Në episodin e shtatë të sezonit të katërt të podkastit “Zëra”, gazetarja Erisa Kryeziu bisedoi me Osman Stafën, gazetar i zëshëm veçanërisht për çështjet e shëndetësisë.
Ndërsa ky episod përkon me Tetorin Rozë, si muaji i ndërgjegjësimit ndaj kancerit të gjirit që shoqërohet me thirrje te vijueshme ndaj vajzave dhe grave për të bërë kontrolle mjekësore, me qëllim që të parandalojnë këtë sëmundje.
Osman Stafa, prej disa vitesh ka nisur një angazhim përtej atij profesional, duke u kthyer në një aktivist për më shumë shërbime mjekësore, jo vetëm për gratë që vuajnë nga kanceri, por në tërësi për sistemin shëndetësor shqiptar.
Në këtë muaj, përpos se të dëgjuarit historitë personale të secilës prej vajzave dhe grave që janë duke luftuar betejat e tyre është e rëndësishme të flasim për sistemin.
Mirëpo, sistemi dukshëm është një strukturë e cila po dështon të mbajë premtimin themelor: të kujdeset dhe mbrojë jetën.
Në këtë bisedë Osman Stafa ndau zanafillën e tij ndërsa nisi të raportojë për raste të qytetarëve që vuanin nga kanceri dhe sëmundjet tumorale, ndërsa përballeshin me një sistem që nuk i përgjigjet qytetarit.
“Kishte gra të ndryshme që nuk bënin dot trajtimet për mungesë pajisjesh dhe ilaçesh, dhe nga ana tjetër ti shikoje me një lloj arrogance të frikshme dhe ç’njerëzore shtetarët që bënin thirrje që diagnostikohuni”, u shpreh Stafa.
Një javë më parë, Stafa bashkë me të tjerë aktivistë organizuan një protestë para Ministrisë së Shëndetësisë duke e quajtur “Tetori i Zi”. Sipas tij ky cilësim u bë pasi në të vërtetë gjendja është tragjike.
Stafa është i mendimit se premtimi i qeverisë për shëndetësi falas është i paarritur, për aq kohë sa qytetarët paguajnë dy herë për këtë sistem.
Të reaguarit çdo ditë për problematikat e shëndetësisë, mungesa e infrastrukturës, barnave, poltronëve për pacientët dhe shërbimi jo dinjitoz i tyre, megjithëse shpesh krijon edhe një narrativë dezinformuese nga ana e institucioneve.
“Nuk ka punuar brakiterapia 12 vite në Shqipëri. Punoi gjashtë muaj, tani është prishur prapë,” tha Stafa teksa kujtoi një rast ku ministria u përpoq ta përgënjeshtronte në një situatë denoncuese.
Mes të tjerash gazetari shprehet se edhe kur i janë dashur informacione zyrtare nga drejtoritë spitalore, nuk ka arritur ta marrë atë edhe kur ka venë në lëvizje Komisionierin për të Drejtën e Informacionit.
Duke paraqitur institucione shëndetësore të mbyllura dhe jo transparente për publikun.
Denoncimet dhe raportimet e tij të përditshme janë pasqyruar edhe në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Raporti i cili nxori në pah një sistem publik në kolaps.
Me barna të skaduara, aparatura që nuk punojnë, mungesë shtretërish, raportesh dhe protokollesh klinike, krizë kjo e cila zgjat prej vitesh.
Ndër elementët më problematikë ishte fakti se thuajse gjysma e listës së barnave antitumorale të autorizuara për tregtim nuk ishin importuar kurrë teksa 600 gra u lanë pa trajtim prej problemeve me pajisjet.
Më gjithë këtë, pyetjes nëse e gjithë kjo punë gazetareske dhe angazhimi publik ia vlen përballë shurdhërisë së institucioneve ai shprehet: Po.
“Ia vlen sepse ndoshta tani nuk do të ketë reagim, por do të vijë një moment që do të plasë,” theksoi Stafa me urimin që njerëzit të ndërgjegjësohen.
Lexo gjithashtu:
- “Zëra”, E1: Ervin Goci analizon komunikimin politik të Veliajt pas arrestimit
- “Zëra”, E2: Ines Leskaj analizon përfaqësinë gjinore në politikë
- “Zëra”, E3: Brisejda Lala dhe Arnen Sula flasin për restaurimin e Spaçit dhe kujtesën historike
- “Zëra”, E4: Emirjon Senja analizon formësimin e realitetit përmes Inteligjencës Artificiale
- “Zëra”, E5: Taulant Bino kritikon ndryshimet në ligjin për Zonat e Mbrojtura
- “Zëra”, E6: Urbanistja Sindi Doce rrëfen qytetin
