Aktivistë shqiptarë dhe italianë protestuan në Tiranë, të shtunën, kundër marrëveshjes “Rama-Meloni”, e cila shënjoi dy vjetorin e saj.
Disa rrjete si “Mesdhe” dhe “Network Against Migration Detention” bashkëpunuan për një plan treditor të quajtur “Të shfuqizohen qendrat e paraburgimit për migrantët”.
Më 1 nëntor u mbaj një marshim nga qendra e Tiranës, në drejtim të Kryeministrisë dhe Ambasadës Italiane, për t’u përmbyllur jashtë qendrave të kampit në Gjadër, në Lezhë.
Të dielën, 2 nëntor, në ambientet e Universitetit të Drejtësisë, u mbajt një konferencë ku pati panele të ndryshme diskutimi mbi ëndrrën evropiane, kolonializmin, të drejtën e lëvizjes, etj.
“Marrëveshja ilegale, rezistenca globale!”
Me një banderolë të madhe, e cila shkruante “Meloni, Rama, Von Der Leyen, Trump, burgjet tuaja të imigrimit janë kriminale” aktivistët marshuan në rrugët e Tiranës, përpara nisjes në Lezhë. Ndërkohe që gjatë marshimit dëgjoheshin thirrjet “Marrëveshja ilegale-Rezistenca globale”.
Aktivisti Edison Lika, i cili ishte i pari që mbajti fjalën, tha se kryeminstri Edi Rama për të mbajtur pushtetin, është i gatshëm, të bëj pakt edhe me djallin dhe është i gatshëm të burgos jo vetëm emigrantët, por të bëj çfarëdolloj “pisllëku” tjetër të nevojshëm.
“Edi Rama e mirëmban pushtetin e tij përmes këtyre figurave; duke bërë marrëveshje ilegale me Melonin, gjë e cila u kalua në heshtje nga Bashkimi Evropian,” theksoj Lika.
Lika shtoj se për shumë vite Evropa ka qenë ëndrra e shqiptarëve dhe jo vetëm si vend që kishte liri ekonomike, që mund të lëvizje lirshëm, por më shumë si aspiratë demokratike.
“Evropa pa demokraci është një Evropë së cilës i ka ardh fundi,” përmbylli Lika.
Të njëjtën retorikë për “shuarjen” e Evropës demokratike mbajtën edhe aktivistë të tjerë. Kështu, Detjon Begaj, aktivist i diasporës shqiptare në Itali tha se Shqipëria dhe Italia ndajnë të njëjtin vizion oligarkie dhe demokracie dhe kjo nuk është Evropa që ne ëndërruam.
“Giorgia Meloni tha se ky pakt do të funksiononte, por në fakt nuk funksionoi, e vetmja gjë që funksionoi ishte dhunimi i të drejtave të njeriut” nënvizoi Begaj.
Aktivistët u ndalën edhe tek shpjegimi i narracioni të së djathtës ekstreme dhe jo vetëm, e cila për migrantët jep zgjidhjen “ti ndihmojmë në shtëpitë e tyre”.
“T’i ndihmojmë në shtëpinë e tyre. Dhe pastaj çfarë bëjnë? Giorgia Meloni dhe qeveria italiane, është e gjashta në botë për eksportimin e armëve” përmbylli aktivisti Damiano Borin.
“Kampe që s’po funksionojnë”
Kjo ishte hera e dytë që këto grupime aktivistësh protestojnë në Tiranë kundër marrëveshjes Rama-Meloni. Hera e parë që marshuan në rrugët e Tiranës ishte më 2 dhjetor 2024.
Më 6 nëntor 2023, qeveritë e dy vendeve nënshkruan marrëveshje për të ndaluar valën e refugjatëve. Marrëveshja e pa-konsultuar më parë u bë e njohur për publikun vetëm nga mediat.
Marrëveshja Rama-Meloni për emigrantët parashikonte që rreth 3,000 refugjatë të mbërrinin çdo muaj në kampet e Gjadrit.
Por shifra zyrtare e pakonfirmuar deri më tani e migrantëve që ndodhen aktualisht në Gjadër mendohet të jetë rreth 20 persona. Ajo që është e konfirmuar është se deri në 2 tetor zyrtarisht kanë qenë 17 persona.
I gjithë qëllimi madhor i kampit, për të cilin ishte krijuar fillimisht, për të shërbyer si qendër depërtimesh për emigrantët e kapur në detin Mesdhe, ra poshtë për shkak të rezistencës dhe ndërhyrjes së Gjtykatës së Romës, e cila hodhi dyshimin mbi listën e vendeve të sigurta, të krijuar nga Italia.
Kjo bëri që Gjykata Evropiane e Drejtësisë të dilte me vendim zyrtar më 1 gusht 2025.
Sipas gjykatësve evropianë, çdo shtet anëtar ka të drejtë të hartojë një listë të vendeve të sigurta të origjinës, por kjo vendimmarrje nuk është absolute. Ajo duhet të mbështetet në të dhëna të qarta, të dokumentuara dhe të aksesueshme, dhe të jetë e kontrollueshme nga proceset gjyqësore.
Kështu kjo solli që disa vende që Italia i konsideronte të sigurta si Bangladeshi, Egjipti, etj. sipas ekspertëve të drejtësisë të kishin shumë aspekte politiko-sociale që mund ti shndërronte të pasigurta për shumë qytetarë, përmendim këtu pasiguria e anëtarëve të komuniteti LGBTQ+ etj.
Për këtë arsye Italia ndryshoi funksionin primar të kampit, duke e përdorur tashmë për riatdhesimin e migrantëve të paligjshëm që ndodhen aktualisht në CPR- të (qendër qëndrimi për riatdhesim) italiane.
Figura të ndryshme të opozitës italiane e kanë quajtur kampin një projekt të dështuar dhe propagandistik të kryeministres italiane Giorgia Meloni. Vetë ish-kryeministri i Italisë dhe senatori i Firences, Matteo Renzi, në një vizitë të tijën në Gjadër në Mars të 2025, tha se ishin rreth një miliard lekë të shkuara dëm.

Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.