Komunikimi me gjuhë urrejtjeje në mjedisin mediatik ka shënuar rritje vitet e fundit. Një raport monitorimi i “Albanian Women in Audiovisual” (AWA) për periudhën janar 2024-qershor 2025 nxjerr në pah një situatë të dominuar nga sulme kundrejt gazetarëve, kryesisht me burim nga figura publike dhe institucionale.
Dorentina Hysa, eksperte e medias dhe komunikimit, e cila hartoi raportin u shpreh se gjatë monitorimit u raportuan në total 96 incidente të përdorimit të gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit (GJUD).
“Incidentet më të shpeshta të GJUD-së përgjatë periudhës së raportimit ishin ato me bazë gjinore me një përqindje prej (40.6%), ndaj gazetarëve me një përqindje prej (12.5%) dhe ndaj kundërshtarëve politikë me një përqindje prej (12.5%)”, qartësoi Hysa.
Të pranishëm në tryezë ishin gazetarë, përfaqësues politikë dhe përfaqësues të institucioneve monitoruese sikurse Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA).
Për Komisionerin e Mbrojtjes nga Diskriminimi, Robert Gajda, kjo problematikë është e përditshme, edhe në punën monitoruese që ata si institucion kryejnë. Mirëpo, sipas tij, zgjidhja në këtë rast nuk është vetëm ligjore.
“Ligje ka, standarde të vendosura, organe që merren, por ne thelb problemi mbetet kulturor dhe kuptohet që pastaj ka shumë aktorë të tjerë që do të duhet të përfshihen. Jo vetëm arsimor, por edhe mediatikë”, theksoi Gajda.
Zgjedhjet lokale të mbajtura në maj të 2025 dhe më pas arrestimi i kreut të bashkisë Tiranë, Erion Veliaj si dhe publikimi i artikujve investigativë ishin disa nga ngjarjet nxitëse për gjuhë urrejtjeje dhe diskriminuese ndaj gazetarëve, thekson më tej raporti.
Kjo gjuhë urrejtjeje ndaj gazetarëve është në rritje krahasuar me raportet e mëhershme.
“Incidentet e raportuara tregojnë se gazetarët profesionistë dhe mediat cilësore janë shënjestra kryesore e GJUD, e cila gjenerohet nga politikanë, zyrtarë shtetërorë dhe media të tjera me lidhje politike,” thuhet në raport.
Në këtë pikë, përmenden raste të sulmeve kibernetike ndaj mediave për publikime investigative, ashtu sikurse edhe gjuhë urrejtjeje dhe sulme ndaj gazetarëve që janë marrë me çështjet.
“Ky fenomen pasqyron lidhjet politike ose presionet që komprometojnë integritetin gazetaresk dhe rolin e medias si mbikëqyrëse e demokracisë”, thuhet në raport.
Sipas raportit mesatarja e rezultateve të përdorimit të GJUD-së ndaj gazetarëve është 3.5, duke treguar një nivel qasjeje emocionale nga i moderuar në të lartë.
“Ky rezultat nënkupton se ndaj gazetarëve shfaqen të gjitha nivelet e gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit, megjithatë, rreth 1/3 e incidenteve klasifikohen në nivelin 5-nxitje e dhunës”, thekson raporti.
Gjuhë urrejtjeje ndaj kundërshtarëve politikë
Sipas raportit edhe gjuha e urrejtjes ndaj kundërshtarëve politikë është rritur me 5% gjatë periudhës 2024-2025, krahasuar me raportin e vitit 2022.
‘Incidentet përfshijnë shumë kategori të GJUD-së, duke përfshirë: gjuhë urrejtjeje, seksizëm dhe stereotipa gjinorë, nxitje dhune, dehumanizim, aluzione homofobike, dhe dezinformim të motivuar politikisht”, thekson raporti.
Edhe në këtë fushë, ngjarja kryesore që ka nxitur gjuhë urrejtjeje është arrestimi i kryetarit të bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.
Përdorimi gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale të simbolikave dehumanizuese ishte po ashtu i pranishëm.
“Gjatë gjithë fushatës Rama iu referua udhëheqësit të opozitës, Sali Berisha, si “bufi i moçalit”, një metaforë e krijuar për ta tallur dhe për ta paraqitur si të tjetërsuar. Kjo frazë e portretizon Berishën jo si aktor politik, por si një krijesë të lidhur me kalbëzimin dhe errësirën”, thekson raporti.
Edhe debatet publike dhe televizive janë njëjtë të mbushura me gjuhë urrejtjeje dhe diskriminim.
“Deputeti i opozitës Flamur Noka është përfshirë në një sërë incidentesh duke penguar fizikisht kolegët të flasin, duke hedhur një shishe uji ndaj ministrit Taulant Balla, madje edhe duke kryer gjeste vulgare me dorë ndaj kundërshtarëve politikë”, thekson raporti.
Edhe narrativa e përdorur nga kandidatja e Partisë Socialiste Zegjine Çaushi gjatë fushatës kundrejt kundërshtarin politik Gaz Bardhi u pa si seksizëm dhe insinuatë homofobike.
Ndërsa për vetë gratë dhe vajzat raportimet gazetareske përqendrohen te paraqitja fizike, pamja apo aspekti emocional, thekson raporti.
“Do ta zhvishja Spiropalin. Duket shumë mirë.” është tregues i qartë i seksualizimit dhe mungesës së vlerësimit të rolit politik të grave”, nënvizon raporti si rast të përdorur gjatë fushatave politike.
Sipas deputetet Jorida Tabaku gjuha e urrejtjes ndaj vajzave dhe grave në politikë dhe linçimi është përpjekja për ti ikur përgjegjësisë.
“Gratë në politikë, në media, në jetën e përditshme përballen me fyerje, me nëncmime, me sulme personale që nuk kanë asnjë lidhje me debatin publik. Gjuha e urrejtjes është vetëm maja e ajsbergut. Në të shihet një kulturë që po e zhvesh fjalën nga përgjegjësia”, u shpreh Tabaku.
Për Komisionerin Gajda, diskursi politik është një nga më të këqijat dhe negativet që ne hasim.
“Kthehet në një shembull negativ kur përfaqësuesit tanë, të popullit janë në Kuvend dhe as nuk kuvendojnë e diskutojnë, por zihen dhe ofendojnë me njëri-tjetrin, imagjinoni çfarë modeli është ky për të rinjtë, për ata që aspirojnë të jenë nesër funksionarë publikë”, u shpreh Gajda.
Raportimet me gjuhë urrejtjeje dhe diskriminuese
Raporti thekson se gjuha e urrejtjes dhe diskriminimit ka qenë në nivele të larta edhe në mjedisin mediatik.
“Fakti që GJUD mbi baza gjinore mbetet forma më e përhapur tregon institucionalizimin e urrejtjes ndaj grave në një shoqëri patriarkale dhe mungesën e profesionalizmit mediatik për të raportuar me ndjeshmëri ndaj çështjeve sociale me bazë gjinore”, thekson raporti.
Sipas raportit raportimi mediatik për tema sikurse dhuna me bazë gjinore, dhuna në familje, abuzimi seksual dhe ngacmimi bëhen përmes sensacionalizmit.
“Titujt “click-bait” (karrem për klikime) mbeten një instrument strategjik që media përdor për të përftuar sa më shumë klikime në artikujt e tyre pa marrë në konsideratë dëmin që shkaktojnë te personat e prekur, te familjet e tyre apo në tërësi në shoqëri”, nënvizon raporti.
Ndërsa shqetësuese shihet edhe hapësira e komenteve nga qytetarë në platformat online, të cilat nuk menaxhohen duke u bërë strofull e gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit.
Lexo gjithashtu:
- Rritet gjuha e urrejtjes dhe dhuna online ndaj fëmijëve dhe të rinjve në TikTok dhe Instagram
- “Përtej Përkufizimeve” – Studim dhe thirrje kundër gjuhës së urrejtjes
- “Aleanca Kundër Urrejtjes” dënon përdorimin e gjuhës së urrejtjes për përfitime politike

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).