Dhimitër Koleci nuk e hapi për një javë zarfin e sjellë nga korrieri, pasi mendoi se kishte të bënte me një shkresë të radhës mbi padinë që banorët e Zall Gjoçajt i kishin bërë kompanisë “Seka Hydropower” për ndërtimin e HEC-it në atë zonë.
Mirëpo, më pas Dhimitri kuptoi se në fakt pala e paditur ishte ai.
“Më mori korrieri në telefon dhe unë gjithmonë me idenë që ne kemi një padi që ka shkuar në Lezhë për dëmet që ka bërë firma atje në zonë dhe ka 5-6 vjet që është atje dhe nuk e ka prekur njeri fare. Gjithmonë me idenë që është kjo padia jonë”, u shpreh Dhimitër Koleci për Citizens.al.
Në fakt, padia e ngritur nga “Seka Hydropower” ishte bërë ndaj banorëve Dhimitër Koleci, Adem Xhokola në Zall Gjoçaj dhe Jorgji Locajt në Lufaj të Mirditës për kryerjen e veprave penale të fyerjes dhe shpifjes.
Të tre banorët i bashkon e njëjta kauzë: kundërshtimi i hidrocentraleve në lumin Flim dhe Urakë.
Kompania “Seka Hydropower” pretendon se banorët e paditur gjatë organizimit të një proteste në Lufaj të Mirditës në korrik 2025, i kanë dëmtuar figurën, përmes komunikimit që kanë pasur për mediat dhe mes njëri-tjetrit.
Për Jorgji Locajn ky është një presion direkt ndaj tyre si aktivistë dhe palë e prekur nga ndërtimi i hidrocentralit.
“Unë asnjë lloj shpifjeje nuk kam bërë, vetëm të vërtetën kam thënë. Për të gjitha që kam folur aty janë me fakte”, u shpreh Jorgji Locaj për Citizens.al.
Sipas tij, investimi që ka kryer në vendin e tij të lindjes ka shkuar dëm, që prej futjes së ujit në tuba. Ndërsa shprehet se sa herë shkon me familjen në fshat merr ujë të pijshëm me vete, pasi për shkak të HEC-it nuk ka dhe ujë të pijshëm.
“Mua më janë tharë të gjitha pemët atje për shkak të mungesës së ujit nga HEC-et. Unë nuk dua të hyj në sherr, do të hyjë drejtësia. Kam bërë vetë financim atje, duke çuar ujin me anë të tubave deri te toka ime vetëm të mos konfiktohem me firmën, kam paguar nga xhepi im”, u shpreh Locaj.
Kjo padi është një formë presioni edhe për aktivistin Dhimitër Koleci, i cili bashkë me Adem Xhokolën e të tjerë banorë e aktivistë të zonës janë në protesta e duke kundërshtuar përmes proceseve gjyqësore të hapura ndaj kompanisë, HEC-in e ndërtuar në Zall-Gjocaj.
‘Këto nuk janë shpifje, këto janë të ëërtetuara të gjitha, i kemi deklaruar të gjitha edhen ë paditë që kemi bërë. Është presion që ju bëhet aktivistëve. Nuk është hera e parë që bëhet. Ne kemi pasur kërcënime, kemi pasur edhe dërgime në komisariat nga aktivistë të tjerë, nuk është hera e parë që ndodh”, u shpreh Dhimitër Koleci.
Sipas Kolecit, dosja e dërguar në Prokurorinë e Lezhës nuk është marrë fare parasysh, ndërsa kanë protestuar dy herë edhe para këtij institucioni.
“Asnjë thirrje asgjë, kemi 6 vjet që e kemi dorëzuar, për dëmet që ka bërë firma atje, dëme në varreza, dëme në mulli, kanali vaditës, uji i pijshëm të gjitha këto”, u shpreh Dhimitër Koleci.
Koleci bashkë me aktivistët e tjerë, kanë shkuar edhe pranë komuniteteve të tjera që janë duke kundështuar ndërtimin e hidrocentraleve në shenjë solidariteti.
Komuniteti i Kaçinarit, Kurdarisë, Lufajt janë po ashtu duke protestuar ndaj ndërtimeve të HEC-eve në këto zona.
Padi të tilla quhen si padi SLAPP, të cilat bëhen zakonisht nga kompanitë kundrejt qytetarëve apo gazetarëve, me qëllim që të heshtin iniciativat e tyre.
Banorët e Zall Gjoçajt ndërkohë janë në procese gjyqësore, së fundmi në Gjykatën Administrative të Apelit në Tiranë, ku seanca e radhës pritet të mbahet më 28 tetor 2025.
Një betejë gjyqësore që zgjat prej pesë vitesh
Padia në Apel kundërshton një vendim të vitit 2020, në të cilin Gjykata e Shkallës së Parë rrëzoi kërkesat e banorëve për të ndalur ndërtimet në Parkun Kombëtar “Lurë-Mali i Dejës”.
Ndërkohë që komuniteti lokal i pati kundërshtuar projektet me protesta që prej vitit 2018.
Çështja aktuale kërkon pavlefshmërinë e deklaratës mjedisore, lejes së ndërtimit, lejes së përdorimit të ujërave si dhe shfuqizimin e urdhrit të ish-Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit që zvogëloi fondin pyjor të zonës me rreth 6180 m2 si dhe shkresat e AKZM-së që i dhanë dritën jeshile zhvillimit të projekteve.
Argumenti qendror i banorëve të Zall-Gjoçajt është se sipas ligjit nr.81/2017 për Zonat e Mbrojtura nuk lejohet ndërtimi i impianteve të tilla në zona të kategorisë “II” të nivelit të mbrojtjes.
Prandaj, si palë të paditura, përveç kompanisë “Seka Hydropower”, janë dhe institucionet sikurse: Ministria e Mjedisit, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Këshilli i Basenit Ujor Mat, Këshilli Kombëtar i Territorit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë si dhe Bashkia Mat.
Në vitin 2018, Zall-Gjoçaj u bashkua me Lurën për të formuar një nga parqet Kombëtare më të mëdha në Shqipëri. Por në janar 2022, qeveria rishikoi kufijtë dhe e hoqi nga ky park zonën ku tashmë është ngritur diga e HEC-it “Zajs”.
Ky ndryshim ligjor, i bërë në mes të konfliktit gjyqësor, u cilësua nga banorët si tentativë për të legjitimuar shkeljen. Më herët, në shkurt 2020 banorët e Matit kishin kërkuar zhvendosjen e hidrocentraleve jashtë zonës së mbrojtur dhe për këtë ngritën një padi të dytë.
Kronologjia e ndjekjes së çështjes në rrugë ligjore:
- Nëntor 2019 – Gjykata Administrative e Shkallës së Parë rrëzoi kërkesën për ndalimin e punimeve.
- Qershor 2020 – Gjykata Administrative rrëzoi padinë për ndalimin e HEC-eve.
- Janar 2021 – Gjykata anuloi licencën e dhënë nga Enti Rregullator i Energjisë (ERE) për HEC-in “Zajs” brenda Parkut Kombëtar Zall-Gjoçaj.
- Janar 2021 – Gjykata rrëzoi padinë kundër institucioneve që dhanë lejet.
- Qershor 2021 – Banorët protestuan përpara Gjykatës Administrative të Apelit duke kërkuar që ajo ta marrë në shqyrtim apelin e tyre.
- Nëntor 2021 – Apeli lë në fuqi vendimin për anulimin e licencës së ERE-s ndaj HEC-it “Zajs”.
- Shkurt 2022 – ERE zbaton vendimin dhe i heq licencën HEC-it “Zajs”.
- Nëntor 2022 – Gjykata e Lartë konfirmon përfundimisht heqjen e licencës kompanisë “Seka Hydropower” për një nga HEC-et.
Lexo gjithashtu:
Gjykata shtyn vendimin për HEC-et në Zall-Gjoçaj
Në Lufaj të Mirditës uji mungon për shkak të një hidrocentrali

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).