me lekë, vetëm leku funksiononte në atë spital [Onkologjiku]. Edhe për krevatin, gjënë më elementare, ne e paguanim me lekë. Edhe ilaçet do t’i blenim në privat. Ka harxhuar qimet e kokës”, u shpreh Xhemilja për Citizens.al.

Bashkë me të, para ministrisë ishin edhe dhjetra qytetarë e aktivistë, të cilët tetorin rozë e quajtën “Tetor i Zi”, për aq kohë që vajzat dhe gratë me kancer nuk marrin shërbimet e domosdoshme në spitalet publike.

Grupi i qytetarëve shpalosi një banderolë me mbishkrimin “Ministria e Vdekjes”, ndërsa pranë saj qëndronin fotot e Kryeministrit dhe ministrave që kanë drejtuar shëndetësinë ndër vite si dhe ministrja aktuale.

“Ju thonë grave dhe vajzave diagnostikohuni, ndërkohë në spitalin onkologjik nuk ka mamografi. Ka më shumë se 10 ditë që mamografia në spitalin Onkologjik nuk punon. U thonë grave e vajzave diagnostikohuni dhe nuk kanë ilaçe për kancerin e gjirit”, thirri Osman Stafa, gazetar e njëkohësisht aktivist i kauzës.

Sipas Stafës në spitalin Onkologjik, ku trajtohen qytetarët me kancer nuk ndiqen protokollet ndërkombëtare dhe mungojnë barnat e domosdoshme për të kuruar sëmundjen.

Për Migen Qiraxhin, aktivist i Qëndresës Qytetare mjafton që ky institucion të menaxhojë paratë publike dhe të mos i shfrytëzojë ato për shërbime luksi, me qëllim që të investohet më shumë në infrastrukturën shëndetësore.

“Bëjnë tender që të lajnë makinat e tyre çdo ditë dhe do mjaftonte një ditë të kursenin larjen e makinës që një pajisje më shumë të ndodhej në spitalin e vendit”, u shpreh Qiraxhi.

Ai solli në vëmendje edhe raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit që theksonte se 39 barna që luftojnë tumorin mungojnë në spitalin tonë.

Për aktivisten Sidorela Vatnikaj mungesa e ilaçeve, infrastrukturës dhe pajisjeve sjell mungesë shprese për të prekurit me kancer. Ajo u ndal te mënyra se si trajtohen të sëmurët nga rrethet, të cilëve pasi bëjnë një rrugë të gjatë për në Tiranë, përballen me shprehjen “nuk ka ilaçe”.

“Po çfarë duhet bëjë një i sëmurë me kancer? Duhet të luftojë për jetën e vet, apo duhet të luftojë me shtetin e vet, për të drejtën e tij”, u shpreh Vatnikaj.

Pedagogu Ermal Hasimja tha përmes megafonit se këtë sistem do të duhet ta provojnë edhe vetë përfaqësuesit politikë, të cilët në raste të ngjashme zgjedhin sistemin privat, ose trajtohen jashtë vendit.

“E di që është shumë e vështirë nga ana ligjore, por ndoshta s’do ishte e keqe që të kemi një ligj që ua detyron të gjithë pushtetarëve të lartë që t’i kurojnë të afërmit e tyre dhe veten në spitalet këtu”, deklaroi Hasimja.

Në krye të shëndetësisë është vendosur së fundmi mjekja Evis Sala. Në komunikimin e saj të parë publik, në emocion e sipër ajo u shpreh se “çdo gjë është e mundur nëse është e pamundur”.

Në këtë narrativë qëndroi edhe gazetari Renaldo Salianji, i cili kërkoi përmes megafonit se nëse ministrja do të bëjë diçka të mundur të pamundur të rregullojë pajisjen e mamografisë te Onkologjiku.

“A mundet që një njeri të shërohet nga kanceri? Po është e mundur. Kur shteti nuk çon ilaçe në spital e bën të pamundur shërimin e një pacienti me kancer. Kjo është ajo që ministrja duhet të bëjë të mundur, të çojë ilaçet. A mundet që kanceri të dallohet herët dhe gratë dhe vajzat me skaner të nisin mjekimin herët? Po është e mundur. Kur pajisja e mamografisë prishet në muajin e tetorit rozë kjo bëhet e pamundur zonja ministre”, u shpreh Salianji.

Ndërsa aktivistja Fioralba Duma u shpreh se nuk është e drejtë që një popull që ka përjetuar emigrimin për arsye nga më të ndryshmet, ta përjetojë sërish tanimë për të drejtën e shëndetit.

Trajtimi i kancerit në Shqipëri: Emergjencë e nënvlerësuar

Mungesa në barna, staf dhe pajisje të shërbimit onlkologjik janë në dukje në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH). Në këtë raport dëshmohet se shteti nuk garanton as minimumin e shërbimeve të nevojshme për pacientët “me sëmundje të këqija”.

KLSH e ka cilësuar këtë situatë “thyerje të kontratës shoqërore mes shtetit dhe qytetarëve të tij”, duke kërkuar ndërhyrje urgjente dhe masa konkrete për të rikthyer dinjitetin e trajtimit.

Ndër problemet kryesore që konstaton raporti janë: mungesa e barnave dhe barnat e skaduara, protokollet e trajtimeve mjekësore të papërditësuara, sistemi teknik i degraduar, pajisje që nuk punojnë, apo që mungojnë, spitali pa kondicionim, dhomat me lagështirë, të papërshtatshme për trajtim dhe të pamjaftueshme për të mbuluar të gjitha kërkesat.

KLSH thotë se kjo gjendje “ka ndikuar potencialisht negativisht në cilësinë e trajtimeve të pacientëve” ndërsa “pajisjet teknike të sektorit nuk janë mirëmbajtur apo kalibruar që nga momenti i inventarizimit të tyre”.

Për 39 barna antitumorale nuk kishte kontrata me Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor në vitin 2024. Përveç këtyre, sipas raportit të KLSH-së, procedura aktuale për tregtimin e barnave antitumorale është e gjatë dhe joefikase.

“Procesi aktual krijon vakum rregullator dhe kufizon fleksibilitetin operativ të Agjencisë Kombetare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekesore, duke ndikuar negativisht në furnizimin në kohë të barnave në treg dhe duke rritur rrezikun për pacientët në nevojë emergjente për trajtim,” thekson raporti.

Po ashtu problematike është parë edhe dublikimi i recetave gjatë ditës, mungesa e shënimeve të plota dhe të sakta, shkarkimet e gabuara të barnave në pacientë të tjerë etj.

Lexo gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW