Raporti përfundimtar i OSBE-ODIHR mbi zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 nxori n ë pah problematika domethënëse si pabarazinë në garë, keqpërdorimin e burimeve shtetërore dhe censurën në media.
Një pjesë e konsiderueshme e raportit flet për rolin e medias dhe ndikimin që pati si pushtet i katërt. Por sipas tij, shumica e mediave shqiptare varen nga financime të paqarta, të lidhura me interesa politike dhe biznesi, duke cenuar pluralizmin dhe cilësinë e informacionit publik.
“Përqendrimi i pronësisë në media minon më tej shumëllojshmërinë e burimeve të informacionit, në kundërshtim me standardet ndërkombëtare”, thuhet në raport.
Në këtë këndvështrim, Zyra për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) kërkon miratimin e një kuadri të plotë ligjor për transparencën e pronësisë dhe mbrojtjen e autonomisë redaksionale nga ndërhyrjet politike dhe ekonomike.
RTSH dhe AMA pa pavarësi reale
Sipas raportit, as Radio Televizioni Shqiptar (RTSH) dhe as Autoriteti i Mediave Audiovizive (AMA) nuk gëzojnë pavarësi të vërtetë institucionale.
“Procedura bipartizane e emërimeve nuk garanton pavarësinë faktike të tyre,” thuhet në dokument, teksa rekomandohet depolitizimi i këtyre institucioneve përmes një procesi të gjerë konsultimi publik me median e pavarur dhe shoqërinë civile.
Presioni dhe autocensura
Raporti vëren se pronarët e mediave ushtrojnë ndikim të drejtpërdrejtë mbi përmbajtjen editoriale, ndërsa autocensura mbetet praktikë e zakonshme mes gazetarëve.
“[…] gazetarët përballen vazhdimisht me sulme verbale dhe, në disa raste, edhe fizike nga zyrtarë publikë,” thekson raporti, duke shtuar se numri i konferencave qeveritare është ulur ndjeshëm teksa gazetarët pengohen të marrin pjesë në aktivitete.
Në shumë raste, mbulimi editorial është zëvendësuar nga materiale të prodhuara nga vetë institucionet.
Agjencia e Medias dhe Informacionit (MIA), që vepron nën zyrën e Kryeministrit, cilësohet “filtruese e informacionit publik”.
Sipas raportit, reduktimi i financimeve ndërkombëtare ka goditur edhe mediat e pavarura të shoqërisë civile, të vetmet që ofrojnë gazetari hulumtuese me interes publik.
Vëzhguesit e ODIHR-it dhe organizatat e shoqërisë civile kanë raportuar raste të frikësimit dhe pengimit të gazetarëve gjatë periudhës zgjedhore.
Liria e shprehjes dhe paditë strategjike (SLAPP)
Edhe pse Kushtetuta garanton lirinë e shprehjes, raporti vëren se shpifja mbetet vepër penale në Shqipëri.
Gazetarët janë përballur me një numër të lartë padish civile dhe penale për shpifje, përfshirë raste të padive strategjike kundër pjesëmarrjes publike, njohur me akronimin SLAPP.
OSBE-ODIHR rekomandon dekriminalizimin e plotë të shpifjes dhe harmonizimin e dispozitave civile me standardet ndërkombëtare.
Raporti përmend rastin e gazetarit Elton Qyno, të cilit iu sekuestruan pajisjet elektronike gjatë raportimit për një çështje të krimit të organizuar.
Gjykata, sipas raportit, e cilësoi sekuestrimin “ndërhyrje të tepruar në të drejtën e informimit publik”.
Pabarazia në mbulimin mediatik të fushatës
Kodi i Transmetimit kërkon mbulim të paanshëm gjatë zgjedhjeve, por Kodi Zgjedhor nuk garanton trajtim të barabartë për partitë joparlamentare.
Sipas raportit, dy partitë kryesore, Partia Socialiste (PS) dhe Demokratike (PD), dominuan hapësirën televizive, duke marrë mbi 40% të kohës në ekranet kombëtare (RTSH, TVKlan, Top Channel, A2-CNN, etj.), ndërsa garuesit e tjerë jo më shumë se 5%.
Një pjesë e madhe e materialeve televizive u prodhua nga vetë partitë politike. Raporti thekson se kjo qasje me mbulime të vetëprodhuara dhe paguara përbëjnë reklamë politike dhe vendosin në disavantazh garuesit që nuk kanë mundësi financiare.
ODIHR kërkon që çdo material i tillë i prodhuar nga partitë të etiketohet qartë si reklamë politike dhe të ndalohet përfshirja e tij në programet redaksionale duke shtyrë dhe institucionet si Komisionin Qendror të Zgjedhjeve të garantojë zbatimin efektiv të ligjit.
Ndalimi i TikTok dhe fushata online e kufizuar
Raporti kritikon edhe vendimin e përkohshëm të qeverisë për mbylljen e platformës TikTok më 6 mars 2025, të cilin e konsideron “të papajtueshëm me standardet ndërkombëtare”.
Sipas ODIHR, ky ndalim kufizoi aftësinë e partive joparlamentare për të bërë fushatë në kushte alternative dhe të barabarta.
Në përfundim, raporti nënvizon se mjedisi i kontrolluar mediatik dhe mungesa e transparencës institucionale privuan qytetarët nga informacioni i pavarur dhe të besueshëm mbi garën zgjedhore.
Lexoni gjithashtu:
- 10 pikat e raportit të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e 11 majit
- Kodi i ri Penal: Cilat nene kërcënojnë lirinë e medias?
- Përqendrimi i pronësisë rrezikon lirinë e medias në Shqipëri, thotë raporti

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).