Citizens.al

Segregimi që s’mbaron: 10 vite pas vendimit të Strasburgut, “Naim Frashëri” mbetet simboli i ndarjes etnike në arsim

Shkolla Naim Frasheri/Citizens.al

Autor: Brejdon Xhavara | Citizens.al

Në lagjen “Kulla e Hirit” të Korçës, një shkollë publike që dikur njihej për cilësinë dhe traditën e saj të mësimdhënies është kthyer prej më shumë se një dekade simbol i dështimit institucional.

Shkolla 9-vjeçare “Naim Frashëri”, në zemër të qytetit, mbetet hapësirë e ndarjes etnike për fëmijët nga komunitetet rom dhe egjiptian që përbëjnë mbi 90% të nxënësve të regjistruar.

Ky rast ka kaluar përmes institucioneve shqiptare, gjykatave kombëtare dhe përfundimisht në Strasburg, ku Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) konstatoi diskriminim për shkak të segregimit etnik.

Por dhjetë vjet më vonë, pas dëmshpërblimeve, planeve të veprimit dhe premtimeve, situata mbetet pothuajse e pandryshuar.

“Fëmijët tanë nuk po mësojnë dot as të lexojnë”

Historia nisi në vitin 2014, kur një grup nënash rome iu drejtua orgazatës “Qëndistaret” dhe “Qendrës për të drejtat e Gruas Rome” për të kërkuar ndihmë. Ato shprehnin shqetësimin se fëmijët e tyre, megjithëse në klasën e pestë, nuk dinin të lexonin, të shkruanin emrin apo të bënin ushtrime elementare.

Hetimet e mëvonshme të organizatave zbuluan se në shkollën “Naim Frashëri”, përveç mbingarkesës me nxënës nga komunitetet rome dhe egjiptiane, cilësia e mësimdhënies ishte ndër më të ulëtat në rajon.

Për herë të parë u artikulua publikisht fjala “segregim” – një ndarje etnike faktike që ndodhte pa asnjë urdhër zyrtar, por me tolerimin e autoriteteve.

Shteti ishte dëshmitar i një procesi segregimi që ndodhi në mënyrë graduale, pa ndërhyrje,” shprehet aktivistja Manjola Veizi, një nga drejtuesit e organizatave që ngriti rastin fillimisht.

“Për vite me radhë ne kemi kërkuar masa për të shmangur këtë situatë, por përgjigjet kanë munguar.

Sipas saj, pas viteve ’90, ndërsa shumë familje rome u përqendruan në lagjen “Kulla e Hirit”, shkollat e tjera të qytetit nisën të mos pranojnë më nxënës nga kjo zonë.

“Ishte një proces i heshtur përjashtimi,” shton ajo. “Në mënyrë natyrale, ‘Naim Frashëri’ mbeti vetëm për komunitetin rom dhe egjiptian. Dhe bashkë me këtë ndarje, ra edhe cilësia e arsimit.”

Nga Komisioneri në Strasburg: Një rrugë e gjatë drejt drejtësisë

Në vitin 2014, pas ankesave të prindërve dhe hetimit të shoqërisë civile, çështja iu dërgua Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Ky institucion konstatoi se autoritetet kishin dështuar të parandalonin dhe frenonin ndarjen etnike në shkollë, duke shkelur parimin e barazisë në arsim.

Por vendimi i Komisionerit nuk u zbatua plotësisht. Për këtë arsye, organizatat e përfshira dhe familjet e prekura iu drejtuan Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ) në Strasburg. Në vitin 2022, kjo gjykatë shpalli vendimin historik: Shteti Shqiptar kishte shkelur Nenin 1 të Protokollit Nr.12 të Konventës Evropiane, që ndalon çdo formë diskriminimi.

GJEDNJ konstatoi se Shqipëria kishte dështuar të merrte masa efektive për ndalimin e segregimit dhe se vonesat e institucioneve nuk mund të justifikoheshin objektivisht.

Si rezultat, Gjykata urdhëroi qeverinë shqiptare të marrë masa konkrete për të “ç-segreguar” shkollën, të kompensojë familjet e prekura me 4,500 euro për çdo familje dhe të raportojë periodikisht tek Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës për zbatimin e masave.

Vendimi u konsiderua një fitore ligjore për komunitetet e margjinalizuara, por faktet tregojnë se  ndryshimi ka qenë më shumë në letra sesa në realitet.

Dhjetë vite më pas: Çfarë ka ndryshuar?

Në tetor 2024, organizatat e përfshira paraqitën një ankesë pranë Këshillit të Evropës, tek Komiteti i Ministrave, duke raportuar progresin e pjesshëm dhe problemet e vazhdueshme.

Sipas tyre, ndarja etnike në “Naim Frashëri” vazhdon të jetë e pranishme, ndërsa fëmijët romë dhe egjiptianë vazhdojnë të mësojnë të veçuar nga bashkëmoshatarët e tyre.

Raportimet e qeverisë shqiptare tregojnë për “masa sistemike” si: plane veprimi, ndryshime ligjore, trajnime për mësuesit dhe promovim të rasteve të suksesit të nxënësve romë.

Megjithatë, monitorimet e konsiderojnë zbatimin të pjesshëm dhe jofunksional, raporti i vitit 2020 nga “European Commision against Racism and Tolerance” (ECRI) në faqen 20 pika 46 përshkruan qartë se:

“Në këtë zonë, të tri shkollat ekzistuese kanë shumicë të nxënësve romë dhe egjiptianë me 530 nga 700 (sipas vetëdeklarimit, pasi asnjë përkatësi etnike nuk regjistrohet në regjistrin civil). Mesatarja e përgjithshme sipas shkollës është 70%: Naim Frashëri (95%), Asdreni (51%), Ismail Qemali (67%)”.

Gjithashtu në Planin Kombëtarë për Integrimin e Minoritetit Rom dhe Egjiptian 2021-2025, thuhet se ka 5 shkolla dhe 12 klasa me përqendrim shpërpjesëtimor të nxënësve romë dhe egjiptianë dhe targeti për vitin 2025 është që asnjë shkollë të mos jetë e segreguar.

Në një shkëmbim komunikimi të Avokaturës së Shtetit midis GJEDNJ i berë publik në maj të vitit 2023 për rastin e segregimit të shkollës “Naim Frashëri” në Korçë, pranohet që kjo shkollë është e segreguar dhe qeveria shqiptare do të ndërmarrë një sërë hapash konkrete për arsimin gjithëpërfshirës, duke trajnuar mësuesit për “antigypsizmin” dhe vendosur në kurrikula mësimore materiale të historisë së komuniteteve Rome dhe Egjiptiane.

Por në Tetor të vitit 2024, pala paditëse “European Roma Rights Center” (ERRC) në një komunikim për këtë çështje deklaroi se këto masa nuk janë zbatuar në mënyrë efektive.

“Qeveria mund të ketë përgatitur dokumente dhe statistika, por realiteti në terren nuk ka ndryshuar,” thuhet në raportin e vitit 2024.

“Nxënësit janë ende të ndarë, shumë prej tyre braktisin shkollën, dhe përfshirja në arsimin e mesëm mbetet minimale.”

Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi konfirmoi se përveç Korçës, raste të ngjashme janë konstatuar edhe në Moravë, Berat dhe Shkodër. Sipas zyrtarëve të këtij institucioni, “edhe pse vendimi i Strasburgut është i qartë, masat për ta zbatuar janë minimale, të vonuara dhe pa vullnet të plotë politik.”

“Është bërë një studim fizibiliteti për situatën e ‘Naim Frashërit’ në vitin 2024, por pavarësisht takimeve të shumta, nuk kemi parë ndryshime të prekshme në terren,” deklaron Komisioneri Robert Gajda.

“Janë bërë ndërhyrje infrastrukturore, por jo masa për ç-segregim real,”

Ai shton se segregimi arsimor nuk është problem lokal, por fenomen kombëtar:

“Në shumë qytete, të gjithë fëmijët romë janë përqendruar në një ose dy shkolla, ndërsa shkollat e tjera të qytetit nuk kanë asnjë nxënës rom apo egjiptian. Kjo krijon dy realitete arsimore paralele, që dëmtojnë të gjithë.”

Ministria e Arsimit: “Po zbatojmë planin e veprimit”

Në një përgjigje zyrtare për Citizens.al, Ministria e Arsimit theksoi se është në proces të zbatimit të vendimit të Strasburgut dhe të Planit Kombëtar të Veprimit për Barazinë, Përfshirjen dhe Pjesëmarrjen e Romëve dhe Egjiptianëve 2021-2025”.

Sipas Ministrisë parashikohet që për vitin shkollor 2025-2026 të kryhet monitorimi i mbipërfaqësimit të nxënësve romë dhe egjiptianë, si dhe marrja e masave për parandalimin dhe shmangien e segregimit. Ministria gjithashtu thekson se po trajnon stafet e institucioneve për arsimin gjithëpërfshirës dhe antixhipsizmin.

Megjithatë, organizatat që ndjekin rastin theksojnë se këto masa janë më shumë “administrative dhe raportuese”, sesa ndërhyrje që prodhojnë ndryshim real.

Nga ana e saj, Bashkia e Korçës thotë se ka ndjekur rekomandimet e Strasburgut, duke punësuar një mediator kulturor nga komuniteti egjiptian, i cili punon ngushtë me shkollën dhe familjet për të reduktuar ndarjen.

“Bashkia, mbi bazë të kompetencave të saj, ka respektuar dhe ka vijuar punën për këtë pjesë,” thuhet në përgjigjen e Drejtorisë së Kujdesit Social.

Por Etleva Tare, e cila punon pranë Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskrimimi vlerëson se ndërhyrje të tilla mbeten të pamjaftueshme nëse nuk ndryshojnë politikat e regjistrimit dhe rajonizimit të shkollave ku fëmijët shpesh përfundojnë në të njëjtën shkollë thjesht për shkak të adresës.

“Segregimi nuk është vetëm ndarje fizike, por edhe rënie e nivelit të mësimdhënies,” shpjegon aktivistia Veizi.

Sipas saj, në “Naim Frashëri” pritet që çdo vit vetëm 3-4 nxënës të vazhdojnë në shkollë të mesme.

“Mësuesit kanë ulur pritshmëritë, sepse fëmijët vijnë nga familje me kushte të vështira, ku prindërit shpesh nuk dinë shkrim e këndim. Ky është një rreth vicioz i dështimit arsimor.”

Nga ana tjetër, fëmijët që rriten në shkolla ku nuk ka asnjë nxënës rom apo egjiptian humbasin mundësinë për të njohur diversitetin dhe për të mësuar bashkëjetesën.

“Kjo ndarje dëmton të gjithë shoqërinë,” thotë Komisioneri.

Krahasime rajonale: Shqipëria ende prapa

Shqipëria nuk është e vetme në këtë problem. Vende si Greqia, Maqedonia e Veriut, Kroacia dhe Hungaria kanë pasur gjithashtu vendime gjyqësore për segregimin e nxënësve romë, por shumë prej tyre kanë ndërmarrë hapa konkretë për integrim – nga transporti falas për fëmijët e komuniteteve, deri tek rishpërndarja gjeografike e nxënësve dhe programet për diversitet kulturor në shkolla.

Në Shqipëri, megjithëse ekzistojnë politika dhe plane, mungon zbatimi praktik dhe bashkërendimi mes institucioneve lokale, ministrive dhe komuniteteve.

Dhjetë vite pas ankesës së parë dhe tre vite pas vendimit të Strasburgut, realiteti i “Naim Frashërit” mbetet një kujtesë e dhimbshme e një drejtësie të vonuar. Familjet morën dëmshpërblim, por fëmijët vazhdojnë të ndjekin të njëjtën shkollë të ndarë.

Zbatimi i vendimit të GJEDNJ-së është cilësuar si i pjesshëm,  dëmshpërblimet janë kryer, por segregimi nuk është çrrënjosur. Për më tepër, raste të reja po shfaqen në Elbasan, Shkodër dhe Tiranë.

Manjola Veizi nga “Qendra për të drejtat e grave Rome” thotë se zgjidhja kërkon vullnet politik, planifikim afatgjatë dhe bashkëpunim real mes institucioneve dhe komunitetit.

Ndryshe, rreziku është që brezi i ardhshëm të përjetojë të njëjtën histori ndarjeje, thjesht me emra të tjerë shkollash.

Lexoni gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW