Citizens.al

Kushtetuesja rrëzon qeverinë dhe Presidentin: Veliaj mbetet kryetar i Bashkisë Tiranë

Veliaj gjatë shoqërimit në Gjykatën Kushtetuese/Citizens.al

Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar sot vendimin e qeverisë dhe Presidentit, që e shkarkonte nga detyra kryetarin e arrestuar të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, duke i konsideruar aktet të papajtueshme me Kushtetutën. Po ashtu, Gjykata shfuqizoi pjesërisht dekretin që parashikonte mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme për bashkinë e kryeqytetit.

Trupa gjykuese vendosi me shumicë votash, pesë “pro”, tre “kundër”, se aktet e Këshillit Bashkiak, qeverisë dhe të kreut të shtetit, kanë shkelur parimet kushtetuese që garantojnë vijimësinë e mandatit të një të zgjedhuri vendor.

Vendimi parashikon pezullimin e efekteve të tyre dhe rikthimin e Veliajt në detyrën e tij publike, pavarësisht faktit se ai ndodhet në paraburgim nën akuzë për korrupsion dhe shpërdorim detyre.

Gjykata vlerësoi kështu, se ndërhyrja e pushteteve të tjera në ndërprerjen e mandatit të një kryebashkiaku cenon ndarjen e pushteteve dhe parimin e legjitimitetit demokratik.

Kronologjia e zhvillimeve

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese vjen pas një beteje institucionale që nisi pasi SPAK i komunikoi Veliajt akuzat për shpërdorim detyre, korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurie dhe futje sendesh të paligjshme në burg. Ai u mor zyrtarisht i pandehur më 22 korrik.

Një muaj e rreth dy javë më vonë, Kryeministri Rama njoftoi paraprakisht kandidimin e Ogerta Manastirliut për ta zëvendësuar në bashkinë e Tiranës.

Kjo vendimmarrje u komunikua më 11 shtator pas Asamblesë së Përgjithshme të Partisë Socialiste dhe vijoi më pas me propozimin e socialistëve në Këshillin Bashkiak për shkarkimin e Veliajt me arsyetimin e mosparaqitjes në detyrë për një kohë më të gjatë se 3 muaj.

Veliajt iu mohua e drejta për të qenë i pranishëm në seancë, teksa nga qelia ai e komentoi këtë nismë si të padrejtë pasi mungesa prej 10 shkurtit, kur u arrestua, nuk kishte ardhur si rrjedhojë e vullnetit të tij.

Qeveria e miratoi propozimin unanim të Këshillit Bashkiak më 25 shtator dhe më pas Presidenti Begaj dekretoi datën 9 nëntor si datë të zgjedhjeve të pjesshme për Tiranën dhe pesë bashki të tjera: Vlora, Berati, Mati, Tepelena dhe Cërriku.

Nisur nga këto zhvillime, Veliaj iu drejtua Gjykatës Kushtetuese duke e konsideruar procesin të motivuar politikisht dhe në shkelje të Kushtetutës pasi shkarkimi, sipas tij, u parapri në organe partiake.

Arsyetimet e tij se askush nuk mund të privohet nga prezumimi i pafajësisë deri në një vendim të formës së prerë, Veliaj i paraqiti në seancën e së premtes, datë 31 tetor, ku për gjatë 7 orësh Gjykata Kushtetuese dëgjoi palët.

Me vendimin e së hënës, Gjykata ndalon tashmë mbajtjen e zgjedhjeve në Tiranë dhe rikthen një ekuilibër të ri politik në kryeqytet, duke hapur debat mbi legjitimitetin e ushtrimit të mandatit nga një zyrtar i ndaluar me masë sigurie.

Juristët dhe aktorët politikë kishin paralajmëruar pasoja të gjera për marrëdhëniet mes pushteteve dhe për mënyrën se si trajtohen funksionarët e zgjedhur që përballen me akuza penale nëse procedura e shkarkimit të Veliajt do të legjitimohej nga Kushtetuesja.

Veliaj ndodhet nën masën e arrestit me burg që prej 10 shkurtit, dhe është në gjykim për korrupsion, pastrim parash, shpërdorim detyre dhe mosdeklarim pasurie, akuza që përfshijnë në disa raste edhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa.

Lexoni gjithashtu:

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW