Kryebashkiaku i arrestuar i Tiranës, Erion Veliaj, doli sot për herë të parë në publik rreth nëntë muaj pas arrestimit, për të ndjekur në Gjykatën Kushtetuese seancën mbi ankimin kundër vendimeve që çuan në shkarkimin e tij.
Një seancë me tension institucional
Veliaj mbërriti në ambientet e Gjykatës në orën 09:30, i shoqëruar nga policia e burgjeve dhe me pranga në duar, pasi u transferua nga paraburgimi i Durrësit mëngjesin e së premtes.
Ndryshe nga 10 shkurti, kur një numër i madh mbështetësish të Partisë Socialiste rrethuan mjediset e Strukturës së Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK), sot, vetëm tre-katër vetë u gjendën aty për të.
“Forca Lali!” thirrën ata teksa Veliaj zbriti nga furgoni i policisë dhe i përshëndeti me një buzëqeshje të thyer.
Në sallën e gjykatës, ai u ul krah përfaqësuesve të Presidencës, Këshillit të Ministrave dhe Avokaturës së Shtetit, në një seancë publike që nisi në orën 10:00.

Në hapje të seancës, Presidenca kërkoi që dekreti për shpalljen e zgjedhjeve në Tiranë të mos shqyrtohet nga Gjykata Kushtetuese, me argumentin se ky akt është jashtë juridiksionit të saj. Argumenti u mbështet edhe nga përfaqësuesit e qeverisë.
Por mbrojtja e Veliajt këmbënguli se çështja është në kompetencë e Kushtetueses, pasi lidhet drejtpërdrejt me kushtetutshmërinë e procedurës së shkarkimit.
Pas një diskutimi procedural, Gjykata rrëzoi me vendim unanim kërkesën e Presidencës, duke deklaruar se dekreti presidencial “do të trajtohet në themel të çështjes”.
Lexo: Tirana tjetër e Erion Veliajt
“Kam pritur 9 muaj për 9 minuta”
Për herë të parë pas arrestimit më 10 shkurt, Veliaj foli publikisht në sallën e gjyqit, duke e cilësuar procesin ndaj tij “një përçmim ndaj votës dhe demokracisë”.
Me syze të zeza, një bllok fletësh A4 në të cilat kishte përgatitur fjalën e tij me shkronja të mëdha, Veliaj theksoi se procesi ndaj tij ka qenë i padrejtë.
“Kam pritur 9 muaj për 9 minuta,” theksoi Veliaj.
“Jam rrëmbyer nga zyra ku më kanë zgjedhur qytetarët dhe jam mbyllur në një qeli me regjim më të rëndë se për një vrasës serial. Kam përjetuar shkelje të të drejtave themelore dhe përpjekje për të heshtur zërin e një të zgjedhuri tre herë radhazi.”
Në fjalën e tij, Veliaj pyeti cilën shkelje të rëndë kushtetuese kishte kryer për t’u shkarkuar nga detyra.
“Populli ka vendosur që askush nuk mund t’i ndërpresë mandatin e një të zgjedhuri përveçse kur ka kryer shkelje të rënda kushtetuese. Pyes: Cilën shkelje kam kryer unë jashtë ushtrimit të mandatit?”

Ai e përfundoi deklaratën me një apel drejtuar trupës gjykuese se nuk ishte në sallë për të mbrojtur veten, apo karrigen e pushtetarit, por “për të kërkuar që të mbrojmë së bashku demokracinë.”
Deklarata e Veliajt shënon një kthesë në komunikimet sa i përket mbrojtjes së tij. Në periudhën janar-mars ai u shfaq për publikun në emisionet televizive përmes inteligjencës artificiale.
Ndryshe nga ato dalje televizive ai tashmë është në një përballje politike për legjitimimin elektoral, duke u pozicionuar dukshëm si një “figurë e sulmuar nga sistemi”.
Vetë mënyrën se si Këshilli Bashkiak votoi shkarkimin e tij, ai e konsideroi si fyerje për faktin se erdhi edhe nga bashkëpunëtorët e ngushtë.
“Zot fali se nuk e dinë se çfarë bënë!” u shpreh ai teksa theksoi disa herë se në mënyrën se si u vendos për shkarkimin e tij është vënë në diskutim edhe prezumimi i pafajësisë.
Lexo: Kauza morale për të cilën s’po hetohet Veliaj
Një proces që mund të vendosë precedent
Seanca në Kushtetuese shënon një moment kyç për raportet ndërinstitucionale mes Presidencës, qeverisë dhe pushtetit vendor.
Vendimi përfundimtar i Gjykatës Kushtetuese pritet të përcaktojë nëse shkarkimi i një kryebashkiaku të zgjedhur mund të mbetet i vlefshëm gjatë një procesi penal ende në zhvillim.
Veliaj ndodhet nën masën e arrestit me burg që prej 10 shkurtit, dhe është në gjykim për korrupsion, pastrim parash, shpërdorim detyre dhe mosdeklarim pasurie, akuza që përfshijnë në disa raste edhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa.
Nëse Kushtetuesja pranon ankimimin e tij, dekreti i Presidentit Bajram Begaj për shpalljen e zgjedhjeve të reja në Tiranë mund të shpallet i pavlefshëm, duke hapur një debat të ri politik dhe juridik mbi legjitimitetin e pushtetit vendor në kryeqytet.
Lexoni gjithashtu:
