Citizens.al

“Falja dhe kujtesa: Një takim mes ish-të burgosurve dhe ish-oficerëve në Spaç”

Pamje nga ekspozita “Maska që zbulojnë”; Spaç/Tetor 2025

Shiu nuk i ndaloi njerëzit të bashkoheshin në aktivitetin e lajmëruar nga “Tek Bunkeri”, për një përjetim audio-vizual mbi kujtesën e ish-burgut të Spaçit, të shtunën.

Teksa restaurimet e nisura gjatë verës nga Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore (IKTK) ishin lënë pezull, aktivistë dhe qytetarë i rigjallëruan edhe një herë godinat e diktaturës, për të parë ekspozitën e realizuar nga Arnen Sula dhe Trevis Çela, kuruar nga Edison Çeraj.

“Maskat që zbulojnë” solli 35 portrete në allçi të ish-administratës së burgut dhe 6 të tjera të burgosurve politikë, të shoqëruara me dëshmi autentike zanore.

Përveç ekspozitës u prezantua libri “Terrene – Tetë vështrime mbi Spaçin”, u shfaq dokumentari “Në kërkim të poezisë” dhe filmi “Antimuzeu”, të gjitha produkte, të cilat përcjellin dimensione të ndryshme të asaj që përfaqësojnë këto godina për shumë breza.

Kjo ishte ekspozita e dytë që mbahet nga kjo organizatë. E para u ekspozua në prill të 2024, me titullin “E kaluara e tashme”, ku u paraqitën 49 portrete të ish-të dënuarve.

“Të shtrimë dorën e faljes”

Ndue Fufi, ish-zëvendëskomandant në Spaç tha gjë fjalimit të tij se nëse ka oficerë, nënoficerë, apo policë, të cilët i kanë tejkaluar kompetencat e veta, dhe akoma më keq, nëse kanë përdorur dhunë, ta shtrinë dorën e faljes.

“Falja tregon forcë, tregon dije, tregon kulturë” theksoi ai teksa ky qëndrim u prit me duartrokitje nga salla.

Por Fufi nuk ishte i vetmi që u ndal për të folur mbi faljen publike. Njëjtë falje kolektive kërkoi edhe Viktor Kuka, ish-oficer Policie. Edhe pse nuk kishte arsye pse të kërkonte falje individuale, sepse sikurse tha Kuka, nuk kishte ushtruar kurrë dhunë fizike, ai u shpreh me dashamirësi se i bashkohej faljes kolektive.

“Këtu është ushtruar një dhunë fizike dhe psikologjike, domethënë nga më skandalozja dhe kjo nga historia që na tregojnë paraardhësit tanë; për shembull pas revoltës  së 73’ këtu është ushtruar dhuna sistematike,” tregon Kuka për Citzens.

Teksa e pyes Kukën se kush është kujtimi më i fortë të cilin e ruan nga vitet e shërbimit, ai kujton rezistencën e të dënuarve kundër normave çnjerëzore të punës. Normat e larta të bakrit dhe piritit tejkalonin kapacitetet e punëtorëve, aq sa t’i shtynte ata të dëmtonin veten për të mos dalë më në punë.

“Ka pasur një të dënuar që ka këputur gishtin e dorës me kapsollë! Një tjetër që ka prerë damarët, apo një të dënuar që nga frika e dhunës u hodh në rrethim,” tregoi Kuka.

Pamje nga “Biblioteka Njerëzore”.

Pjesëmarrësit e ekspozitës patën mundësi të uleshin ballë për ballë me ish-të burgosurit dhe ish-punonjësit për ti pyetur për çdo kuriozitet apo kujtesë që ato mbartin, duke zhvilluar kështu edhe atë që njihet si “Bibliotekë Njerëzore”.

“Të akuzuar pavarësisht pozitës”

Pavarësisht se me pozicione në administratën drejtuese të Spaçit, shumë punonjës të personelit për shkak të “devijimit njerëzor dhe moral” me raste, përtej uniformës, kanë marrë akuza të ndryshme.

Lekë Filaj, ish-magazinier në Spaç tregon për një akuzë jo dëmtuese sipas tij, që kaloi thjesht me vërejtje, por siç e cilëson edhe Filaj, frika ishte. Ai rrëfen se ka bërë seleksionim të materialeve, apo vjetërsira të ushtarëve dhe këpucë të vjetra, që kishte për t’i djegur edhe disa prej tyre ja kishte dhënë disa të dënuarve që ishin punonjës.

“Kam pasur një akuzë që më kanë thënë, je duke i bërë dhe të dënuarit ushtarë,” tregon Filja për Citizens.

Ndue Fufi, ish- zëvendës komandant tregon se shpesh lejonte që ish-të burgosurit të shihnin televizion në sallën e kulturës. Fufi tregon se vetëm sytë dhe dhëmbët i kishin të bardhë të burgosurit kur dalin nga galeria. Pse kjo torturë me këta, pyeste ish- zëvendës komandanti.

Në foto: Lekë Filaj, Ish-magazinier.

“Më thanë se nuk të kemi sjellë këtu ti mbash të dënuarit në kamp pushimi, të kemi sjellë këtu të nxirrni bakrin,” tregon Fufi.

Ai përmbyll se ka marr masë për zbutjen e luftës së klasave, vetëm se kishte lejuar të burgosurit të shihnin aktivitete kulturore .

Një lidhje e përjetshme

Pavarësisht se të burgosurit kanë më rreth 35 vite që kanë dalë nga burgu i Spaçit, duket se burgu është i vështirë të dal nga ta.

Zyhdi Arapi ish-i burgosur më tregoi se dikur pavarësisht dobësisë fizike i kërkonin të mbante dhjetëra kilogramë bukë në krah për të dënuarit. Ai tregon se policët atje nuk kanë zbatuar ligjin, por kanë vepruar jashtë kuadrit.

“Kërciste kërbaçi! Ç’kemi hequr ne këtu kur vdiq Hysni Kapo!” kujton ai.

Arapi edhe po shkon 85-vjec, çdo herë që i jepet mundësia, qoftë edhe kur gjen forma transporti nga shoqata të ndryshme, rikthehet në Spaç.

“Unë erdha sot që s’mund të qëndroj, jam 84 vjeç, i mbush 85 për Vit të Ri…” përmbyll Arapi.

Boshllëku i institucioneve për të rehabilituar ish-të burgosurit në rikuperimin por dhe memorizimin e dëshmive, duket se e ka vështirësuar procesin e shkëputjes nga godinat, si strukturë jo vetëm fizike, por edhe si mbartëse e një peshe të pamatshme psikologjike-emocionale.

Lexoni gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW