Në një podium të sajuar në Parkun Europa, krah Bashkisë së Tiranës, aktivistë të “Qëndresës Qytetare” organizuan sot një aktivitet ndërgjegjësues kundër zhurmës së shkaktuar nga përdorimi i lirë i fishekzjarrëve.
Duke denoncuar mungesën e qetësisë publike, sidomos gjatë orëve të natës, ata ndanë në mënyrë ironike, “medalje” për qytetarët më të durueshëm dhe kërkuan masa ndëshkuese nga bashkia.
“Çmimi i tretë” iu dha Armand Skuka, një qytetar që kishte arritur të flejë, pavarësisht shpërthimeve të përnatshme nën dritare.
“Ky është një njeri, që në vend të alarmit të mëngjesit, ka pasur fishekzjarrin e katit të parë,” tha me ironi aktivistja Jura Çitozi, e cila dorëzoi çmimet.
“Çmimi i dytë” iu dha Ines Mulellari, nënës që për dhjetë net rresht kishte përqafuar fëmijët e trembur nga zhurmat, duke u pëshpëritur: “Mos kini frikë, janë njerëz që s’kanë mësuar ende të festojnë me zemër, por me zhurmë.”
Ndërsa “Çmimi i parë i qetësisë kombëtare” iu dha Rea Xhukes, studente që për 30 net rresht kishte duruar shpërthimet pa reaguar me zemërim.
Aksioni ironik synoi të tërhiqte vëmendjen ndaj zhurmës së fishekzjarrëve, që hidhen lirshëm pa orar, një problem që është bërë pjesë e përditshme e jetës në kryeqytet.
Një nga zonjat e pranishme në protestë u shpreh për Citizens.al se ishte mjaft e shqetësuar nga zhurmat, sidomos për të vegjlit.
“Janë fëmijët që duhet të ruhen. Për mua, nuk duhen fishekzjarrët në atë mënyrë që të digjen, të vriten fëmijët, fëmijët nuk kuptojnë gjë,” tha ajo.
“Qytetarja më e duruar e Tiranës”, Rea Xhuke, tha se kjo nismë erdhi nga nevoja për të zgjuar ndërgjegjen qytetare.
“Për ne studentët që relativisht duam të mësojnë gjatë netëve, ajo është koha e vetme e qetë për t’u përqendruar. Këto zhurma e bëjnë të pamundur përqendrimin,” tha ajo, duke theksuar se protesta simbolike ishte një formë ndërgjegjësimi publik.
Peticion kundër zhurmës
Aktivistët njoftuan nisjen e një peticioni qytetar që do t’i dërgohet Këshillit Bashkiak të Tiranës, për vendosjen e gjobave ndaj përdoruesve të paautorizuar të fishekzjarrëve.
Medaljet e shpërndara kishin nga pas një kod që mundësonte qasjen në peticionin online.
Sipas Çitozit, nga kjo nismë qytetare kërkohet ndalimi i përdorimit të fishekzjarreve, sidomos gjatë orëve të natës (21:00-06:00) dhe shpallja e zonave të mbrojtura pranë spitaleve, qendrave sociale etj.
Në vitin 2018, tre ministri miratuan vendime që ndalojnë futjen dhe përdorimin e lirë të fishekzjarrëve e kapsollave, përveç rasteve të festave zyrtare.
Në prill 2024, ish-ministri i Brendshëm Taulant Balla njoftoi masa penale dhe rregulla të reja për licencimin dhe magazinimin e tyre.
“Sot, në mbledhjen e qeverisë kemi miratuar rregulla të reja […] do të jemi shumë strikt në këtë drejtim,” u shpreh ai asokohe.
Megjithatë, situata në terren mbetet e pandryshuar. Fishekzjarrët vazhdojnë të shiten dhe hidhen lirshëm, sidomos në orët e vona, duke sjellë shqetësim dhe pasiguri për qytetarët.

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).