Citizens.al

Nga fitoret me Dinamon te pezullimi: Historia e volejbollistes Nayara Ferreira

Nayara Ferreira dhe ekipi i Dinamos/Citizens.al

Pezullimi nga aktivitetet sportive i volejbollistes braziliane të Dinamos, Nayara Ferreira, ka ndezur debat për diskriminim, mungesë etike sportive dhe transparence.

Volejbollistja ndihet e fyer, ndërsa federata dhe të paktën tre klube kundërshtare presin që ajo të kryejë analiza për të dëshmuar nëse është e përshtatshme për të luajtur në ligën e vajzave.

Pezullim pas tre muajsh angazhim

Pas tetë vitesh në Evropë – me skuadra të ndryshme në Spanjë, Portugali, Francë, Çeki, Finlandë – dhe dy sezonesh në Arabinë Saudite, më 21 gusht, Nayara Ferreira u zyrtarizua si volejbolliste e Dinamos.

E lartë 180 cm, me një buzëqeshje të plotë dhe flokë të shkurtra, ajo u prit me mjaft pritshmëri.

Agjencia që menaxhon shërbimet e 32-vjeçares, “Image4Sport”, e vlerësoi si një profesioniste me mentalitet dhe lidership fitues. Kështu, si sulmuese krahu, Ferreira kontribuoi suksesshëm në një nisje të mbarë të sezonit.

Dinamo rreshtoi pesë fitore radhazi duke mposhtur Partizanin, Vllazninë, Teutën dhe dy herë Korabin. Pas kësaj serie fitoresh, më 11 tetor, skuadra u ndal në Pogradec me një humbje 3-2 me sete.

Por para ndeshjes, klubi vendas kishte ngritur dyshime për aftësitë e saj fizike duke iu drejtuar Federatës Shqiptare të Volejbollit (FSHV).

Në një deklaratë të mëvonshme klubi tregoi se kishte kërkuar sqarime nëse ajo ishte e përshtatshme për të luajtur në kategorinë e vajzave pasi dyshohej për “përdorim substancash të ndaluara apo terapish hormonale”. Pretendimit të Pogradecit iu shtuan edhe klubet si Vllaznia dhe Partizani.

Për rrjedhojë Ferreirës iu kërkuan analiza, të cilat më 16 tetor ajo nuk pranoi t’i kryente dhe për rrjedhojë FSHV vendosi ta pezullojë nga aktiviteti.

Deri më sot ajo nuk është grumbulluar më me skuadrën. Të shtunën, kur Dianmo do të luajë kundër Teutës për Kupën e Shqipërisë, Ferreira do të bëjë tre takime zyrtare pa luajtur.

Dyshime të arsyeshme apo diskriminim?

Volejbollistja Ferreira e ka cilësuar çështjen e ngritur si diskriminuese në aspektin gjinor dhe fizik.

“Ju vetëm keni parë se si vishem, sa të gjatë i kam flokët, fizikun tim, nëse kam muskuj, apo tatuazhe,” tha ajo për mediat duke pretenduar se kishte kërkuar kopje të ankesave zyrtare, por që FSHV i kishte cilësuar ato si “private”.

Përfaqësues të FSHV-së theksuan për Citizens.al se pezullimi nuk lidhej me çështje gjinore apo substanca të ndaluara.

“Ajo është pezulluar për mosrespektim të kërkesës për kryerjen e analizave mjekësore të kërkuara nga Federata.”

Sipas FSHV-së, pezullimi do të hiqet sapo Ferreira të dorëzojë rezultatet e analizave në prani të një anëtari të federatës.

Zyrtarisht, federata ka bërë dy reagime (25 dhe 28 tetor) lidhur me çështjen, ku ka garantuar angazhimin për “proces të drejtë dhe transparent”, ndërsa ka theksuar se gjithçka është bërë duke ndjekur udhëzimet dhe normat ndërkombëtare, të cilat kërkojnë respektimin e konfidencialitetit.

FSHV ka dënuar deklaratat e bëra në media dhe rrjetet sociale nga përkrahës dhe përfaqësues të klubit Dinamo si “dezinformuese e dashakeqe”.

Por në radhët e klubit dinamovit mendojnë ndryshe. Trajneri i Dinamos, Orlando Koja, tha për Citizens.al se 32-vjeçarja i ka kryer analizat, por e prekur nga situata nuk është kthyer më as në stërvitje.

“Nuk e di se çfarë vendimi do të marrë, nëse do të vijojë të luajë në Shqipëri apo jo, por që pas skandalit nuk është paraqitur as në stërvitje dhe ka mundësi që të largohet fare nga një vend që e ka keqtrajtuar,” u shpreh Koja.

Sipas trajnerit, Ferreira i ka kryer analizat dhe ato janë marrë përsipër nga klubi i Dinamos. Ndërkohë vetë volejbollistja ka deklaruar se ato i ka bërë “për vete” dhe se rezultatet e tyre po mendon t’i bëjë publike.

Klubi i Dinamos tha për Citizens.al se pavarësisht se kanë kaluar dy javë nga ky zhvillim, ende nuk ka një sqarim publik mbi ecurinë e çështjes.

Por ndërkohë, burime nga FSHV bëjnë me dije se në mënyrë që rezultatet e analizave të pranohen, Ferreira do të duhet t’i kryejë ato nën shoqërimin e përfaqësuesve të federatës.

Ky rezulton të jetë protokolli ndërkombëtar që ndjekin federatat në raste të ngjashme dhe deri më sot një shoqërim i tillë nuk është pranuar.

Çështja e volejbollistes Ferreira ka tërhequr vëmendjen e organizatave të shoqërisë civile, të cilat e kanë denoncuar rastin si shkelje të dinjitetit dhe diskriminim.

Për këtë, rasti është vënë nën monitorim nga Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi (KMD), i cili ka paralajmëruar mundësinë e nisjes së hetimit “ex-officio”.

Citizens.al kontaktoi volejbollisten për koment, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk mori përgjigje.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW