Si kundërpërgjigje ndaj hapit pas të grupit parlamentar socialist mbi ndryshimet e propozuara në projektligjin mbi barazinë gjinore, mbi 20 organizata të shoqërisë civile mbajtën një deklaratë të përbashkët për shtyp. Në mbështetje të këtij qendrimi ishte edhe institucioni i Avokatit të Popullit.
Mirela Arqimandriti, drejtuese ekzekutive e Qendrës Aleanca Gjinore për Zhvillim theksoi se ky projektligj forcon mekanizmat e llogaridhënies, bën të detyrueshëm buxhetimin gjinor dhe krijon instrumente konkrete për barazi reale në vendin e punës, vendimmarrje dhe në jetën publike.
“Projektiligji vlerëson punën e papaguar të kujdesit, promovon paga të barabarta për punë të barabartë, pjesëmarrje të barabartë në drejtim dhe politikë” – thekson Arqimandriti.
Në kuadër të fushatave të dizinformimit ajo sqaron se ky projektligj nuk prezanton gjini të reja dhe nuk zëvendëson biologjinë; nuk ndërhyn në jetën familjare dhe nuk ndryshon konceptet nënë, baba apo prind.
Ndër 22 ndryshimet e propozuara nga kryetari i Grupit Parlamentar Socialist Taulant Balla, renditen një sërë termash që ishin pjesë e projektligjit, si: “për shkak të përkatësisë së shumëfishtë”, “në të gjithë diversitetin e tyre”; “lidhur me identitetin dhe shprehjen gjinore”, apo përkufizimi “orientim seksual”.
“Të dezinformuar kanë mbetur dhe vetë deputetët në lidhje me projektligjin, prandaj do të ishte e nevojshme që të kishte informim sa më shumë mbi gjërat reale që ky projektligj sjell dhe me jo ç’trafikohet në media”, komentoi Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi Robert Gajda për Citizens.al.
Ai shpjegon se koncepte si identiteti gjinor, janë shumë të vjetër në legjislacionin shqiptar, duke theksuar se identiteti gjinor njihet në ligjin Për Mbrojtjen nga Diskriminimi, (i miratuar në vitin 2010).
“Ligji synon të rregullojë situata faktike për të cilat vetë legjislacioni do të duhet të tregojë një ndjeshmëri, por dhe vetë shteti duhet të jetë i interesuar për t’i rregulluar këto situata në mënyrë që t’i garantohen të drejtat e njeriut kujtdo”, përmbledh Gajda.
Mirela Arqimandriti shton se nëse eliminohet fjala stereotip nga projektligji për barazinë gjinore do të thotë se po zgjedhim mos të shohim më rrënjën e pabarazisë.
“Pabarazia nuk fillon në ligj, ajo fillon në mendje, në mënyrën si rrisim vajzat dhe djemtë, si flasim për gratë në media, politikë e biznes dhe si gjykojmë burrat që kujdesen për fëmijët e tyre” – thekson ajo.
Deklarat u përmbyll duke theksuar se ky ligj nuk është për ndarje por për bashkim, për familjen, për barazinë dhe për dinjitetin njerëzor, nuk është ideologji, por thirrje për respektin e të drejtave të njeriut.
Ky projektligj është i parashikuar për votim të kalojë për votim në 30 tetor, sipas kalendarit të seancave plenare.
Konsultimi për projektligjin u hap më 10 mars dhe u mbyll më 7 prill të këtij viti. Në regjistrin elektronik janë numëruar rreth 1,400 vizitorë dhe një koment nga Komiteti Shqiptar i Helsinikit. Ndërkohë, nga sugjerimet e bëra gjatë procesit nga shoqëria civile u morën parasysh dhe u pasqyruan në draftin e projektligjit rreth 12 komente.
Ndër organizatat që reflektuan sugjerimet e tyre për përmirësimin e draft-propozimit ishin: Qendra AËEN, SCiDEV, Aleanca LGBTI, etj.
Lexo edhe:
- A po legalizohen “70 gjini” në Shqipëri? Ja si qëndron e vërteta
- Elementët pozitivë që sjell projektligji për barazinë gjinore
- PS bën një hap pas, propozon ndryshime të projektligjit për barazinë gjinore

Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.