Ndërsa në Kuvend zhvillohej sot seanca plenare e radhës, minatorët e Spaçit marshuan drejt godinës duke kërkuar që deputetët t’u japin zë kërkesave të tyre.
Prej tre javësh ata ndodhen në grevë të përgjithshme, pasi koncensionari “Tete Albania” nuk u njohu sindikatën dhe refuzoi të nënshkruante me ta kontratë kolektive.
“Kërkojmë të drejtat tona. Kemi 9 vite punë aty dhe na kanë trajtuar si skllevër!”, u shpreh njëri prej minatorëve të pranishëm në protestë.
Marin Simoni, një nga 17 minatorët e pushuar së fundmi, kërkoi ndërhyrjen e deputetëve dhe të Ministres së Ekonomisë.
“Po lëmë kockat në minierë dhe këta rrinë këtu në karrige. Kërkesat janë që të njihet sindikata, sepse na përfaqëson ne. Të kthehemi të gjithë në punë sikur kemi qenë më përpara, në kushte të barabarta të gjithë.”
Minatorët kërkojnë gjithashtu paga dinjitoze dhe kushte më të sigurta pune.
“E kam filluar me një rrogë qesharake 2,500 lekë, tani është 2,800 lekë. Të hysh në minierë me kaq lekë është katastrofë. Vetëm pamundësia për t’u punësuar diku të bën që të hysh nëntokë”, u shpreh një tjetër minator për të cilin pasiguria rritet me moshën dhe sëmundjet profesionale.
Përfaqësuesit e Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë (KSSH) kërkuan gjatë protestës ndërhyrjen e institucioneve për zgjidhjen e situatës.
Kolë Nikollaj, përfaqësues i KSSH-së, theksoi nevojën për transparencë mbi kontratat koncesionare, duke i cilësuar ato themel për ndërtimin e kërkesave ligjore të minatorëve.
“Kërkojmë të gjithë deputetët e parlamentit të sensibilizohen me kërkesat tona të drejta dhe të fusin në shinat e duhura ligjore zgjidhjen e kërkesave të minatorëve të Spaçit,” tha Nikollaj.
Anisa Subashi nga KSSH denoncoi gjithashtu mungesën e kontrolleve në minierë dhe trajtimin e punëtorëve shqiptarë si “skllevër” nga kompanitë e huaja. Ajo tha se mungesa e kontrolleve i lë shteg vjedhjes së mineraleve ndërsa në dokumente kompanitë deklarohen me humbje.
“Ku është humbja kur ari dhe mineralet vidhen e dërgohen jashtë?” u shpreh ajo.
Edhe sindikatat e transportit dhe telekomunikacionit i bashkuan zërin protestës. Tonin Gjinaj, Sekretar i Përgjithshëm i Federatës së këtyre sindikatave kërkoi zbatimin e Kodit të Punës dhe ligjeve minerare, duke theksuar kontrastin se “për minatorët është urim të dalësh gjallë nga miniera, ndërsa për politikanët të dalin të majmur”.
Kompania koncesionare “Tete Albania” e ka cilësuar grevën “të paligjshme” dhe u ka bërë thirrje minatorëve të kthehen në punë.
Në deklaratën e saj të së martës u tha se punëtorët “kanë shkelur kontratat individuale të punës dhe ligjet në fuqi,” por që çdo çështje “mund të trajtohet përmes dialogut të hapur”.
Kronologjia e organizimi të minatorëve të Spaçit
Më 8 dhe 9 tetor rreth 70 minatorë të Spaçit bojkotuan punën dhe u mblodhën në protestë para ambienteve të minierës së bakrit dhe kompanisë “Tete Albania” për kushte më të mira, siguri dhe nënshkrim të kontratës kolektive duke njohur sindikatën e tyre të formuar më 16 gusht 2025.
KSSH-ja iu drejtua kompanisë për të filluar diskutimin e bisedimeve për nënshkrimin e kontratës.
Më 7 tetor, kompania iu drejtua KSSH-së me shkresë duke i thënë se ka mungesë dokumentacioni.
Sipas saj sindikata e re nuk kishte dorëzuar dokumentacion të vlefshëm ligjërisht dhe se KSSH nuk kishte paraqitur listën e anëtarëve apo vendimin e krijimit të saj.
Më 8 tetor, KSSH njoftoi kompanisë “Tete Albania” për nisjen e grevës së përgjithshme pa afat më 13 tetor.
Me një shkresë, kompania iu drejtua KSSH-së më 9 tetor ku i theksoi paligjshmërinë e grevës.
“KSSH-ja nuk ka provuar që anëtarët e konfederatës janë punëmarrës të shoqërisë së tyre, ndaj edhe nuk ka asnjë tagër dhe të drejtë për të zhvilluar bisedime në emrin e tyre”, thuhej në shkresën e kompanisë drejtuar KSSH-së.
Më 10 tetor u mbajt një takim ndërmjetësues mes KSSH-së dhe “Tete Albania” në Drejtorinë Rajonale të Agjencisë kombëtare të Punësimit dhe Aftësive në Lezhë. Takimi nuk pati asnjë dakordësim.
“Ndërmjetësi konstaton se nuk ekziston aktualisht frymë bashkëpunimi midis palëve; palët nuk janë të gatshme të vijojnë negociata në kuadër të procesit të ndërmjetësimit”, u tha në procesverbalin e mbajtur nga kjo drejtori rajonale.
Më 13 tetor minatorët nisën grevën e përgjithshme dhe tetë ditë më vonë, më 21 tetor, përfaqësuesit zhvillojnë takim ndërmjetësues në Ministrisë e Ekonomisë.
Minatorët kërkuan kthimin në punë të 17 kolegëve të tyre që u pushuan javët e fundit dhe nënshkrimin e një kontrate kolektive, por këto kërkesa si dhe 8 pika të tjera nuk u morën parasysh nga përfaqësuesit e kompanisë, të cilët vijuan ta konsiderojnë grevën të paligjshme dhe sindikatën përfaqësuese “pa mandat ligjor”.
Edhe ky takim ishte pa rezultat.
Më 30 tetor, minatorët e zhvendosën grevën dhe protestën para Kuvendit, ku përsëritën kërkesat me thirrjen që ato të marrin zë edhe në Kuvend.
Lexo gjithashtu:
- Minatorët e Spaçit në protestë për kushte dhe të drejta në punë
- Greva në Spaç: Kompania e quan të paligjshme, 16 minatorë të pushuar
- “Ende asnjë zgjidhje”; Minatorët e Spaçit vijojnë grevën

Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara, personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).