Citizens.al

Lejimi i punimeve për HEC-in në Kurdari shton tensionet mes banorëve dhe kompanisë

Makineritë e kompanisë bllokuar në anën lindore të lumit të Lusës, Kurdari/Citizens.al

Vendimi i Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë për të mos pezulluar punimet e hidrocentralit “Doma” në Kurdari të Matit ka shtuar tensionet mes banorëve dhe kompanisë “Global Interprise Group”.

Pas vendimit, punonjësit e kompanisë janë kthyer në terren, duke nxitur reagime dhe përplasje me banorët, të cilët e kundërshtojnë prej kohësh ndërtimin e impiantit mbi lumin e Lusës.

Gjykata rrëzoi kërkesën e tyre për sigurimin e padisë, deri në përfundim të procesit gjyqësor për ligjshmërinë e projektit.

Inspektim dhe tensione në terren

Të mërkurën, në zonë u panë përfaqësues të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN), të cilët inspektuan mjediset përreth. Ata u shoqëruan nga banorët, të cilët pretendojnë se ndërtimi u shkatërron burimet ujore dhe tokat bujqësore fshatit.

Avokatët e banorëve, Adriatik Lapaj dhe Dorina Prethi, paraqitën në gjykatë prova video dhe audio nga terreni.

Materialet tregonin se traseja ishte hapur dhe po përgatitej për shtrirjen e tubacioneve, megjithëse procesi është ende nën shqyrtim. Ata dorëzuan gjithashtu 500 firma të banorëve që kundërshtonin projektin, por kjo nuk mjaftoi për pezullimin e punimeve.

Sidoqoftë, banorët janë shprehur të bindur se do ta vijojnë rezistencën duke mos lejuar makineritë të shkojnë në kantier. Seanca e radhës gjyqësore pritet të zhvillohet më 30 tetor. Banorët shpresojnë për një vendim të drejtë “pro” tyre.

Në të njëjtin lum në zonën e Kurdarisë dhe fshatrave përreth, ishin parashikuar edhe dy hidrocentrale të tjera. Bashkë me HEC-in “Doma” edhe “Lusa 1” dhe “Lusa 2”, të kompanisë “Idrolusa”.

Sipas dokumenteve të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit (AKM), për asnjërin nga këto dy projekte të tjera nuk është zhvilluar dëgjesë publike.

Në një shkresë zyrtare të tetorit 2025, AKM pranon mungesën e dëgjesave dhe thekson se projektet nuk kanë marrë miratimin paraprak nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Gjithashtu, Bashkia Klos ka kundërshtuar vijimin e procedurave pa përmbushjen e detyrimeve të kompanive ndaj saj.

“AKM […] nuk ka nxjerrë vendim për projektin pa përmbushje të kushteve në lidhje me legjislacionin mjedisor në fuqi,” u tha në shkresën e AKM-së.

Mati kundër HEC-eve

Pesë fshatrat e njësisë administrative Suç: Suç, Kurdari, Kurqelaj, Skënderaj dhe e Kujtim, kanë qenë shënjestër të veprave energjetike prej vitit 2006. Në atë kohë projekti për ndërtimin e një HEC-i në lumin e Lusës nuk u konkretizua.

Në vitin 2017-2018 dy shoqëri të ndryshme si “Indrolusa” dhe “Global Interprise Group” aplikuan për të ndërtuar hidrocentrale në këtë zonë.

Në vitin 2017, qeveria i dha leje firmës “Idrolusa” për ndërtimin e HEC-eve “Lusa 1 dhe Lusa 2”.

Banorët, u përpoqën t’i bindnin institucionet se ishin kundër këtyre projekteve, prandaj në 2020 iu drejtuan zyrës së Kryeministrisë. Në përgjigjen zyrtare, thuhej se qeveria ishte në dijeni të problemit të ngritur nga banorët dhe se ajo “mbështet para së gjithash interesat e tyre”.

Por, pas përfundimit të afateve ligjore dhe mosrealizimit të këtyre veprave në fshat, kompania “Idrolusa” u kthye në fshatin Skënderaj në vitin 2022 për një konsultim të ri. Ata refuzuan ta zhvillojnë takimin duke treguar kundërshti.

Agjencia Kombëtare e Mjedisit u shpreh atë kohë për Citizens.al se komuniteti nuk kishte shqetësime për ndërtimin e këtij hidrocentrali.

“Në takim është prezantuar projekti, janë dëgjuar sugjerimet e pjesëmarrësve, të cilat do të merren parasysh nga ana e investitorëve, gjatë kohës së shfrytëzimit”, tha AKM-ja për Citizens.al.

Paralelisht, në vitin 2018, shoqëria “Global Interprise Group” donte të ndërtonte në të njëjtin lum hidrocentralin “Doma”. Ndaj zhvilloi një dëgjesë publike, ku morën pjesë 19 banorë.

Në dokumentet nga Ministria e Mjedisit dhe Agjencia Kombëtare e Mjedisit, thuhet se ata shprehën dakordësinë për zhvillimin e hidrocentralit. Mirëpo, 12 prej tyre, janë shprehur me shkrim se firma e pjesëmarrjes së tyre u është manipuluar si deklaratë dakordësie.

“Deklarojmë se kemi marrë pjesë si dëgjues për projektin ‘Doma’, por nuk kemi shprehur dakordësi pasi bie ndesh me interesat jetikë”, thanë ata në deklaratë.

Më pas, një tjetër tentativë për të zhvilluar një dëgjesë me komunitetin për zhvillimin e projekteve hidrike u përsërit në vitin 2020, por u refuzua masivisht nga banorët dhe u mblodhën 631 firma kundër.

Pesë vite më pas, kompania ia ka dalë të marrë lejen përmes një procesi konsultimi publik të pazbardhur ende, për të cilët banorët shprehen se nuk janë pyetur. Banorët janë organizuar sërish në protesta, duke mos lejuar asnjë mjet të rëndë pune të shkojë në terren. Ndërsa së fundi kanë nisur edhe procesin gjyqësor.

Banorët iu drejtuan edhe institucioneve ndërkombëtare, sikurse Ambasadës Amerikane dhe Delegacionit Evropian në Shqipëri. Në shtator ata morën përgjigje vetëm nga Delegacioni Evropian, i cili shprehej se kanë ndjekur shqetesimet e banorëve dhe i shohin me prioritet të drejtat e qytetarëve, të drejtat e pronës dhe respektimin e mbrojtjes së mjedisit.

“Delegacioni i BE-së në Shqipëri nuk ka mandat ligjor për të ndërhyrë në çështje individuale, por do ta ndjekë këtë rast në kuadër të dialogut që zhvillohet me institucionet e qeverisë shqiptare gjatë procesit të negociatave të anëtarësimit,” thuhej në komunikimin e Delegacionit të BE-së në Shqipëri.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW