Citizens.al

Naftëtarët e “Bankers Petroleum” protestë përpara zyrave të kompanisë

Naftëtarët protestë përpara “Bunkers Petroleum”

Në ditën e 15-të grevës së urisë, naftëtarët e kompanisë “Bankers Petroleum” e zhvendosën protestën përpara zyrave në Fier.

“Që kur kam filluar punë, më shumë më është rritur tensioni, sesa rroga!”; “Boll më, me mashtrime!”; “Dinjitet për naftëtarët!”, ishin disa nga pankartat që ata mbanin në dorë.

Disa prej grevistëve kishin marrë me vete dhe fëmijët. Ata theksuan se nëse kërkesat e tyre do të vijojnë të injorohen, do ta zhvendosin protestën në Tiranë.

“Do të shkojmë drejt Tiranës dhe do të ngujohemi atje ku është qendra e korrupsionit, para Kryeministrisë. Nuk do ndalemi!” tha Ago Nuhaj, punonjësit e Bankers.

Prej rreth dy javësh naftëtarët e zonës së Patos-Marinëzës, të organizuar nga Sindikata e Sektorit Hidrokarbur janë në grevë për rritje pagash dhe përmirësim të kushteve të punës.

“Po t’i pyesësh ka punonjës që këtu vazhdojnë të marrin 500, 600, 700 apo edhe 800 euro, ndërkohë punonjësit kinezë apo shtetas të tjerë këtu, marrin deri në qindra mijëra,” theksoi Dritan Shahu, Kryetar i Sindikatës së Sektorit Hidrokarbur.

Vetëm mbrëmë në darkë, më 28 tetor, pranë grevistëve ka ndërhyrë sërish ambulanca. Dy prej tyre kanë shfaqur probleme shëndetësore dhe kanë marrë trajtim, ndërsa njëri prej tyre është dërguar për kujdes më të specializuar në spital.

Gjatë protestës punonjësit theksuan presionet e vazhdueshme që po u bëhen, sipas tyre, nga përfaqësues të kompamisë, për të ndërprerë grevën.

“Kanë dal në fushë, u kanë bërë presion punëtorëve, u kanë vajtur nëpër shtëpia, u kanë gjetur adresën, ku punojnë gratë, burrat, është një zinxhir i tërë i korrupsionit,” vijoi Nuhaj.

Grevistët janë mbështetur në vazhdimësi nga organizata të shoqërisë civile dhe sindikata, të cilat kanë shprehur solidaritet me kauzën e tyre.

“Bashkohuni per të mbështetur punëtorët që po kërkojnë të drejtën e tyre! Zëri ynë bashkë eshtë forcë!” kishte shkruar organizata “Drejtësi Sociale” në rrjetet online.

Më 22 tetor, në një reagim zyrtarë Bankers Petroleum shpjegoi se një takim i mbajtur nga ata me punonjësit në grevë, nuk shkoi mirë. Sipas tyre, ata nuk janë në gjendje të miratojnë rritje pagash, për shkak të presioneve të vazhdueshme financiare, duke përfshirë rënien e çmimeve të naftës, vlerës së këmbimit valutor dhe parashikimet që sugjerojnë një rënie të mëtejshme vitin e ardhshëm.

Protestat e punonjësve të Bankers nisën fillimisht gjatë muajit shtator, por u ndërprenë pasi u mendua për një zgjidhje konsensuale midis palëve. Punonjës të Bankers i thanë gazetarëve të Citizens, asokohe, se po ndërmjetësonin një marrëveshje.

Por si duket, mos-arritja në një dakordësi i çoi naftëtarët drejt grevës më 15 tetor. Citizens ka raportuar vazhdimisht për ndotjen mjedisore dhe sfidat e banorëve të Patos-Marinzës.

Lexoni gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW